14/06/2012
Ministri i Jashtëm i Serbisë Vuk Jeremiç u zgjodh president i sesionit të ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Analistët besojnë se zgjedhja konfirmon se Beogradi ka rehabilituar imazhin e tij në botë.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 14/06/12
![]() Vuk Jeremiç do të drejtojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për një vit, duke filluar më 18 shtator. [Reuters] |
Më pak se dy dekada pas konfliktit që çoi në fushatën e bombardimeve të NATO-s në Serbi e një padie të shumë prej udhëheqjes së vendit për krime lufte, një politikan serb do të bëhet president i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Analistët thonë se fitorja e Ministrit të Jashtëm Vuk Jeremiç 99 me 85 më 8 qershor ndaj Ambasadorit lituanez Dalius Cekuolis është një shenjë e qartë se Serbia e ka rregulluar ndjeshëm pozicionin ndërkombëtar të saj. Jeremiçi e përshkroi votimin si "një referendum për Serbinë."
"Zgjedhja e Jeremiçit, pavarësisht nga njoftimi i kandidaturës së tij relativisht vonë në krahasim me kundërshtarin lituanez të tij, tregon fuqinë e qëndrimit të Serbisë brenda OKB-së, në veçanti mbështetjen e marë nga lëvizja e shteteve që nuk bëjnë pjesë në blloqet e fuqive kryesore," tha për SETimes Jan Bankroft, drejtor ekzekutiv i grupit të studimeve TransConflict.
"E kombinuar me kryesimin e ardhshëm të Serbisë në OSBE, i ofron Serbisë një mundësi të rëndësishme për të rehabilituar më tej reputacionin e saj në skenën botërore," tha ai.
Funksioni një vjeçar i Jeremiçit në OKB do të fillojë më 18 shtator.
Borisllav Stefanoviç, drejtor politik prej kohësh në ministrisë së jashtme të Serbisë, e përshkroi zgjedhjen e Jeremiçit si një "lajm të shkëlqyer" për Serbinë. "Ka të bëjë me reputacionin e prestigjin diplomatik të një vendi që të mbajë kryesinë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së e ajo konfirmon reputacionin e mirë të Serbisë," tha ai për SETimes.
Predrag Simiç, profesor pranë Fakultetit të Shkencave Politike të Beogradit, tha për SETimes se zgjedhja e Jeremiçit do të ndihmojë në rritjen e besueshmërisë ndërkombëtare të Serbisë.
"Serbia tani ka shumë më tepër peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare e do të përfshihet në të gjitha ngjarjet botërore përmes Jeremiçit," tha Simiçi.
Ai shtoi se ndërsa Serbia nuk do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet në Kosovë ose në pozicionin e serbëve atje, do të jetë në gjendje të ndikojë mbi çështjet në mënyrë të tërthortë.
Ardian Arifaj, drejtor i programit pranë Institutit Kosovar për Kërkim e Zhvillim, tha se zgjedhja e Jeremiçit ishte një mjet për të arritur diçka tjetër.
"Mes faktorëve kryesorë që [çuan në] zgjedhjen e Jeremiçit është dëshira e BE-së dhe e SHBA-së për t'a larguar [atë] nga politika e jashtme serbe, duke qenë se [pjesëmarrja e tij] nuk ka qenë bashkëpunuese ose e dobishme, veçanërisht për Kosovën," tha Arifaj për SETimes.
Ai tha se Jeremiçi mund të ndërlikojë marrëdhëniet me OKB, por jo fushatën për njohjen e Kosovës, për të cilën Jeremiçi ka qenë një pengesë kryesore.
Jo të gjithë në Serbi janë të kënaqur me zgjedhjen e Jeremiçit.
Bojan Gjuriç, një zyrtar në Partinë Liberal Demokrate, thotë se rëndësia e vërtetë politike e funksionit të kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së "është padyshim shumë më e vogël sesa kostoja e vlera e të gjitha burimeve shtetërore që ka shpenzuar Jeremiçi gjatë fushatës së tij në mbarë botën."
Korrespondenti i SETimes Muhamet Brajshori në Prishtinë kontribuoi për këtë raport.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes