06/06/2008
Fluturimet tre herë në javë midis Zagrebit e Prishtinës do të nisin javën tjetër. Gjithashtu në lajme: Kosova do të kërkojë 1.4 miliard euro në konferencën e donatorëve të Kosovës në Bruksel, dhe një prodhues bullgar i duhanit do të blejë 67% të aksioneve në një fabrikë duhani në Mostar.
![]() Croatia Airlines. [Dosje] |
Fluturuesi kombëtar kroat, Croatia Airlines, tha të mërkurën (4 qershor) se do të nisë fluturimet e rregullta midis Zagrebit e Prishtinës në 16 qershor, Sipas uebsajtit të vet, fluturimet midis Zagrebit dhe kryeqytetit të Kosovës do të bëhen tre herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të premten. Kompania tha se rruga e re do ta lidhë më mirë Kosovën me rajonin.
***
Banka Botërore miratoi një kredi 8.3 milion euro për të përmirësuar rrugët dytësore e lokale në Shqipëri, raportoi të mërkurën (4 qershor) një gazetë shqiptare. Projekti ka për qëllim gjithashtu të përmirësojë shërbimet bazë dhe qendrat e shitjes në rajonet rurale. Kostoja totale e projektit që do të zbatohet nga Fondi Shqiptar për Zhvillimin, është 25.8 milion euro.
***
Kosova do të kërkojë ndihmë me vlerë 1.4 miliard euro nëpërmjet projekteve që do të paraqesë në Konferencën e Donatorëve të Kosovës, në 11 korrik në Bruksel, tha të mërkurën (4 qershor) ministri i financave Ahmet Shala. Ai paraqiti tek ambasadorët e huaj në Prishtinë, buxhetin afat-mesëm të Kosovës dhe kuadrin e investimit.
***
Prodhuesi bullgar i duhanit Pazardzik BT do të blejë pjesën prej 67% të aksioneve të qeverisë të Federatës së Bosnje dhe Herzegovinës (FBiH) në fabrikën e duhanit të Mostarit, njoftoi Agjensia e Privatizimit e FBiH të enjten (3 qershor). Drejtuesit do të nënshkruajnë kontratën në 15 ditë. Agjensia tha se investitori bullgar është i vendosur të paguajë 100,000 euro për aksionet, të investojë 3.5 milion euro dhe të mbajë të gjithë 122 punëtorët.
***
Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç hapi të martën (3 qershor) në Londër, Forumin e Investimit të Malit të Zi që po e pret Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Planifikuesit e veprimtarisë po kërkojnë financim për ndërtimin e një udhëshpejte 280 km Bar-Boljare në kufirin me Serbinë.
***
Firma portugeze e energjisë Martifer tha në 29 maj se ka në plan të nisë ndërtimin e tre projekteve të energjisë së erës në Rumani në shtator, nëpërmjet degës së vet Eviva Energy. Centralet do të kenë një kapacitet të kombinuar prej 50 MW. Planet e kompanisë në Rumani janë të zotërojë parqet e energjisë së erës me një kapacitet total të instaluar prej 400 MW deri në 2012, që do të thotë investimi i rreth 600 milion euro.
(Burime të ndryshme – 30/05/08-06/06/08)