26/06/2012
Gjatë takimit në Beograd këtë muaj, personeli mjekësor nga ushtri të ndryshme u mblodh dhe ra dakort që të luftojë bashkërisht pasojat e fatkeqësive natyrore.
Nga Ivana Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 26/06/12
![]() Telemjekësia do të lejojë specialistë mjekësorë nga ushtri të ndryshme që të kontribuojnë në rastet. [Reuters] |
Kongresi vjetor i këtij viti i Komitetit të Mjekësisë Ushtarake të Ballkanit (BMMC) këtë muaj përfundoi me një marrëveshje për të ngritur një Forcë të Posatçme të Përbashkët Mjekësore të Ballkanit.
Kryetari i kongresit, Koloneli Zoran Popoviç i Serbisë shpjegoi se forca do të aktivizohet në rast të fatkeqësive masive. Faza 1 pritet të zhvillohet deri më 2015, me forcën e posatçme plotësisht funksionale deri më 2017.
Presidenti i Komitetit, Koloneli Gjoko Maksiç, gjithashtu nga Serbia, tha për SETimes se projekti do të krijojë ekipe të përbashkëta mjekësore "për të vepruar në gjendje të emergjencës, fatkeqësi natyrore e të tjera."
Dy marrëveshje të tjera të arritura gjatë kongresit përfshijnë "shkëmbimin e ekspertëve [e] mundësinë e ndërveprueshmërisë më të mirë të shërbimeve mjekësore ushtarake nëpërmjet telemjekësisë," vuri në dukje Popoviçi.
Ai e përshkroi telemjekësinë si një novacion mes vendeve në rajon që do të përmirësojë njohuritë e cilësinë e trajtimit. Ajo do të bëjë të mundur që mjekët të shkëmbejnë imazhe e procedura diagnostikimi në një kohë shumë të shkurtër kohe e të marrin opinionin e kolegëve nga i gjithë Ballkani.
"Jam i sigurtë se shkëmbimi i mjekëve e teknikëve mjekësorë, në varësi të programeve të trainimit të ofruara nga shërbimet ushtarake në rajon, do të jenë veprimtari shumë intensive pasi të gjithëve na janë ofruar programe arsimore e të gjitha janë të cilësisë së lartë. Një segment i veçantë e shumë i rëndësishëm i bashkëpunimit në këtë fushë është shkëmbimi i kadetëve [nga] Universiteti Mjekësor Ushtarak," tha ai.
Në tërësi, 200 ekspertë mjekësorë nga ushtritë e vendeve anëtare -- Turqia, Greqia, Bullgaria, Rumania e Serbia -- ndoqën këtë konferencë të 17-të. Shqipëria mungonte, duke përmendur vështirësitë financiare. Mali i Zi ishte atje, megjithatë, me statusin e vëzhguesit.
Qëllimi këtë vit, si çdo vit, ishte të shkëmbehet njohuri e përvojë, duke veçuar idetë më të mira për të përmirësuar sigurinë e përgjithshme të rajonit.
Një nga themeluesit e komitetit, Koloneli bullgar Evgenij Belokonski Iliev, tha se përfitimet e këtyre projekteve të përbashkëta shkojnë përtej fushës së mjekësisë ushtarake e në marrëdhëniet e përgjithshme mes vendeve.
"Miqësia e mbështetja e ndërsjelltë janë përfitimet më të mëdha ... sepse miqtë do të ndihmojnë kurdoherë më mirë e më shpejt se të tjerët," tha për SETimes Belokonski Iliev.
Pritësja e këtij viti, Serbia, është i vetmi vend jo-anëtar i NATO-s. Ajo është në rrugën e anëtarësimit, megjithatë, duke marë pjesë në programin e Partneritetit për Paqe.
Aleanca përfaqësohej në kongres nga Gjenerali Rob van der Mer i Hollandës. "Kjo konferencë kontribuon në bashkëpunimin rajonal në mjekësinë ushtarake, si lidhur me shkencën e shkëmbimin e informacionit, ashtu edhe në bashkëpunimin operacional," tha ai për SETimes.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes