Ditari diplomatik: bashkëpunimi i ndërsjelltë është fokusi i vizitës së Mesiç në Shqipëri

22/04/2008

Presidenti i Kroacisë bëri një vizitë dy-ditore në Tiranë. Gjithashtu këtë javë: ministri i jashtëm turk viziton Pakistanin dhe Shqipëria përuron një pikë të përbashkët të kalimit kufitar me Malin e Zi.
photo

Presidenti shqiptar Bamir Topi (majtas) dhe homologu i tij kroat Stipe Mesiç kalojnë në revistë një roje nderi përpara takimit të tyre në Tiranë të hënën (21 prill).

Presidenti kroat Stipe Mesiç arriti në Tiranë të hënën (21 prill) për një vizitë zyrtare dy-ditore. Ai u takua me presidentin shqiptar Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetaren e parlamentit Josefina Topalli dhe kryebashkiakun e Tiranës Edi Rama. Bashkëpunimi i ndërsjelltë dhe lidhjet ekonomike kryesojnë axhendën e Mesiç.

***

Kryeministri shqiptar Sali Berisha dhe homologu i tij malazes Milo Gjukanoviç, përuruan një pikë të përbashkët kufitare në kalimin kufitar të Muriqanit, të hënën (21 prill). Projekti, financuar nga Komisioni Evropian, është i pari i këtij lloji në rajon.

***

Maqedonia dhe Shtetet e Bashkuara do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe mbi bashkëpunimin ushtarak dhe teknik në 7 maj në Uashington, njoftoi ambasadori i Shkupit në SHBA, Zoran Jolevski. Ai tha se marrëveshja do të nënshkruhet nga ministri maqedonas i punëve të jashtme Antonio Milososki dhe sekretarja e shtetit e SHBA Kondoliza Rajs.

***

Ministri i jashtëm turk Ali Babaçan dhe homologu i tij i Pakistanit, Makhdoom Shah Mahmood Qureshi, u zotuan të shtunën (19 prill) të vazhdojnë luftën e tyre të përbashkët kundër terrorizmit. Ata thanë gjithashtu se përfaqësuesit turq, pakistanezë dhe afganë mund të mbajnë një takim në qershor për të diskutuar si të sigurohet paqja në Afganistan. Babaçan ishte në Islamabad për një vizitë zyrtare dy-ditore.

***

Parlamenti hollandez ka në plan të ratifikojë marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) të Malit të Zi me BE në qershor, tha të premten (18 prill) nënkryeministrja malazeze për integrimin evropian Gordana Gjuroviç. Ajo e bëri njoftimin pas një vizite në Hollandë ku takoi ministrin e jashtëm hollandez Maksim Verhagen.

***

Ministri i jashtëm i Bosnnje dhe Herzegovinës Sven Alkalaj ishte në Bruksel të premten (18 prill) për të mbajtur bisedime me zyrtarë të Komisionit Evropian. Alkalaj tha se pret që nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes së stabilizimit dhe shoqërimit midis BE dhe BiH të bëhet në 28 prill.

(Burime të ndryshme 15/04/08-22/04/08)

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com
Loading

Çfarë mendoni rreth këtij artikulli

icon12345icon

Artikujt e sotëm

Loading

Artikuj që kanë lidhje

Loading