26/03/2008
Një ekspozitë shëtitëse kujton Tose Proeskin, këngëtarin pop të vdekur të Maqedonisë. Gjithashtu këtë javë: tetë filma të shkurtër nga Kosova do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar të filmit në Zagreb.
![]() Tose Proeski. [Getty Images] |
Një ekspozitë udhëtuese që pëçrkujton yllin e vdekur maqedonas të popit Tose Proeski u hap të enjten (20 mars) në Strumica, Maqedoni. Ekspozita, e titulluar "Misioni Njerëzor i Engjëllit" shfaq 27 fotografi që ilustrojnë jetën e Proeskit, i cili vdiq 26 vjeç në një aksident me makinë tetorin e shkuar. Ekspozita udhëton këtë vit në Beograd, Zagreb, Ljubljanë, Romë, Vatikan dhe Kalkuta.
***
Tetë filma të shkurtër nga Kosova do të shfaqen në festivalin ndërkombëtar të filmit "Panoramë e filmit amator" në Zagreb. Festivali një-javor do të nisë të dielën (30 mars) dhe do të shfaqë 200 filma nga e gjithë bota.
***
Yjet serbë të tenisit Ana Ivanoviç dhe Novak Gjokoviç fituan Indian Wells Masters, duke marrë të dy titujt kampionë të dielën (23 mars). Gjokoviç mundi Mardi Fish të Shteteve të Bashkuara 6-2, 5-7, 6-3, ndërsa Ivanoviç mundi numrin dy në botë, Svetlana Kuznecova të Rusisë, 6-4, 6-3.
***
Entuziasti i Librit të Rekordeve Ginis, Krunoslav Budiseliç ndërtoi kështjellën më të madhe prej çokollate në botë, në Zagreb, për ta shitur në një veprimtari bamirësie. Kështjella është tre metra e lartë, dy metra e gjerë, gjashtë metra e gjatë dhe është bërë nga rreth 100,000 copa çokollatash.
***
Notarja rumune Kamelia Potec fitoi një medalje bronxi të hënën (24 mars) në ditën e fundit të kampionatit evropian të notit në Eindhoven, Hollandë. Potec ishte e treta në garën 400 metra stil i lirë për femra.
***
Aktorja italiane e filmit Klaudia Kardinale do të jetë e ftuara e nderit në festivalin e 27-të ndërkombëtar të filmit në Stamboll. Në 4 prill, ajo do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të hapjes.
***
Qyteti bregdetar Limasol i Qipros, priti Eurokupën e Yjeve të Lojrave 2008 të martën (25 mars). Organizuar nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit, Limasol i ka pritur këto lojra për të katërtin vit me rradhë.
(Burime të ndryshme – 19/03/08 - 26/03/08)