28/06/2006
Cvetana Pironkova, 18 vjeç, mundi Anna-Lena Groenefeld të Gjermanisë në turneun e Uimbëldonit dhe lëvizi për në raundin e dytë. Gjithashtu në të rejat kulturore e sportive: një xhami historike u rindërtua në Banja Luka; skulptura të lashta e moderne paraqiten në Greqi; ylli turk i popit, Tarkan planifikon një shfaqje në Rumani.
![]() Cvetana Pironkova e Bullgarisë lufton me Anna-Lena Groenefeld të Gjermanisë gjatë ditës së dytë të kamionatit të tenisit në bar, në Uimbëldon, në Londër. [Getty Images] |
Cvetana Pironkova, habia 18-vjeçare nga Bullgaria e mposhti hutimin në raundin e parë në Uimbëldon, duke mundur Anna-Lena Groenefeld të Gjermanisë. Megjithëse e humbi setin e parë, Pironkova i përmbysi gjërat dhe përfundimisht fitoi ndeshjen (3-6, 6-3, 6-1). Tani ajo do të ndeshet me Agniezhka Radvanska të Polonisë.
***
Arkeologët shqiptarë e italianë filluan punën gërmuese këtë javë në amfiteatrin e lashtë romak të Durrësit, Shqipëri, me qëllim që të zbulojnë të gjithë strukturën. Gërmimi është pjesë e një projekti 25,000 euro për të ngritur një park arkeologjik në vend.
***
Ministri për refugjatët dhe personat e zhvendosur i Republika Srpska, Omer Brankoviç, tha se ka nisur puna e rindërtimit të xhamisë Ferhadija të Banja Lukës, e cila u shkatërrua gjatë konfiktit të Bosnjë dhe Herzegovinës (BiH). Xhamia, datuar në shekullin e 16-të është në listën e monumenteve kombëtare të BiH.
***
Një ekspozitë e re e përhershme e artit skulpturor grek e të huaj u hap në Glyptotekën Kombëtare të Greqisë në Athinë. Vizitorët mund të shohin mbi 150 vepra të skulpturës greke nga shekujt e 19-të dhe 20-të si edhe punë të artistëve bashkëkohorë të tillë si Santiago Kalatrava dhe Rene Magrit.
***
Ylli turk i popit, Tarkan ka në plan një koncert në Bukuresht në 12 korrik. Shfaqja është pjesë e një turneu rajonal të paraqitjes së albumit të tretë të tij "Hajde pranë". Albumi i mëparshëm i Tarkan "Aakaipsin", u shit në dy milion kopje në Turqi e jashtë.
***
Filloi në Novi Sad, Serbi në 24 qershor festivali i 12-të i alternativës dhe teatrit të ri INFANT i cili do të vazhdojë deri në fund të muajit. Marrin pjesë dhjetë trupa teatrore nga Belgjika, Greqia, Italia, Hollanda, Serbia dhe Korea e Jugut.
***
Dizajneri turk Umit Unal paraqiti koleksionin e tij të fundit "Karl Valentin" (Vjeshtë-dimër 07), në Sofje 22 qershor. Duke shënuar veprimtarinë, modelet bullgare morën pjesë në shfaqjen e avant-gardës mbajtur në një studio në kryeqytet.
***
Filloi në 23 qershor xhirimi i filmit të shkurtër "Ura" nga regjizori dhe aktori i ri boshnjak Haris Biljabegoviç. Filmi kthehet në ngjarjet e majit 1992 kur 13 civilë boshnjakë, duke përfshirë të atin e regjizorit, u qëlluan për vdekje nga ushtria serbe. Filmi po bashkëprodhohet nga dy kompani austriake, Illuminati Film dhe Filmhaus Wien, me ndihmën e komunës Sanski Most.
(Burime të ndryshme – 21/06/06-28/06/06)