03/07/2012
Me presidencën e BE-së të drejtuar nga qipriotët grekë, shumë kanë frikë se tensionet e reja me Ankaranë do të dëmtojnë më tej procesin tashmë me probleme të Turqisë me BE-në.
Nga Ajhan Simsek për Southeast European Times -- 03/07/12
![]() Protestues qipriotë turq u veshën si fantazma për të treguar zemërimin e tyre për mospërfaqësimin në presidencën e Qipros në Këshillin e Evropës. [Reuters] |
Në një zhvillim të pritur prej kohësh, Qiproja greke mori drejtimin e presidencës së BE-së të dielën (1 qershor), duke rrezikuar një krizë më të thellë mes Turqisë dhe BE-së gjatë gjysmës së dytë të këtij viti.
Prej muajsh, Turqia nuk ka qenë në gjendje të bëjë progres të dukshëm në bisedimet e saj të anëtarësisë me BE-në. Nga 35 kapituj të negociatave, 14 mbeten të bllokuar për shkak të problemit të Qipros. Turqia ka paralajmëruar në fund të vitit të kaluar se do të ngrinte çdo marrëdhënie me BE-në nëse qipriotëve grekë u jepej presidenca e BE-së përpara se të arrihej një marrëveshje për ishullin e ndarë.
Por që nga ajo kohë Ankaraja e ka zbutur tonin, duke sinjalizuar se do ta kufizojë bojkotin vetëm për presidencën, takimet e drejtuara nga qipriotët grekë dhe mbledhjet e BE-së të organizuara në anën greke të ishullit.
"Reagimi i Turqisë ndaj presidencës qipriote greke ka qenë i fortë. Por në të njëjtën kohë, ana turke u distancua nga ngrirja e të gjitha marrëdhënieve me institucionet evropiane", tha për SETimes Erhan Ercin, drejtor i Qendrës së Koordinimit me BE-në në Republikën Turke të Qipros së Veriut.
"Kjo është një përgjigje e matur, që reflekton një përqasje të balancuar. Ne si qipriotë turq mbështesim bojkotin e Turqisë", tha ai.
Ankaraja hedh poshtë pretendimin Qipros greke për të qenë shteti i vetëm sovran i ishullit dhe njeh vetëm shtetin e shkëputur prej saj të Republikës Turke të Qipros së Veriut.
Përpjekja e fundit e madhe ndërkombëtare për të ribashkuar ishullin, i ashtuquajturi Plani Anan, dështoi në vitin 2004. Në një referendum 65% e qipriotëve turq thanë "po" për planin e mbështetur nga OKB-ja, ndërsa 76% e qipriotëve grekë votuan kundër planit që ata kishin ndihmuar të hartonin. Republika e Qipros e drejtuar nga qipriotët grekë u bë anëtare e BE-së në maj të vitit 2004, megjithë mungesën e një marrëveshjeje.
Turqia dhe qipriotët turq argumentojnë se nuk ka nxitje për qipriotët grekë që të bëjnë kompromis mbi një zgjidhje për ishullin e ndarë tani që gjysma greke shijon anëtarësimin në BE. Me bojkotin e saj të presidencës së BE-së të drejtuar nga Qiproja, Turqia synon të shtojë presionin mbi shtetet anëtare të BE-së për të përdorur influencën e tyre mbi qipriotët grekë.
Së fundmi, një artikull i përbashkët nga 16 ministra të jashtëm evropianë tregoi se vendet evropiane dëshirojnë të kufizojnë dëmin e shkaktuar nga problemi i Qipros dhe mundohen të ripërtërijnë procesin e Turqisë me BE-në.
"Ndërkohë që BE-ja përballet me sfida ekonomike dhe destabilizim të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, marrëdhënia me Turqinë ka më shumë rëndësi se asnjëherë tjetër" thuhej në artikullin e publikuar javën e kaluar në euobserver.
Shumë vëzhgues vërejnë se kontakti i ngushtë i Turqisë me shefen e politikës së jashtme të BE-së Kethrin Eshton mbi çështjet e rëndësishme -- duke përfshirë krizën bërthamore të Iranit dhe situatën në Siri -- do të vazhdojë, pavarësisht bojkotit nga Ankaraja për presidencën e Bashkimit.
Ekspertët thanë se për shkak të ndryshimeve të fundit në strukturën politike dhe vendimmarrëse të BE-së të prezantuar nga Traktati i Lisbonës, roli i presidencës së BE-së është ulur në mënyrë të konsiderueshme.
"Presidenca e BE-së nga Qiproja mund të ketë një rol prej 10% në ndikimin e marrëdhënieve mes BE-së dhe Turqisë, por jo më shumë se kaq", tha Bahadir Kaleagasi, koordinator ndërkombëtar i Shoqatës së Biznesmenëve dhe Industrialistëve Turq (TUSIAD), e cila ka ndikim të madh.
Sipas Kaleagasi, ajo që Turqia duhet të bëjë është të fokusohet më tej në reformat për të kapërcyer bllokimin e Qipros dhe të ripërtërijë kërkesën e saj në BE.
"Turqia nuk duhet të harxhojë kohë duke u përqendruar në diskutime të tilla si presidenca e Qipros, apo deklaratave populiste nga disa politikanë evropianë kundër anëtarësimit të Turqisë në BE", tha ai për SETimes.
"Në vend të kësaj, Turqia duhet të përqendrohet në punën e saj. Në lidhje me këtë, mundësia për të hartuar kushtetutën e parë të Turqisë të shkruar nga civilët, mund të sjellë një rrugëdalje për vendin", tha ai.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes