05/02/2008
Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel ishte në Shkup javën e shkuar. Gjithashtu në lajmet diplomatike: Romania dhe Franca nënshkruajnë një marrëveshje të partneritetit strategjik.
![]() Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel (majtas) dhe homologu i tij maqedonas Antonio Milososki mbajnë një konferencë shtypi në Shkup të premten (1 shkurt). [Getty Images] |
Ministri i jashtëm slloven Dimitrij Rupel përsëriti mbështetjen e vendit të tij për integrimin evro-atllantik të Maqedonisë gjatë një vizite në Shkup të premten (1 shkurt). Rupel, vendi i të cilit mban presidencën e rradhës së BE, u takua me homologun e tij maqedonas Antonio Milososki dhe tha se bisedimet e pranimit kishin gjasa të fillonin këtë vit.
***
Presidenti rumun Traian Bashesku dhe ai francez Nikolas Sarkozi nënshkruan një marrëveshje pesë-vjeçare të partneritetit strategjik, i pari dokument i këtij lloji nënshkruar midis Francës dhe një vendi të Evropës Lindore. Marrëveshja parashikon bashkëpunimin në sferat politike, ekonomike dhe kulturore.
***
Letonia, anëtari i parë i BE që ratifikoi marrëveshjen e stabilizimit dhe shoqërimit (SAA) të Shqipërisë me BE, përsëriti të hënën (4 shkurt) mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në NATO. Ambasadori i Letonisë në NATO, Janis Eikmanis u takua me presidentin shqiptar Bamir Topi dhe kryeministrin Sali Berisha.
***
Ministrja e jashtme greke Dora Bakojanis do të udhëtojë në Uashington në 14 shkurt për një takim me sekretaren e shtetit të SHBA Kondoliza Rajs, njoftoi ministria e jashtme greke. Rajs dhe Bakojanis pritet të diskutojnë mosmarrëveshjen e emrit midis Athinës dhe Shkupit, përpara samitit të NATO-s në Bukuresht në prill.
***
Arabia Saudite respekton integritetin territorial të Qipros, tha të hënën (4 shkurt) ministri i jashtëm i Arabisë Saudite Al Faisal gjatë një takimi me homologen e tij qipriote Erato Kozakou Markullis e cila ishte në një vizitë një-ditore zyrtare në Riad. "Ne mbështesim një ishull të bashkuar e federal dhe jemi kundër çdo shkëputjeje apo ndarjeje," tha Al Faisal.
***
Kryetarja e Komitetit për Evropën Juglindore të Parlamentit Evropian (PE), Doris Pak ishte në Sarajevë të hënën (4 shkurt) dhe të martën. Ajo po ndjek takimin e dhjetë ndër-parlamentar me anëtarët e Komitetit të Përbashkët të Integrimit Evropian të parlamentit të Bosnje dhe Herzegovinës.
***
Ish kancelari gjerman Gerhard Shrëder bëri një vizitë private në Republikën Turke të Qipros Veriore të premten (1 shkurt) dhe u takua me kryeministrin turk qipriot Ferdi Sabit Sojer. Vizita ishte në mbështetje të përpjekjeve të udhëhequra nga OKB për të ribashkuar ishullin. Presidenti i Qipros, Tasos Papadhopulos e përshkroi masën si një "zhvillim të trishtuar" dhe kundërshtoi të takohet me Shrëderin.
***
Papa Benedikt XVI u takua me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu të shtunën (2 shkurt) dhe diskutoi zhvillimet e fundit në çështjen e statusit të Kosovës. Papa tha se qëndrimi i Vatikanit mbi një deklarim të pavarësisë do të varej kryesisht nga komuniteti ndërkombëtar. Një deklaratë e lëshuar më pas megjithatë theksoi se takimi nuk sinjalizonte mbështetjen e Vatikanit për ofertën e Kosovës për pavarësi.
(Burime të ndryshme -- 29/01/08-05/02/08)