30/08/2012
Akuzimi i Presidentit Trajan Bashesku la një njollë në imazhin e vendit, thonë analistët.
Nga Paul Kiokoiu për Southeast European Times në Bukuresht -- 30/08/12
![]() Presidenti rumun Trajan Bashesku u kthye në zyrën e tij të martën (28 gusht). [Reuters] |
Kthimi i Presidentit Trajan Basesku në zyrë të martën (28) pas një pezullimi dy-mujor të ideuar nga Kryeministri Viktor Ponta i jep qeverisë së Rumanisë një mundësi që të përqëndrohet në detyrat urgjente me të cilat përballet -- një ekonomi të brishtë, hyrjen në Shengen e shtetin e së drejtës.
Shpërqendrimi i shkaktuar nga akuzimi i Basheskut e debati i gjatë mbi vlefshmërinë e referendumit kombëtar, kërcënuan devijimin e kombit nga reformat demokratike e ekonomike.
"Rumania tashmë konsiderohej si një vend i brishtë nga investitorët e huaj. Kjo krizë politike u ka treguar atyre se frika që kanë pasur nuk ishte e pabazuar e vërtetoi se Rumania është një vend i vështirë," tha për SETimes Aurelian Doçia, një ekspert i Qendrës Rumune për Politika Ekonomike.
Pasojat janë edhe më të rënda sepse kapitali i huaj i futur në ekonominë rumune ishte tashmë në rënie, tha Doçia.
"Që nga 2009-ta … paratë e huaja janë pakësuar, nga rekordi i 2007-tës prej 9.7 miliardë euro në disa qindra milionë euro që presim këtë vit," tha ai.
Pasoja e parë e trazirës politike ishte një rekord i ulët i monedhës vendase kundrejt euros, që preku shumë rumunë. "Rreth 60 përqind e huave të bankave janë në euro. Së dyti, zhvlerësimi i monedhës vendase pasqyron gjithashtu një rritje në çmime," tha Doçia.
Mes krizës në thellim, Guvernatori i Bankës Kombëtare Mugur Isaresku paralajmëroi se Rumania varet nga tregjet ndërkombëtare, të cilat "do të na penalizojnë në mënyrë rrënjësore."
Një paralajmërim i ngjashëm erdhi nga kreu i delegacionit të FMN-së, Erik de Vrijer, i cili theksoi se kriza politike mund të përkeqësojë përparimin ekonomik të kryer gjatë viteve të fundit, falë masave shtrënguese. Në të njëjtin kuadër, parashikimi për rritjen ekonomike të këtij viti u ul nga 1.5 përqind në 1 përqind në gusht.
"Besimi i investitorëve të huaj fitohet me kalimin e kohës. Kjo normalisht kërkon shtatë deri në tetë vjet. Kjo krizë ka bërë që të humbasë një pjesë e besimit të tyre," tha Doçia.
Komentet e Doçias u konfirmuan nga investitorë të huaj.
"Në një kohë kur duhen bërë përpjekje drejt lehtësimit të rritjes ekonomike e investimeve të huaja, pasiguritë e shpresat e papërcaktuara në skenën politike mund të kenë saktësisht pasojën e kundërt, duke kërcënuar nivelin e konkurrueshmërisë së vendit e treguesit përkatës të paraqitjes," tha Dhoma Amerikane e Tregtisë në Rumani në një deklaratë të dhënë për SETimes.
Kriza ka vonuar gjithashtu shpresat e Rumanisë për t'u bashkuar me hapësirën pa kufij të Shengenit. Bukureshti, së bashku me Sofjen, shpresonin për një hyrje të pjesshme këtë vjeshtë. Hapja e kufijve për Rumaninë e Bullgarinë tani përjashtohet, paralajmëroi në korrik Hans-Peter Friedrik, ministri i brendshëm gjerman.
"Me përpjekjet e vendit për t'u bashkuar me zonën Shengen, duhet të shohim gjithashtu edhe gjendjen e shtetit të së drejtës," shpjegoi ai.
"Më e mira që mund të bëjmë për momentin është një program i ri hyrje," tha për SETimes Kristian Diakonesku, ish-ministër rumun i punëve të jashtme. "Do të duhen tre deri në pesë vjet për të rregulluar këto probleme që kanë ndikuar në imazhin e vendit sepse kemi treguar se këto janë brishtësi të sistemit."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes