02/07/2012
Në një lëvizje unike, Hungaria jo-fqinje do të menaxhojë hapësirën ajrore të sipërme të Kosovës, e cila do të nënkuptojë fluturime më të shkurtra.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 30/06/12
![]() Masa pritet të ndikojnë potencialisht miliona udhëtarë me avion. [Reuters] |
NATO ka zgjedhur Hungarinë për të rihapur hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës ndaj trafikut ndërkombëtar, duke filluar me vjeshtën e vitit 2013, duke konsideruar se të gjitha kushtet janë plotësuar. Hapësira e sipërme ajrore është zona 9600 metra mbi nivelin e detit, dhe rihapja e saj për trafikun civil do të shkurtojë rrugën ajrore, do të ulë shpenzimet e karburantit dhe do të reduktojë emetimet. Shërbimet e navigimit ajror në hapësirën e poshtme ajrore ofrohen nga kontrolli i trafikut ajror të Kosovës.
Dritan Gjonbalaj, drejtor i përgjithshëm i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, tha për SETimes se "Ky ka qenë një proces i gjatë, me shumë kujdes i udhëhequr nga NATO, dhe kërkohet një vendim konsensual i të gjitha shteteve anëtare të NATO-s. Hungaria, si një mik i Republikës së Kosovës dhe një anëtar i NATO-s dhe BE-së, është një partner me të cilin ne do të bashkëpunojnë në ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe efikase në hapësirën tonë ajrore të sipërme".
Këtë punë do ta kryejë agjencia hungareze e kontrollit të trafikut ajror HungaroControl. Menaxheri i saj i përgjithshëm, Kornel Szepessy, u ka thënë mediave se kompania do të ketë 40 deri në 50 kontrollorë të fluturimit që do të drejtojnë 400 deri në 500 avionë që fluturojnë hapësirën ajrore të Kosovës çdo ditë. Sipas raporteve të mediave hungareze, HungaroControl do të ushtrojë kontroll për tre deri në pesë vjet, por Gjonbalaj tha se Këshilli i NATO-s nuk e ka përcaktuar kohëzgjatjen.
Agron Demi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Studime të Avancuara (GAP), tha për SETimes se NATO u kërkoi vendeve anëtare në dhjetor për të aplikuar për kontrollin e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës. "Problemi i parë që doli ishte ... se si të gjendej një shtet që është i afërt me Kosovën nga territori dhe që ka mundësi teknike për të bërë një kontroll efektiv. Zgjidhja më e mirë ishte Hungaria".
Normalizimi i hapësirës ajrore të Ballkanit, me një theks të veçantë në hapjen e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës, është trajtuar nga viti 2003 në një forum të veçantë, Takimi i Normalizimit të Hapësirës Ajrore të Ballkanit, i udhëhequr nga NATO. Qëllimi ka qenë që të gjejnë një zgjidhje të përkohshme, e cila do të jetë teknikisht, praktikisht dhe politikisht e përshtatshme si autoritetet e Kosovës ashtu edhe të vendeve anëtare të NATO, tha Gjonbalaj.
Ai tha për Financial Times se disa prej shërbimeve do të blihen nga ofruesi lokal i shërbimeve Navigation Air, që do të thotë se Kosova do të marrë disa të ardhura. Vendi do të investojë në menaxhimin e hapësirës të tij ajrore që të jetë në gjendje të marrë përsipër kontrollin e trafikut ajror kur t'i vijë koha.
GAP ka shpjeguar se aktualisht, në vend të një rruge direkte përmes ish-Jugosllavisë, një fluturim nga Vjena për në Prishtinë kërkon që të udhëtojnë përmes Hungarisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, para se të hyjnë në Kosovë nga jugu. "Fluturimi është 30 minuta më i gjatë, më i shtrenjtë dhe më ndotës," tha ai.
Para vitit 1990, Kosova ka qenë pjesë e dy korridoreve të rëndësishme të fluturimit që përfshijnë më shumë se 400 fluturime në ditë. Sipas Marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999 mes NATO-s dhe ish-Jugosllavisë, KFOR kontrollon dhe koordinon përdorimin e hapësirës ajrore dhe një Zonë të krijuar të Sigurisë Ajrore. Trafiku ajror drejt ose nga Prishtina duhet të hyjë ose të dalë nga hapësira ajrore e Kosovës nga jugu, përmes Shkupit.
Kosova nuk do të jetë unike në rajon për të pasur një kompani të huaj që do të kontrollojë hapësirën e saj të sipërme ajrore. Hapësira ajrore e sipërme e Malit të Zi është e kontrolluar nga Beogradi, hapësira e Bosnjës-Hercegovinës është e kontrolluar nga dy ofrues të shërbimit: një në Kroaci kontrollon BiH perëndimore, ndërsa një në Serbi kontrollon lindjen.
"Arsyet për ofrimin e shërbimeve ndërkufitare të navigacionit ajror janë të ndryshme: mbi të gjitha, për të optimizuar operacionet dhe për të rritur efikasitetin e fluksit të trafikut ajror Në disa raste, ka edhe elementë politikë dhe ekonomikë që çojnë në ofrimin e shërbimeve nga një operator i një shteti tjetër ", shpjegoi Gjonbalaj.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes