26/05/2008
NIKOSIA, Qipro -- Presidenti Demetris Kristofias dhe kreu turk qipriot Mehmet Ali Talat u takuan të premten (23 maj) në një orvatje për t'i dhënë shtytje të përtërirë procesit të bashkimit të ishullit të ndarë. Ata shqyrtuan përparimin e bërë nga grupet e punës ngarkuar me përgatitjen e bisedimeve por nuk dolën me një grafik kohor për negociatat e ardhshme. Megjithatë, një deklaratë e përbashkët lëshuar më pas vlerësoi "diskutimet e sinqerta dhe të frutshme" midis të dy palëve. Kristofias dhe Talat riafirmuan vendosmërinë e tyre ndaj një federate bi-zonale, bi-komunale me barazi politike, siç përcaktohet nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Paraardhësi i Kristofias, Tasos Papadhopulos, reagoi ashpër ndaj deklaratës të dielën, duke e përshkruar atë si një hap prapa për grekët qipriotë. Kristofias dhe Talat u takuan së pari në mars, menjëherë pas zgjedhjes së Kristofias si president, dhe vendosën të ringjallin ribashkimin. Qiproja ka qenë e ndarë që nga 1974. (Hurriyet, Zaman - 26/05/08; AFP, Xinhua - 23/05/08)