22/06/2012
Antonis Samaras vë në punë qeverinë e tij me mbizotërim teknokrat në krizën ekonomike ndërsa merret me politikën.
Nga Andi Dabilis për Southeast European Times në Athinë -- 22/06/12
![]() Kryeministri i sapoemëruar grek Antonis Samaras mbërrin për takimin e parë të qeverisë së tij në parlament në Athinë, të enjten (21 qershor). [Reuters] |
Ndërsa ecte i lodhur në shtëpi në muzg, fundi i ditës së gjatë të punës si një agjent sigurimi, Jorgo Piklivas -- ndryshe nga shumë grekë të tjerë -- tha se nuk u shqetësua se kush i fitoi zgjedhjet e rëndësishme javën e shkuar. Ai tha se dyshonte se koalicioni i ri në pushtet që u betua të enjten (21 qershor) do të ishte ndryshe nga të tjerët.
"Nuk kemi nevojë për politikanë për të patur një jetë të lumtur," tha për SETimes Piklivas, 38 vjeç. "Presim që të mos vjedhin paratë."
Kryeministri i ri Antonis Samaras, një ekonomist 61 vjeçar me arsimim amerikan, përballet me këtë lloj mosbesimi pas zgjedhjeve të copëtuara që partia e tij i fitoi, por pa vota të mjaftueshme për të formuar një qeveri, që e detyroi atë të fusë brenda kundërshtarët ideologjikë të tij, Socialistët e PASOK-ut e Të Majtën Demokratike të vogël.
"Kam shumicën për të formuar një qeveri afat-gjatë stabiliteti e shprese," tha Samarasi pasi u betua. Shifrat duken kundër tij: një recesion me papunësi 22.6%, 1,000 biznese që mbyllen në javë, ekonomia e tkurrur deri në 6.5% e të ardhurat nga taksat të prapambetura për shkak se masat shtrënguese i kanë bërë grekët që të ruajnë ato pak para që u kanë mbetur thellë në xhepat e tyre.
Tashmë i ndjekur nga i përfunduari i fuqishëm në vendin e dytë -- Koalicioni i së Majtës Radikale (STRIZA) kundër masave shtrënguese, i udhëhequr nga 37 vjeçari Aleksis Tsipras -- dhe me dyshime nëse mund të ridiskutojë për shkurtimet e pagave, rritjen e taksave e uljen e pensioneve që mbështeti, Samarasi krijoi një qeveri teknokratësh, duke përfshirë avokatë e akademikë, bashkë me politikanë. Partnerët e koalicionit të tij, megjithatë, nuk u përfaqësuan përtej dhënies së vendeve të tyre në parlament.
Samarasi vjen në pushtet në mes të krizës më të keqe ekonomike të vendit që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Shumë analistë e grekë janë të pasigurtë se qeveria e tij do të vazhdojë gjatë nëse nuk e bind Trojkën që t'i japë më shumë kohë për të kryer reformat e të shtyjë 11 miliardë euro të tjera në shkurtime.
Me Trojkën që i kërkon Samarasit të pushojë 150,000 punonjës publikë -- një elektorat bazë i PASOK-ut -- udhëheqësi i ri mund t'a gjejë veten gati për vështirësi përsëri.
"Varet se çfarë masash do të duhet të zbatohen. Nëse janë shumë të ashpra, pres më shumë greva," tha për SETimes Jorgo Tzogopulos, një studjues në Fondacionin Helenik për Politikën e Jashtme e Evropiane (ELIAMEP) në Athinë.
Samarasi do të vendosë mjaft nga besimi i tij në funksionin kryesor të ministrit të financave, që iu dha Presidentit ë Bankës së Greqisë Vasilis Rapanos, që do të jetë fytyra e shpeshtë publike e Greqisë në bisedimet me udhëheqësit evropianë.
"Ai do të ketë atë që nevojitet," tha Platon Tinios, një ndihmës/profesor në Universitetin e Pireut. "Ai i njeh shifrat dhe e di problemin e financave puiblike të Greqisë nga brenda jashtë."
Nikolaos Buzas, një ekonomist i specializuar në papunësinë e shpërndarjen e të ardhurave për Qendrën Kombëtare për Studimin Shoqëror në Athinë, tha për SETimes se Samarasi do të duhet të kapërcejë të njëjtat probleme të vjetra të qeverive duke mos dëshiruar të shkojë pas lopëve të shenjta në Greqi: të pasurit, politikanët e shmangësit e taksave që duhet të paguajnë rreth 60 miliardë euro.
"Nuk ka vullnet politik për të mbledhur taksat nga të pasurit e ndërmarrjet," tha Buzasi. "Njerëzit që kanë detyrimin që të paguajnë më shumë para nuk janë prekur nga sistemi i taksave."
Ai vuri në dukje mbështetjen me gjysmë zemre nga udhëheqësi i së Majtës Demokratike Fotis Kuvelis e udhëheqësi i PASOK-ut Evangelos Venizellos. "Ata dëshirojnë që të jenë në qeveri sepse ndjejnë se kjo është rruga për të mbledhur vota, por ndjejnë se kjo mund të jetë një bumerang," shtoi ai.
Greqia po vëzhgohet nga e gjithë bota me frikë se nëse Samarasi dështon, vendi mundet përsëri të dalë nga zona euro.
"Qeveria e re ka një shans të arsyeshëm. Ata duhet menjëherë të nisin reforma rrënjësore," tha për SETimes Nikolas Ekonomides, një profesor i ekonomisë në Shkollën Stern të Biznesit në Universitetin e Nju Jorkut. "Nëse është i vendosur, do të rivendosë besimin."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes