05/07/2012
Mbyllja e Zyrës Civile Ndërkombëtare mund të nxisë bisedime mbi veriun e Kosovës.
Nga Muhamet Brajshori e Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Prishtinë e Beograd -- 05/07/12
![]() Përfaqësuesit e 25 vendeve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën do t'i japin fund mbikqyrjes së vendit në shtator. [Laura Hasani/SETimes] |
Një vendim nga Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën për të mbyllur Zyrën Civile Ndërkombëtare (ICO) në shtator e sjell vendin më pranë qëllimit të tij për anëtarësimin në NATO e BE.
Po kjo ka shqetësuar partitë opozitare se Prishtina do të shkojë drejt dialogut me Beogradin për një zgjidhje politike për veriun e vendit, gjë që nuk do të jetë në përputhje me propozimin e Ahtisaarit.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, duke folur pas takimit të grupit drejtues të hënën (2 korrik), tha se Kosova do të vazhdojë të respektojë marrëveshjet e propozimit.
"Do të dëshiroja gjithashtu të përsërisja vendosmërinë tonë për të rritur përfshirjen tonë në lidhje me të gjitha komunitetet në Kosovë e veçanërisht ndaj serbëve që jetojnë në veri të vendit që meritojnë të kenë të gjitha të drejtat e përcaktuara nga Plani i Ahtisaarit e të gjitha ligjet e kushtetuta e Kosovës," tha Thaçi.
Glauk Konjufca, një anëtar i parlamentit i Vetëvendosjes, tha për SETimes se procesi i mbikqyrjes është pakësuar lidhur me mbylljen e ICO-së, por nuk ka përfunduar.
"Por lidhur me mekanizmat ndërkombëtare të pranishme në Kosovë, mbikqyrja e kontrolli janë të dukshme. Kemi EULEX-in si një organizatë ndërkombëtare me pushtet të qartë ekzekutiv mbi institucionet e Kosovës në fushën e sigurisë, policisë e gjyqësorit. Por nga pikëpamja jo-zyrtare, kemi ndikimin vendimtar të zyrave të jashtme e ambasadave," tha Konjufca.
Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës së Ballkanit, tha se përfundimi i mbikqyrjes është një shenjë e mirë.
"Ky është një zhvillim pozitiv, që ka për qëllim të tregojë se Kosova ka bërë përparim në zbatimin e dispozitave të kompromisit të Ahtisaarit. Kosova ka treguar se është e gatshme të zbatojë detyrimet ndërkombëtare të saj për një kohë të gjatë, kështu që përgjigjia është po, Kosova është gati të jetë një vend sovran pa mbikqyrje ndërkombëtare," tha Bytyçi. Konjufca thotë se përfundimi i mbikqyrjes është përgatitja për bisedime lidhur me Kosovën e veriut.
"Nëse qeveria fillon bisedime ku tema do të jetë veriu, Kosova ka të ngjarë të krijojë një njësi territoriale autonome të kontrolluar nga Beogradi. Ky do të jetë fundi i funksionimit të shtetit të Kosovës," tha ai.
Vendimi u prit me maturi në Serbi.
Oliver Ivanoviç, sekretar i shtetit në Ministrinë për Kosovën, tha për SETimes se vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar ishte mbështetur në një vlerësim të pabazë. Gjendja reale është shumë më e vështirë e Kosova mundet madje të përballet me trazira shoqërore. "Mendoj se kjo është gjithashtu një përpjekje elegante për t'u tërhequr nga problemi," tha Ivanoviçi.
Predrag Simiç, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike të Beogradit, tha se vendimi për t'i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur mund të jetë i dëmshëm për Serbinë, pasi vjen në një kohë kur shteti nuk ka qeveri.
"Nëse Prishtina e përdor vendimin për të futur institucionet e saj në veri, kjo do të mund të destabilizojë gjendjen e nuk është askush në Beograd që t'i përgjigjet asaj për momentin," tha Simiçi për SETimes.
Ai shtoi se vendimi nuk do të ndihmojë Kosovën që të arrijë sovranitet të plotë, veçanërisht në veri, ku serbët përbëjnë shumicën.
"Çështjet e marrëdhënieve me Beogradin, njohjen e mëtejshme të Kosovës e KFOR-in dhe EULEX-in mbeten të hapura. Ka ende mjaft pasiguri. Dhe këto çështje të hapura nuk kontribuojnë në stabilizimin tani, përkundrazi," tha Simiçi.
Serbët në Kosovën e veriut e mirëpritën largimin e ICO-së.
"Për sa na takon ne, Zyra Civile Ndërkombëtare nuk kishte asnjë ligjshmëri e jemi të kënaqur që po ikin, sepse shqiptarët do të kuptojnë se shteti i tyre ishte virtual e se duhet të fillojnë bisedime të ndershme me qeverinë serbe me qëllim që të gjejnë një zgjidhje për statusin e Kosovës," tha për agjencinë e lajmeve Beta të Beogradit, Kryebashkiaku i Mitrovicës Kërstimir Pantiç.
Hajdin Alshiqi, 54 vjeç, nga Prishtina tha se ndonse nuk e mbështet propozimin e Ahtisaarit, vendimi është një shenjë pozitive për Kosovën.
"Do të kemi të ardhmen tonë në duart tona, por sesa udhëheqja jonë është gati t'a bëjë atë mbetet një shqetësim për mua, me politikanët e korruptuar në qeveri e opozitë, nuk ke shpresa pozitive," tha ai.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes