28/04/2008
Si pjesë e përpjekjeve për të rritur arsimin dhe përdorimin e teknologjive të klasave, nëntë shkolla elementare maqedonase morën kompjutera e softuere. Gjithashtu në shkencë e teknologji këtë javë: rastet e kancerit janë në rritje në Shqipëri dhe Bukureshti renditet si qyteti më i ndotur në BE.
![]() Nëntë shkolla elementare në Maqedoni morën nga USAID kompjutera portativë me softuere. [Getty Images] |
USAID dhuroi 130 kompjutera portativë nga më të mirët, aksesori dhe softuere për nëntë shkolla elementare pilot në Maqedoni të enjten (24 prill). Të ndërtuara për përdorim në klasë, laptopët pa kabëll Earthwalk kanë mbrojtëse nga uji për tastierat, internet pa tel dhe bateri të komandueshme nga larg, që rrojnë gjatë. Dhurimi është pjesë e projektit të USAID për të rritur njohuritë teknike të nxënësve dhe për të përmirësuar cilësinë e arsimit në Maqedoni.
***
Kompania shqiptare e telekomit, Albtelecom, nënshkroi një kredi 100 milion euro për të rritur nivelin e burimeve të saj teknologjike dhe për të zmadhuar kapacitetin. Kompania, e cila ka 10% të tregut, thotë se Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim do të huajë 75 milion euro, ndërsa pjesa tjetër do të vijë nga Banka e Detit të Zi për Rindërtimin dhe Zhvillimin.
***
Rreth 4,000 vetë marrin diagnoza të sëmundjeve tumorale çdo vit në Shqipëri, tha të enjten (24 prill) Organizata Botërore e Shëndetit (WHO). Sipas saj, shkaku kryesor i përqindjeve të shumta të kancerit përfshin konsumin e duhanit dhe alkoholit, dietën dhe mënyrën e jetesës. WHO është e shqetësuar me rritjen e përqindjes së kancertit midis të rinjve në Shqipëri.
***
Një robot i modeluar dhe operuar nga studentët në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë do të përfaqësojë Kosovën në kampionatin evropian të futbollit robotik EUROBY 2008 në qershor në Austri. Organizatorët e EUROBY 2008 janë Federata Ndërkombëtare e Futbollit-Robotik dhe Instituti Teknologjik të Trajtimit të Paisjeve dhe Robotikës i Universitetit të Vienës.
***
Kryeqyteti i Rumanisë, Bukureshti, kryeson nga fundi listën e qyteteve më të ndotur të Bashkimit, pasuar nga Sofja, Athina dhe Roma, tha të enjten (24 prill) Adrian Katrina, drejtori ekzekutiv i Agjensisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Bukureshtit. Aktualisht, tetë stacione fikse mbikqyrjeje regjistrojnë ndotjen potenciale të Bukureshtit ndërsa të dhënat janë të shfaqura në tre ekrane ngritur në zonat më të populluara të qytetit.
***
Mali i Zi me 650,000 banorë ka 1,11 milion përdorues telefoni celular, raportoi në 19 prill Agjensia e Telekomunikacioneve e Malit të Zi . Numri i përdoruesve të telefonisë celulare u rrit me 68% krahasuar me marsin e vitit të kaluar, sipas agjensisë.
***
Gjashtë studentë rumunë fituan të dielën (27 prill) çmimin e madh të Konkurimit të Zgjidhjes së Modelit Hapsinor të NASA 2008 me projektin e tyre kërkimor. Ekipi konkuroi me 156 projekte nga 840 studentë nga 11 vende dhe dhjetë shtete të SHBA.
(Burime të ndryshme – 21/04/08 - 28/04/08)