05/09/2012
Një numër vendesh po luftojnë me dhjetëra zjarre që digjen anembanë rajonit.
Nga Svetlla Dimitrova për Southeast European Times në Sofje -- 05/09/12
![]() Një fshatar përpiqet të fikë flakët e një zjarri në Memaliaj, pranë qytetit të Tepelenës në Shqipërinë e jugut. [Reuters] |
Një seri zjarresh të mëdha në Kroaci, Serbi, Bosnjë, Maqedoni e Bullgari po sforcojnë burimet e zjarrfikësve e ushtrisë në rajon, ndërsa luftojnë të vendosin nën kontroll flakët pavarësisht temperaturave ekstreme, erës e thatësirës.
Megjithëse temperaturat kanë rënë ditët e fundit, një numër zjarresh vazhdojnë të digjen, shumë prej tyre për shkak të neglizhencës njerëzore.
"Nuk mund të ndodhin rastësisht, sepse ka shumë zjarre njëkohësisht në një zonë kaq të madhe," tha për BBC Volimir Millosheviç, drejtor i një brigade të zjarrfikësve në Kroaci. "Nuk jemi aq të efektshëm sa duhet të ishim për t'i fikur."
Me mijëra hektarë tokë janë djegur nga flakët, duke përfshirë malet Tara në Serbi, ndërsa temperaturat disa herë kanë arritur 40 gradë celsius. Punëtorët e emergjencave e ushtria bashkëpunuan për të vënë nën kontroll flakët.
Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç mbikëqyri disa prej përpjekjeve e u tha gazetarëve se gjendja "është ende shumë e vështirë."
Në Bullgari, një nga zjarret më të vështira për t'u fikur së fundmi ishte zjarri që nisi në gjysmën e dytë të gushtit pranë Manastirit Rila, një vend i listës së UNESCO-s e një nga monumentet më të vjetra e më të rëndësishme kulturore të vendit ballkanik.
Zyrtarët bullgarë thanë se ishin njoftuar rreth 300 zjarre vetëm në atë vend, duke përbërë një sfidë si për punëtorët e emergjencave, ashtu edhe për vullnetarët.
Bullgaria mbështetet kryesisht në personelin profesional për trajtimin e zjarreve e gjendjeve të tjera të emergjencës. Sipas të dhënave të ministrisë së brendshme, ka gjithsej 7,530 të punësuar në këtë sektor në gjithë vendin, duke përfshirë 1,065 në Sofje.
Ljubomir Elenkov, kreu i sindikatës kombëtare të zjarrfikësve, tha se shërbimi ka mungesa personeli e ka nevojë për 3,000 njerëz të tjerë.
Ndryshe nga vendet e tjera evropiane, Bullgaria ka një numër shumë të vogël zjarrfikësish vullnetarë, të cilët ishin më pak se 2 përqind më 2010-të, sipas një raporti nga Shoqata Ndërkombëtare për Studimin e Ekonomisë së Sigurimit me qendër në Gjenevë.
Shumë më e rëndë se çështja e personelit është problemi i pajisjeve e automjeteve të vjetruara të zjarrfikësve të vendit. Sektori nuk ka asnjë mjet ajror të specializuar, kështu që i është dashur të mbështetet në dy helikopterë ushtarakë për të luftuar zjarret në zonat e pakalueshme malore gjatë gjithë verës.
"Tetëdhjetë e pesë përqind e pajisjeve që kemi janë 30 deri në 50 vjeçare," tha Elenkovi për SETimes të hënën (3 shtator).
Ministri i Brendshëm bullgar Tsvetan Tsvetanov tha javën e kaluar se Sofja nuk mund të përballojë blerjen e pajisjeve të nevojshme.
"Aktualisht jemi në bisedime me Komisionin Evropian (KE) për financime të BE-së për blerjen e më shumë pajisjeve," tha ai për gazetarët në qytetin jugperëndimor të Blagoevgradit më 28 gusht. "Dihet se pajisjet zjarrfikëse në vend janë ndër më të vjetrat – ka automjete më shumë se 50 vjeçare. Ministria e brendshme nuk ka asnjë fonde për të zëvendësuar pajisjet e për këtë arsye mbështetemi në financimet e BE-së."
Ai vuri në dukje gjithashtu se BE e ka përdorur ndihmën e BE-së për të blerë 42 automjete të reja zjarrfikëse, të cilat do të shpërndahen mes shërbimeve në vend më 14 shtator.
Zyra e shtypit e ministrisë tha për SETimes se automjetet e reja do të shkojnë në shtatë qarqet më të mëdha të vendit ballkanik, duke përfshirë Sofjen.
"Çdo makinë e re është e mirëpritur, por ato 42 përbëjnë vetëm 5 përqind të nevojave tona," komentoi Elenkovi. "Ju vendosni nëse kjo do të na e lehtësojë punën tonë."
Javën e kaluar, qyteti jugor i Smoljanit e katër qytete fqinje morën secili nga një zjarrfikëse për lëvizje në terrene të vështira.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes