16/06/2012
Ankthi parazgjedhor dhe pasiguria politike sjell magazinimin e ushqimeve dhe të hollave.
Nga Andy Dabilis për Southeast European Times në Athinë -- 16/06/12
![]() Grekët e shqetësuar janë duke tërhequr rreth 800 milionë euro në ditë nga bankat para zgjedhjeve të së dielës (17 qershor). [Andy Dabilis/SETimes] |
Nuk ka pasur radhë të gjata, të çmendura, por para zgjedhjeve të së dielës (17 qershor), grekët dhe bizneset kanë filluar në heshtje tërheqjen e më shumë se 800 milionë eurove në ditë, të shqetësuar se vendi i tyre mund të jetë i detyruar të dalë nga eurozona dhe të kthehet te një dhrahmi të zhvleftësuar jashtë mase.
"Jam i shqetësuar. Është dhrahmia dhe ne nuk e dimë se çfarë po ndodh me politikanët", tha Petra Poursanidi, 35 vjeçe, për SETimes duke dalë nga një degë e Alpha Bank në një lagje perëndimore të Athinës.
Në zgjedhje, grekët janë duke u përballur me një argument të dhrahmisë kundër euros: mbështetjen e partive të dikurshme në pushtet të konservatorëve të Demokracisë së Re dhe rivalëve të tyre, socialistëve të PASOK-ut, që mbështetën së bashku masat e ashpra të kërkuara nga huadhënësit ndërkombëtarë; ose të votojnë për partitë që kundërshtonin kushtet, një zgjedhje që kritikët thanë se mund ta shtyjë Greqinë jashtë eurozonës.
Katër bankat më të mëdha të vendit, duke përfshirë Alpha, u dobësuan aq shumë nga humbjet masive të vendosura nga qeveria mbi ta dhe investitorët privatë si pjesë e një marrëveshje borxhi për të gjeneruar 106 miliardë euro, sa u është dashur të marrin një rikapitalizim emergjent prej 19 miliardë eurosh. Shifrat e bankës qendrore tregojnë se depozitat u tkurrën me rreth 17% ose 35,4 miliardë euro në vitin 2011, dhe vetëm në fund të prillit 165,9 miliardë euro.
Bankierët thanë se ritmi arriti kulmin përpara votimit, me tërheqje të përditshme të kombinuara nga bankat kryesore me 500-800 milionë euro, duke përfshirë tërheqje cash, transferta bankare, dhe investime në instrumente të tjerë.
Dimitris Hatzinikolaou, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Janinës, në Greqinë veriore, tha se frika është në rritje. "Njerëzit vlerësojnë saktë se depozitat e tyre mund të konvertohen në dhrahmi dhe janë duke u përpjekur të mbrojnë kursimet e tyre", tha ai për SETimes.
Fushata është ushqyer nga frika nga të gjitha palët dhe u bë një shfaqje e veçantë e grindjeve politike dhe hedhje fajesh. Shumë shqetësohen se këto zgjedhje mund të bllokohen gjithashtu dhe do të përkeqësojnë krizën.
Turizmi, burimi më i madh i të ardhurave, që sjell rreth 23% të PPB-së së vendit prej 239 miliardë euro, është goditur, me rezervimet që kanë rënë me 30% ose dhe më shumë në fillim të sezonit.
Nëse këto zgjedhje nuk do të krijojnë një qeveri, ka të ngjarë jo vetëm që të ketë dyndje drejt bankave, por edhe supermarketeve, pas paralajmërimeve se Greqia mund të përballet me një mungesë të ushqimeve -- si dhe, karburantit, ilaçeve, dhe mallra të tjera të domosdoshme -- nëse del nga eurozona.
"Njerëzit janë të tmerruar nga mundësia e kthimit te dhrahmia dhe disa besojnë se është mirë të mbushin dollapët e tyre me produkte ushqimore", tha Vassilis Korkidis, kreu i federatës ESEE të tregtisë me pakicë. "Është e tepruar; ne nuk duhet të pushtohemi nga paniku. Mbushja e dollapëve me ushqim nuk do të thotë që do të shpëtojmë nga kriza", tha ai për Reuters.
Trojka ka paralajmëruar se çdo përpjekje nga një qeveri e re për të ndaluar reformat mund të çojë që tubacioni i parave të mbyllet dhe tha se vendi ka të holla të mjaftueshme vetëm për të kaluar disa javë. Ajo gjithashtu kërkon një 12 miliardë euro të tjera shkurtime, duke shkaktuar një debat të përtërirë mbi kursimet.
Ndërsa politikanët grinden, Dimitri Charakides, 26 vjeç, një nga grekët me fat i cili ka qenë në gjendje të gjejë punë gjatë një recesioni të thellë që arriti në 22.6% papunësi, doli nga banka ku kishte shkuar për të marrë një kartë debiti. Ai tha se ai nuk ishte i shqetësuar në lidhje me bankat apo tërheqjet në rritje.
"Unë nuk kam kaq shumë para", tha ai për SETimes. "Njerëzit të cilët kanë të holla duhet të shqetësohen."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes