19/06/2012
Ndryshe nga shumica e Evropës perëndimore ku abuzimi i substancave mes nxënësve ka rënë, përdorimi nga adoleshentët bullgarë i alkoholit e drogës është në rritje.
Nga Tzvetina Borisova për Southeast European Times in Sofia -- 19/06/12
![]() Abuzimi i substancave mes adoleshentëve bullgarë tregon një prirje për rritje. [Reuters] |
Bullgaria vazhdon të kryesojë vendet e Ballkanit e të Evropës në konsumin e alkoholit, cigareve e drogës midis adoleshentëve, sipas një sondazhi të kohëve të fundit nga Projekti i Shkollës Evropiane të Sondazhit mbi Alkoholin e Drogat e Tjera (ESPAD).
Abuzimi i substancave në Bullgari po rritet -- për shkak të përdorimit të amfetaminës e kanabisit dhe në numrin në rritje të vajzave si përdoruese.
Një studim i botuar më 5 qershor tregoi se Sofia renditet e dyta vetëm pas Monakos mes 36 vendeve të studjuar në përdorimin e amfetaminave. Rezultatet tregojnë se 7% e adoleshentëve bullgarë të anketuar njoftojnë një përdorim të tillë. Në krahasim, kjo shifër është 1% në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) e Serbi; 2% në Kroaci, Greqi, Mali i Zi e Rumani; dhe 4% në Qipro.
Disa sugjerojnë se arsyeja pas rritjes së drogës është çmimi i ulët i saj krahasuar me substanca të tjera të paligjshme.
"Më 2001 e 2002, kur një dozë kushtonte rreth 0.50 cent euro, amfetaminat kushtonin 15 euro për 1 gram. Tani, dhjetë vjet më pas, një gram marihuanë kushton 15 euro, ndërsa çmimi i amfetaminave [është] 17.5 euro," tha IH nga Sofja, që nuk pranoi të tregonte emrin e tij për arsye sigurie.
"Një gram amfetaminë është e mjaftueshme për të sjellë në qejf katër ose pesë vetë. Përveç kësaj, kur merr amfitaminë mund të pish mjaft pa u dehur," tha ai.
Pirja e rëndë mes nxënësve bullgarë është shumë mbi normën mesatare në Evropë. Studimi tregon se më shumë se 39% e 16-vjeçarëve kanë konsumuar më shumë se tre pije në një rast në 30 ditët e fundit.
"Vëzhgimet tona sugjerojnë se 5% e 300,000 nxënësve në Bullgari dehen së paku tre herë në javë, që është tejet shqetësuese. Po flasim për nxënës të moshave 15 deri 19 vjeç," tha Momçill Vasilev, drejtor i Qendrës Kombëtare të Fokusit për Drogimin dhe një nga autorët e studimit.
Shumica e vendeve të tjera të Ballkanit kanë nivele më të ulta të alkoholit e konsumit e alkoholit mes adoleshentëve krahasuar me mesataren e vendeve të përfshira në studim.
Disa sugjerojnë se kjo është për shkak të një hapje relative të kohëve të fundit të rajonit ndaj kulturës e mënyrës së jetës perëndimore e tregjeve më të mëdhenj të drogës.
Anina Çileva, kryetarja e studimeve të ESPAD-it për Bullgarinë, mendon se kryesore për të përmbysur prirjen alarmuese është parandalimi.
"Na duhet një arsim shëndetësor ndëraktiv, mbështetur në përfshirjen e të rinjve, ndër-komunikimin e tyre e ngritjen e një mjedisi rinor ku zgjedhja për të mos përdorur drogë ose alkohol shihet si një zgjedhje e modës, e përshtatëshme e inteligjente," tha ajo për SETimes.
Sipas Vasilievit, kjo gjendje ka të ngjarë të përkeqësohet.
"Bullgaria është një shembull -- në momentin që u hapëm ndaj të gjitha tregjeve, u hapëm edhe ndaj kësaj. Dhe ku ka një treg, ka përdorim," tha Vasilevi për SETimes.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes