Ditari diplomatik: takohen ministrat e jashtëm kroat e turk

27/05/2008

Projekti Mesdhetar kryesoi axhendën e bisedimeve në Ankara. Gjithashtu këtë javë: Kryetari i presidencës së BiH, Haris Silajxhiç viziton Shtetet e Bashkuara dhe papa Benedikt XVI takohet me peshkopët nga Shqipëria.
photo

Ministri i jashtëm kroat Gordan Jandrokoviç (majtas) dhe homologu i tij turk Ali Babaçan, mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi pas takimit të tyre në Ankara të premten (23 maj). [Getty Images]

Ministri i jashtëm kroat Gordan Jandrokoviç u takua me homologun e tij turk, Ali Babaçan, në Ankara, të premten (23 maj). Ata diskutuan projektin e Bashkimit Mesdhetar dhe shqyrtuan përparimin e bisedimeve të pranimit në BE si për Kroacinë dhe për Turqinë, filluar në 2005. Në një konferencë shtypi pas takimit, Babaçan tha se Turqia ka një perceptim pozitiv të Bashkimit Mesdhetar por nuk ka finalizuar ende vlerësimin e vet mbi çështjen.

***

Kryetari i presidencës së Bosnje dhe Herzegovinës (BiH) Haris Silajxhiç mbylli një vizitë në Shtetet e Bashkuara të hënën (26 maj). Ai ndoqi takimin e 13-të të Kongresit të Boshnjakëve Veri-Amerikanë të premten në San Luis dhe u takua me përfaqësues të industrive të ndryshme të SHBA, duke përfshirë atë të turizmit, në Uashington.

***

Shefi i shtabit të përgjithshëm grek, gjeneral-lejtnant Dimitrios Grapsas u nis të dielën (25 maj) për një vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të homologut të tij turk Jashar Bujukanit. Grapsas synon të shqyrtojë çështjet e pazgjidhura dhe të forcojë bashkëpunimin e ndërsjelltë në sektorin e mbrojtjes.

***

Papa Benedikt i XVI-të u takua me një grup peshkopësh nga Shqipëria të premten (23 maj) në Vatikan. Ai u kërkoi atyre të vazhdojnë të luftojnë për një unitet brenda kishës katolike shqiptare.

***

Ministri bullgar i ekonomisë dhe energjisë Petar Dimitrov dhe ambasadori gjerman në Bullgari, Michael Geier nënshkruan të hënën (26 maj) të fundit në serinë e marrëveshjeve mbi bashkëpunimin teknik midis të dy vendeve. Marrëveshja parashikon një grant gjerman prej 4 milion eurosh për të nxitur ekonominë bullgare dhe punësimin, trainimin profesional, studimin meteorologjik dhe zhvillimin e maleve Rodop.

***

Zëvendës ministri i jashtëm grek Theodoros Kasimis vazhdoi një turne të disa fshatrave greqisht-folëse në Italinë jugore, gjatë fundjavës, duke u takuar me autoritetet lokale dhe banorët. "Ne duhet të ndërtojmë lidhje më të ngushta dhe më krijuese që na aftësojnë për të ndihmuar të rinjtë për të ruajtur rrënjët e tyre dhe për të ardhur më pranë Greqisë," tha Kasimis.

***

Presidenti austriak Hainz Fischer u takua me kryeministritn turk Rexhep Tajip Erdogan në Pallatin Çiragan në Stamboll të enjten (22 maj). Ficsher vizitoi gjithashtu patriarkatin e grekëve ortodoksë të Fenerit dhe ndoqi një takim të Këshillit të Biznesit Turko-Austriak.

(Burime të ndryshme 20/05/08 - 27/05/08)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading