16/01/2013
Gazetarët dhe partitë politike bëhen objektiva të rritjes së dhunës mes masave shtrënguese.
Nga Andi Dabilis për Southeast European Times në Athinë – 16/01/13
![]() Policia e anti-trazirave kalon para një portreti të kryeministrit Antonis Samaras teksa ata hyjnë në selinë e partisë Demokracia e Re në Athinë. Pati të shtëna armësh në orët e para të të hënës (14 janar) pas një vale sulmesh të fundit zjarrvënëse ndaj zyrave politike. [AFP] |
Autoritetet në Greqi po shprehin shqetësime të rënda rreth shpërthimit të dhunës ekstremiste ndaj gazetarëve, njësive politike dhe institucioneve qeveritare, që besohet të jenë shkaktuar nga trazira lidhur me masat shtrënguese të vendit.
Njerëz të armatosur në orët e para të të hënës (14 janar) qëlluan së paku nëntë të shtëna ndaj zyrës së kreut të Demokracisë së Re dhe kryeministrit Antonis Samaras në selinë e partisë. Një plumb nga një automatik Kallashnikov përshkoi një dritare. Rojet e sigurisë thanë se dy vetë dolën nga një makinë, që besohej e vjedhur dhe u dogj në një lagje aty pranë, por askush nuk u arrestua.
Pati 17 sulme me bomba zjarri gjatë fundjavës së kaluar duke përfshirë një në zyrat në Kretë të partisë kryesore opozitare Koalicioni i së Majtës Radikale (SYRIZA), si dhe ndaj zyrave të tjera të Demokracisë së Re dhe një tjetër ndaj atyre të partnerit të saj të koalicionit, socialistëve të PASOK.
Dhe një grup i quajtur Minoranca e Dashnorëve Militantë të Shkeljes së Ligjit morën përgjegjësinë për bombat ndaj shtëpive të gazetarëve që erdhën pasi policia nxori nga një banesë e braktisur grupe majtiste dhe anarkiste që e kishin përdorur atë për dy dekada, dhe një tjetër në shtëpinë e ish-ministrit të financave Janos Papantoniu në dhjetor. Muajin e kaluar, u sulmuan me bombë zyrat e partisë së djathtë ekstreme neo-naziste Agimi i Artë.
"Dhuna po rritet në të gjithë vendin për shkak të masave shtrënguese dhe vënies së njerëzve nën kaq shumë presion", tha për SETimesXhon Nomikos, një analist për sigurinë dhe terrorizmin që drejton Institutin për Studimet Evropiane dhe Amerikane me bazë në Athinë. "Janë shtuar njerëzit që nuk mund t'ia dalin dot dhe klasa e mesme po arrin kufirin. Njerëzit po bëhen shumë agresivë".
Zëdhënësi i qeverisë Simos Kedikoglou, shtëpia e vëllait të të cilit u sulmua me bombë molotov, tha se sulmi ndaj zyrës së Samarasit është tronditës.
"Është një përshkallëzim i ri dhe shqetësues nga ata që duan të përhapin terrorin në shoqërinë tonë", tha Kedikoglou , i cili tha se kishte marrë telefonata kërcënuese. "Dallimi midis deklaratave të zjarrta dhe sulmeve me zjarr është shumë i vogël . Duhet të ketë një dënim të qartë publik të dhunës dhe dhunës verbale".
Papunësia në Greqi shkon në 26 përqind dhe një plan i ri taksash vë një normë prej 42 përqind në shumë familje të klasës së mesme, ndërsa rrit normën e korporatës nga 20 në 26 përqind.
Qeveria është gjithashtu nën presion nga kreditorët e vet të Trojkës ndërkombëtare, BE-FMN-BQE, për të bërë diçka lidhur me evazionin fiskal. Greqia bile po thërret për ndihmë ekspertë nga vende të tjera të BE-së.
Antonis Klapsis, kreu i kërkimeve për institucionin kërkimor të Demokracisë së Re, Instituti Konstandinos Karamanlis për Demokracinë në Athinë, tha për SETimes se megjithëse askush nuk ka marrë përgjegjësi për të shtënat ndaj zyrës së Samarasit, "ky ka të ngjarë të jetë një reagim ndaj të gjitha këtyre reformave të kryera nga qeveria. Ka një pakicë të vogël që nuk janë dakord me gjithçka dhe do të bëjnë çdo gjë për ta ndalur atë, por këta terroristë nuk do t'ia dalin".
George Tzogopulos, një bashkëpunëtor kërkimor në Fondacionin Helenik për Politikën Evropiane dhe së Jashtme në Athinë tha për SETimes se me gjithë seriozitetin e incidentit, "ne nuk duhet ta izolojmë këtë si një sulm terrorist... Unë nuk do ta lidhja atë domosdoshmërisht me masat shtrënguese".
(Kathimerini, 14/01/13)
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes