10/07/2012
BE e ka mbështetur Kosovën me rreth 3 miliardë euro që më 1999.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 10/07/12
![]() Një kontroll i jashtëm i fondeve të BE-së në Kosovë është në vazhdim. [Laura Hasani/SETimes] |
Gjykata Evropiane e Kontrollorëve (ECA) po kontrollon administrimin e fondeve të taksapaguesve të BE-së të caktuara për Kosovën nga 2007 deri më 2011, duke përfshirë buxhetin e misionit më të shtrenjtë evropian, EULEX-it. Misioni ka një buxhet prej rreth 150 milionë euro në vit, sipas Europolitics.
Gjykata u krijua më 1975, duke kryer kontrollin e financave të BE-së si një kontrollues i jashtëm që "vepron si një roje i pavarur i interesave financiare të shtetasve të Bashkimit."
"Ky kontroll, si të gjithë kontrollet e tjera të ECA-së, është në përputhje me misionin tonë për të kontrolluar shpenzimet e bëra nëpërmjet buxhetit të BE-së. Kontrolli ... nisi në verën e 2011-tës e ka të ngjarë të botohet në fillim të 2013-tës," tha për SETimes Aidas Palubinskas, zyrtare e komunikimeve të gjykatës.
Zyra e BE-së në Kosovë thotë se kontrolli duhet të pritet të japë sasinë e parave të BE-së të shpenzuara në Kosovë.
"BE e ka mbështetur Kosovën me rreth 3 miliardë euro që më 1999, duke përfshirë strukturat e UNMIK-it, EULEX-it e ICO-së. Ndihma financiare e BE-së për Kosovën ka qenë temë e kontrollit financiar normal të BE-së e procedurave të kontrollit," tha për SETimes Fjolla Çeku, zyrtare e informacionit e komunikacionit në zyrën e BE-së në Kosovë.
E përditëshmja e Kosovës Koha Ditore njoftoi hollësi të kontrollit të mërkurën (4 korrik) duke pohuar se PE po i kërkon EULEX-it të jetë më i përkushtuar në hetimin se çfarë ndodhi me milionat e eurove të dhuruara për aeroportin e Prishtinës e KEK, ndërmarrjen energjitike të Kosovës.
Radio Kosova citoi Xhejms Daç, zëdhënës i PE-së, të thotë se ekziston një raport mbi këto dy raste e të tjera, që daton që nga koha kur Kosova drejtohej nga UNMIK, që nuk janë sqaruar ende financiarisht.
Koha Ditore njoftoi se zyrtarët e PE-së biseduan për të paktën 27 raste korrupsioni që nuk janë hetuar, nga të cilët janë 12 raste korrupsioni të rëndë, duke përfshirë miliona euro të keqpërdorura.
Avni Zogiani, kreu i Çohu, organizata kundër korrupsionit e Kosovës, tha se një pjesë e mirë e fondeve të BE-së përfunduan në sektorin e energjisë.
"Zbuluam se dhjetra milion euro u janë dhënë disa ndërmarrjeve që kanë lidhje me politikën. Ishte një kohë kur këto ndërmarrje i shisnin KEK-ut skrap të ricikluar si pajisje të reja. Pajisjet punonin për disa ditë ose nuk punonin fare," tha Zogiani për SETimes.
Ai tha se edhe pse këto ndërmarrje nuk respektuan kontratat, ato vazhduan të marrin tendera në sektorin e energjisë.
"Mendoj se populli i Kosovës duhet të dijë se çfarë është harxhuar për ndihmë në sektorë të ndryshëm për hatër të tij. Do të ishte mirë të ketë një hetim serioz mbi fondet," tha Zogiani.
Shumica e kontrolleve të ECA-së rezultojnë në raporte të posaçme e dërgohen në PE, që pastaj i përdor për një procedurë shlyerje buxhetore.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes