29/06/2012
Festa serbe e Vidovdanit u shënua në Kosovë nga incidente të shumta mes serbëve e shqiptarëve dhe autoritetet serbe thanë se pati një sulm ndaj një pike kontrolli policore në komunën e Bujanovcit.
Nga Igor Jovanoviç e Linda Karadaku për Southeast European Times në Beograd e Prishtinë -- 29/06/12
![]() Policia e Kosovës arreston një serb gjatë një festimi përkujtimor të përvjetorit të Betejës së Kosovës më 1389 në Gazimestan, pranë Prishtinës, të enjten (28 qershor). [Reuters] |
Konfrontimet e dhunshme që plagosën dhjetra oficerë të policisë e shtetas në festën serbe të Vidovanit janë një sprapsje tjetër ndaj qëllimit të bashkë-jetesës paqësore, thanë analistët.
Serbët e shqiptarët e Kosovës nuk janë dakort mbi atë se kush e nisi dhunën, që përfshiu të shtëna me armë, gurë e përzierje Molotovi gjatë përleshjeve në Dobrosin, Merdarë, Graçanicë e Prishtinë të enjten (28 qershor).
Ivica Daçiç, kryeministri i ngarkuar i Serbisë, u bëri thirrje misioneve ndërkombëtare në Kosovë që të mbrojnë serbët e të sigurojnë kufirin, pasi Serbia nuk ka forcat e saj të sigurisë në Kosovë.
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga dënoi ajo që e quajti një sulm ndaj policisë së Kosovës nga huliganët e futbollit. "Përpjekjet e këtyre grupeve të huliganëve për të hyrë në territorin e Republikës së Kosovës përmes dhunës do të ndalen sepse janë shkelje të rënda të shtetit të së drejtës e përshkallëzojnë gjendjen e sigurisë në Kosovë," tha ajo në një deklaratë.
Dhuna nisi rreth orës 4 të mëngjesit kur një grup prej 70-80 serbësh hynë në Kosovë për të festuar Vidovdanin, festën ortodokse serbe që shënon Betejën e Kosovës që Serbia bëri kundër Perandorisë Otomane më 1389.
Policia e Kosovës tha se grupi -- tifozë të klubit të futbollit Partizani të Beogradit -- ishte nisur për në Prishtinë, por ishin "shumë agresivë e të dehur." Policia i ktheu ata pas nëpërmjet Merdares, ku dyshohet se u përleshën me policinë e Kosovës e filluan të hedhin gurë.
Kosova pretendon se 35 oficerë të policisë u plagosën; Serbia thotë se u plagosën 20 serbë, duke përfshirë tre që u dërguan në spital me plagë armësh zjarri.
Serbia po heton gjithashtu një njoftim të sulmuesve të paidentifikuar që qëlluan ndaj një pike kontrolli të policisë serbe në jug të vendit, duke plagosur një polic. Incidenti ndodhi pranë fshatin Dobroshin, që më 2000 e 2001 ishte baza e Ushtrisë Shqiptare të Çlirimit të Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit, që luftoi me forcat serbe të sigurisë.
Mirjana Ristiç e Gjykatës më të Lartë në Vranjë, që hetoi skenën, tha për mediat e Beogradit se sulmuesit kishin hapur zjarr ndaj policisë nga një drejtim i fshatit Stublina të Kosovës. Ajo tha se të shtënat ishin qëlluar në një largësi prej 150 metra e se ishin përdorur disa armë, që do të thotë se kanë qenë disa sulmues. Një polic pësoi plagë të lehta.
Goran Bogdanoviç, ministri i Serbisë për Kosovën, tha për SETimes se policia e Kosovës duhet të hetojë shpejtë incidentin në Merdarë, për shkak të pasojave të rënda të përleshjes.
"Kthimi i njerëzve nga kalimi i Merdarës e sulmi ndaj serbëve nuk dërgoi një mesazh pozitiv as për popullin serb në Kosovë e Metohi ose për të gjithë ata që kishin ardhur në Kosovë nga pjesë të ndryshme," tha ministri.
Incidentet vazhduan gjatë kthimit të serbëve. Në Prishtinë, katër përzierje Molotovi e një perde gurësh u hodhën ndaj dy autobuzëve që transportonin serbë.
Anëtarja e Parlamentit e Kosovës Rada Trajkoviç, drejtore e Qendrës Shëndetësore të Graçanicës, tha se kishte patur fëmijë në autobuza e se 16 prej tyre ishin plagosur, dy prej tyre rëndë.
KFOR dënoi sulmet ndaj autobuzëve e tha se "mirëpret vendosmërinë e institucioneve përgjegjëse për të kryer një hetim tërësor në këtë sulm të dënueshëm."
"Ky veprim i turpshëm është në kundërshtim me integritetin e mbajtjes së një mjedisi të qetë e të sigurtë për të gjithë njerëzit në Kosovë," tha KFOR në deklaratën e tij.
Jan Bankroft, themelues i TransConflict, një organizatë që merret me zgjidhjen e konflikteve në Ballkan, tha se incidentet tregojnë shtrirjen e tensioneve nën sipërfaqe që vazhdojnë mes serbëve e shqiptarëve në Kosovë, tensione që ofrojnë një sfond turbullues për bisedimet e ardhshme.
"Pavarësisht nga nxitja e shumë kulturave, duket se çdo pohim i identitetit serb, veçanërisht në një ditë të tillë si Vidovdani, paralajmëron keq për kompromise mbi, për shembull, manastiret ortodokse," tha ai.
Analisti nga Kosova Ramadan Iliazi, bashkë-themelues i Lëvizjes Fol, ia vuri fajin Serbisë.
"Këto zhvillime politike në Serbi vunë në rrezik të rëndë procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Daçiçi do të krijojë dilema të reja të sigurisë në Ballkan që do të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në stabilitetin e rajonit," tha Iliazi për SETimes.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes