21/06/2012
Banorët e Krushës së Vogël thanë se hetimi i EULEX-it i vrasjes masive të 1999-tës në fshatin e tyre është "më mirë vonë se kurrë," por dyshojnë se do të shohin drejtësi.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 21/06/12
![]() Masakra e Krushës ishte pjesë e një padie të ngritur kundër ish-Presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq më 2006 ndërsa ishte në gjyq në Hagë. [Laura Hasani/SETimes] |
Bajram Zylfiu, 57 vjeç, një nga gjashtë shqiptarët e Kosovës që i shpëtuan masakrës në fshatin Krushë e Vogël të Kosovës më 26 mars 1999.
"Serbët e fshatit na shpunë të gjithëve në kopësht dhe na morën të gjitha dokumentet, paratë e çdo gjë të çmuar që kishim. Na detyruan të vihemi në rresht e na bënë të futeshim në shtëpinë e Qazim Batushës. Njëri, me një mitraloz, nisi të shtjerë ... 113 të vdekur, vetëm gjashtë nga ne mbetën gjallë nën trupat që binin mbi ne," tha Zylfiu për SETimes.
Gjashtë të shpëtuarit arritën të largohen përpara sesa paraushtarakët të ktheheshin e të digjnin shtëpinë që kishte trupat. Katër ikën e u fshehën në male, duke iu shmangur forcave serbe për pesë javë; dy të tjerët arritën të bashkohen me refugjatët që kalonin në Shqipëri.
Zylfiu humbi shtatë anëtarë të familjes së tij atë ditë.
Javën e kaluar, më 13 qershor, më shumë se 13 vjet pas mizorisë së kryer nga forcat e ish-Presidentit jugosllav Sllobodan Mollosheviç, EULEX njoftoi se ka nisur një hetim në vrasjet masive të Krushës së Vogël.
Një prokuror i EULEX-it nga Prizreni nisi hetimin e krimeve të luftës të kryera në fshat.
"Deri tani, prokuroria ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm që do të përballen me akuza të krimeve të luftës kundër popullsisë civile -- duke përfshirë vrasjen e 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave e popullsisë së mitur nga fshati, grabitjen e shkatërrimin e pronës," tha EULEX.
"Ndihem mirë që nisën hetimin për të zbardhur se çfarë ndodhi. Duhet t'a kishin bërë këtë më parë megjithatë...," tha Zylfiu.
Feim Asllani ishte një nga 113 fshatarët e vrarë në masakër. E veja e tij, Miserete Asllani, tha për SETimes se i kujtohet që e ndanë nga burri dhe e detyruan të kalojë në Shqipëri.
"Pasi u kthyem nga Shqipëria, pamë se serbët kishin shkatërruar gjithëshka," tha Asllani, tani 39 vjeç.
Fshati ka rreth 700 banorë, duke përfshirë 150 jetimë e 83 gra të veja.
Faton Ramadani ishte gjashtë vjeç kur ndodhi masakra dhe e pa babanë e tij për herë të fundit kur trupat serbe ndanë burrat nga gratë e fëmijët atë ditë. I ati i tij, gjyshi e dy kushërinj, u vranë.
"Më kujtohet kur e pashë për herë të fundit, ia bëra me dorë e ecëm drejt një fshati tjetër. Më kujtohet më shumë si një film bardhë e zi, sesa si një histori e vërtetë," tha ai për SETimes.
Rritur nga nëna e tij e ve, Ramadani është tani 19 vjeç duke përfunduar studimet e tij të kolegjit në Prizren. "Eshtë mirë që [EULEX] u zgjua ... më mirë vonë se kurrë," tha ai.
Miserete Asllani është dakort. "Nisja e hetimeve na jep njëfarë shprese. Le të shohim nëse EULEX do të bëjë diçka konkrete. Nuk jemi shumë entusiastë, megjithatë ... shumë vite kanë shkuar pa bërë kurrgjë," tha ajo.
Agron Limani, kreu i Shoqatës së Familjeve të Personave të Humbur në Krushën e Vogël, ka kryesuar familjet që kërkojnë drejtësi. Limani tha për SETimes se EULEX filloi të marë në pyetje njerëzit në fshat më 4 qershor e katër vetë kanë dhënë dëshmi deri tani.
"Për shkak të faktit se viktimat janë nga Koaova, skena e krimit është në Kosovë e autorët e krimeve ishin gjithashtu nga Kosova ... kemi kërkuar që të akuzuarve t'u bëhet gjyqi në Kosovë. Çdo proces ligjor që mund të zhvillohet në Serbi do të ishte i papranueshëm për ne," tha Limani për SETimes.
Ai tha se gjyqet e zhvilluara në Beograd për krimet e kryera në Kosovë nuk i shërbejnë drejtësisë. "Ato i shërbejnë shtetit serb për rehabilituar veten politikisht, por jo për të dënuar krimet e kryera në Kosovë."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes