24/06/2008
Kryeministri i Malit të Zi u takua me zyrtarët e BE pas një raporti pozitiv përparimi për vendin e tij. Gjithashtu në lajmet diplomatike të kësaj jave: ministri i jashtëm bullgar Ivajlo Kalfin ishte në Bosnje dhe Herzegovinë dhe presidenti kroat Stipe Mesiç përfundoi një vizitë në Jordani.
![]() Milo Gjukanoviç. [Getty Images] |
Kryeministri malazes Milo Gjukanoviç u takua të hënën (23 qershor) në Bruksel me shefin e politikës së jashtme të BE Havier Solana dhe komisionerin e zgjerimit të BE Olli Rehn. Ai bisedoi gjithashtu me presidentin e Parlamentit Evropian Hans Pottering. Gjukanoviç mori një fttesë për të vizituar selinë e BE pasi Këshilli Evropian vlerësoi Malin e Zi për përparimin drejt anëtarësimit në BE.
***
Ministri i jashtëm bullgar Ivajlo Kalfin ishte në Bosnjë dhe Herzegovinë (BiH) të hënën (23 qershor) për një vizitë zyrtare një-ditore. Kalfin takoi anëtarët e presidencës së BiH, kryeministrin Nikola Spiriç dhe ministrin e jashtëm Sven Alkalaj. Kalfin vizitoi gjithashtu kampin Butmir pranë Sarajevës dhe foli me kontigjentin bullgar atje.
***
Krerët grek qipriot dhe turk qipriot do të takohen në korrik për të vlerësuar përparimin në bisedimet përgatitore mbi ribashkimin e ishullit të tyre të ndarë. Samiti do të bëhet në 1 korrik, tha i dërguari i OKB në Qipro, Taje-Bruk Zerihun të premten (20 qershor). Presidenti qipriot Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat do të diskutojnë çështje të ndjeshme si sovraniteti, prona, çështje territoriale dhe të sigurisë.
***
Presidenti kroat përfundoi një vizitë tre-ditore në Jordani të enjten (19 qershor). Mesiç pati bisedime me mbretin Abdullah II, sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe, Amr Mousa dhe përfaqësues të komunitetit jordanez të biznesit për të diskutuar mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit të tregtisë dhe turizmit.
***
Presidenti shqiptar Bamir Topi u takua të martën (17 qershor) me anëtarin e presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) Haris Silajxhiç në Tiranë dhe konfirmoi statusin e marrëdhënieve të ndërsjellta. "Shqipëria, Kosova, BiH dhe vendet e tjera në rajon duhet ta distancojnë veten nga skenaret e retrospektivës dhe ndarjeve etnike dhe në vend të kësaj të krijojnë një klimë intensive bashkëpunimi," tha Topi. Silajxhiç, që ishte për një vizitë dy-ditore në Shqipëri, shprehu interesin e BiH në lidhjet e forta me Shqipërinë dhe në kontributin ndaj stabilitetit rajonal.
***
Marrëdhëniet midis Malit të Zi dhe Kroacisë janë përmirësuar ndjeshëm, tha të martën (17 qershor) kryeministri kroat Ivo Sanader pas një takimi me kryetarin e parlamentit malazes Ranko Krivokapiç në Zagreb. Sanader paralajmëroi se interesat e përbashkëta të vendeve të tyre kërkojnë zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Krivokapiç vlerësoi si përparimin kroat dhe atë malazes drejt anëtarësimit në BE.
***
Ministri i jashtëm qipriot Markos Qiprianu dhe homologu i tij spanjoll Migel Angel Moratinos diskutuan bashkëpunimin e ndërsjelltë dhe përpjekjet e ribashkimit në Qipro gjatë një takimi të hënën (23 qershor) në Nikosia. Moratinos propozoi një memorandum mirkuptimi për të zgjeruar bashkëpunimin dhe dialogun midis dy vendeve të tyre. Qiprianu e informoi atë mbi zhvillimet e fundit lidhur me çështjen qipriote. Ata diskutuan gjithashtu ratifikimin e Traktatit të Lisbonës.
(Burime të ndryshme 17/06/08-24/06/08)