09/06/2008
PRISHTINË, Kosovë -- Serbët e Kosovës njoftuan të premten (6 qershor) në Mitrovicë ngritjen e një parlamenti paralel në nivel shtetëror në Kosovë, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe të 11 majit. Asambleja e përkohshme e Popullit Serb të Kosovës do të mblidhet në 15 qershor, të njëjtën ditë që hyn në fuqi kushtetuta e Kosovës. Qeveria e Kosovës menjëherë denoncoi masën dhe këmbënguli se çdo institucion paralel do të ishte i paligjshëm. Qeveria i bëri thirrje UNMIK që ta shpallte atë të pavlefshëm.
Kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith e përshkroi çdo parlament serb në Kosovë si "keqardhës". Ai ngulmoi se "shteti i Kosovës duhet të qeverisë mbi të gjithë territorin e vet". Shefi i UNMIK Joachim Ruecker ndërkaq, tha vetëm se do të zgjasë mandatin e kryebashkiakëve të komunave serbe. Mandati i tyre gjashtë mujor përfundon në 18 qershor.
Në një intervistë me Reuters të premten, ministri serb për Kosovën, Slobodan Samarxhiç tha se Beogradi pret të gëzojë pushtet të zgjeruar administrativ lidhur me serbët e Kosovës dhe ka dërguar një propozim lidhur me këtë në OKB. Sipas këtij propozimi, Serbia do të kishte autoritet mbi "gjashtë fusha që janë kyçe për jetesën e serbëve dhe shpëtimin e tyre në Kosovë": policia, doganat, kontrolli kufitar, transporti dhe telekomi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore serbe. (Zeri, Koha Ditore, Express, Telegrafi, RTK - 07/06/08; Reuters - 06/06/08)