10/09/2012
Nismat rajonale bashkërendojnë rendin, teknologjinë e fushatat e ndërgjegjësimit të publikut në një përpjekje për të mbrojtur të rinjtë nga rreziku në internet.
Nga Aleksandar Pavlevski për Southeast European Times në Shkup -- 10/09/12
![]() Një në pesë fëmijë në Ballkan që përdor internetin, është bërë shënjestër e një grabitqari të internetit. [Reuters] |
Vendet e rajonit po shqyrtojnë mënyra për të mbrojtur fëmijët nga pedofilët e rreziqet e tjera të padukshme në internet.
Të dhënat rajonale tregojnë se 20 përqind e fëmijëve që përdorin internetin u bënë shënjestër e një grabitqari të internetit ose pedofili. Prej tyre, 77 përqind janë 14 vjeç e 22 përqind janë 10 deri 13 vjeç. Nga fëmijët që hasën në përmbajtje seksuale në internet, 93 përqind nuk i njoftojnë prindërit, tha konsulenti i mediave shoqërore e prodhuesi i programeve kompjuterikë Darko Disoski.
Një numër vendesh po përdorin metoda të ndryshme veprimi për këtë problem. Serbia krijoi një forcë të posatçme dy vjet më parë për të trajtuar pedofilët e internetit e ka arrestuar deri më sot 40 të tillë.
Ndërsa në Bullgari, autoritetet po u japin prindërve më shumë kontroll mbi atë që shohin fëmijët në internet, duke ofruar programe kompjuterikë që gjurmojnë faqet në internet e tastet që shtypen, dhe u dërgon prindërve një raport të përditshëm. Kjo përpjekje bëhet për ta bërë më të lehtë për prindërit t'i mbajnë fëmijët larg faqet në internet ku mund t'i kontaktojnë të rritur të padëshiruar.
Ministria e teknologjisë dhe administrimit të informacionit njoftoi planet për një linjë ndihme për të edukuar prindërit dhe fëmijët mbi mënyrat për të minimizuar ekspozimin dhe për të njoftuar përmbajtjen e papërshtatshme në internet. U është kërkuar edhe OJQ-ve që të bashkohen me këtë përpjekje.
"Eshtë e rëndësishme që të kihet parasysh që ky është një fenomen kryesisht i ri, i cili kërkon shumë vëmendje dhe përpjekje nëse dëshirojmë të mbrojmë ata që duam më shumë," tha për SETimes Disoski, i cili është gjithashtu përfaqësues aktiv në sektorin e OJQ-ve. "Jemi këtu për të ndihmuar".
Sipas Disoskit, OJQ-të tashmë ofrojnë programe kompjuterike falas për të mbrojtur fëmijët, duke shpjeguar se me 62 përqind të familjeve maqedonase që kanë kompjuter dhe 54 përqind e tyre që përdorin internetin, prindërit duhet të kërkojnë mjete të programeve kompjuterike falas dhe t'i përdorin ato për të mbrojtur fëmijët.
Ky rekomandim përputhet edhe me këshillën e ministrisë.
"Ato [programet kompjuterike] mund të merren në çdo dyqan kompjuteri ose të shkarkohen nga interneti. Prindërit do të jenë në gjendje të përcaktojnë parametrat kur fëmijët mund të përdorin, për sa kohë, cilat faqe e çfarë përmbajtje mund të shohin. eshtë një nga veprimet e para për të mbrojtur fëmijët në internet," tha Ministri i Teknologjisë e Administrimit të Informacionit, Ivo Ivanovski.
Projekti synon të sulmojë një numër çështjesh në nivel vendor dhe ndërkombëtar njëherësh, me çështje kryesore interesimi duke përfshirë përmbajtjen e paligjshme, pornografinë e fëmijëve, ndjekjet në internet, gjuhën e urrejtjes e mbrojtjen e fëmijëve në internet.
Do të krijohen qendra vendore për të rritur ndërgjegjësimin mes popullsisë së përgjithshme, gjë që do të ndihmonte në krijimin e fushatave kombëtare të drejtuara në mënyrë specifike te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, shpjegoi Ivanovski.
Përpjekjen do t'a bashkërendojë një operator interneti kombëtar i një linje të hapur.
"Do të përqëndrohemi tek zhvillimi i instrumenteve të thjeshta për njoftimin nga komuniteti i internetit, zhvillimin dhe implementimin e instrumenteve të duhura për parametrat e konfidencialitetit sipas moshës, si edhe përdorim më të gjerë të klasifikimit të përmbajtjes dhe disponueshmëri më të gjerë, si dhe përdorimin e instrumenteve të kontrollit prindëror," tha për SETimes Violeta Gjorgjievska, përfaqësuese ekzekutive e Operatorit Maqedonas të Linjave të Hapura të Internetit.
Në më pak se një vit, Maqedonia rregjistroi më shumë se 400 adresa IP që shkarkuan 4,323 skedarë të ndryshëm të pornografisë për fëmijë. Një kërkim me fjalët "sherr" e "rrahje" rezultoi në më shumë se 300 video me origjinë nga brenda kufijve të vendit.
U gjetën mbi 25,000 video online që kishin përmbajtje ksenofobike ose nacionaliste. Kur kërkuan për sharje profane, kërkuesit gjetën 41 milionë raste në alfabetin cirilik e 106 milionë në alfabetin latin.
Sipas planeve të projektit, Maqedonia do t'i kërkojë secilit prej operatorëve të saj të linjave të hapura që të bashkohet me Shoqatën Ndërkombëtare të Linjave të Hapura të Internetit (INHOPE). E themeluar më 1999 dhe e përbërë nga 42 linja të hapura në botë, programi mbështetet nga Programi për Internet më të Sigurt i Komisionit Evropian, me qëllimin e vetëm të reagimit ndaj përmbajtjes së paligjshme për t'a mbajtur internetin të sigurt për përdoruesit e tij.
Planet tregojnë gjithashtu se Maqedonia do të forcojë kontrollin dhe sanksionet ligjore ndaj atyre që rrezikojnë fëmijët dhe të rinjtë përmes internetit. Kodi penal përcakton 38 veprime në internet si "krime" për të cilat një njësi e specializuar do të ketë autoritet për ndjekje penale përveç rolit ekzistues të saj në luftimin e krimit kibernetik dhe pornografisë së fëmijëve.
Megjithëse shumë besojnë se prindërit mund të informohen më shumë, një numër i madh duken të gatshëm për t'u përfshirë.
"Sinqerisht nuk e di se çfarë shohin fëmijët e mi në internet," thotë Ole Nikolovska nga Shkupi, duke pranuar se tre vajzat e saj të vogla kalojnë gjashtë deri në 12 orë në javë në internet.
"Nuk kemi kontroll mbi përmbajtjen që shohin, por duhet të më trajnojë dikush ose të më japë një program që të më lejojë të shoh atë që shohin ato, për t'i mbrojtur nga ndërhyrjet e dëmshme," tha ajo. "Çdo ndihmë është e mirëpritur."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes