13/06/2012
Kriza ekonomike botërore e shtrëngimet e jetesës moderne po ndryshojnë pamjen e turizmit në Ballkan.
Nga Maria Paravantes për Southeast European Times në Athinë -- 13/06/12
![]() Rreth 800.000 turistë në vit vizitojnë fshatin Stanisiç, pranë Bijeljinës, në verilindje të BiH-së. [Bedrana Kaletovic/SETimes] |
Nga Greqia në Rumani, komunat në Evropën Juglindore po përfitojnë nga shtimi i interesimit mes udhëtarëve për të qëndruar larg qendrave tradicionale të pushimeve duke favorizuar kështu komunitetet e vogla të pastra e fshatrat për destinacione ekologjike.
Prirja, e njohur si eko-turizëm, promovon ekologjinë e udhëtimin e ndërgjegjshëm shoqëror. Vizitorët shpresojnë të shijojnë sesi banorët jetojnë dhe e ruajnë vendin po aq larg zhvillimit siç ishte kur mbërritën atje.
Gjithashtu është duke fituar admirim ndërsa rajoni përjeton vështirësi financiare të mëdha. Duke ditur rënien ekonomike të fundit, eko-turizmi ofron një zhvillim të qëndrueshëm të turizmit, duke hapur rrugën për rritjen e komuniteteve vendase duke mbështetur ekonomitë vendase e krijimin e vendeve të punës.
"Ka njerëz që shqetësohen për mjedisin, që dëshirojnë të mësojnë më shumë mbi mënyrën sesi jetojnë vendasit," tha për SETimes Tasos Gurguras, bashkëpronar i Milia Mountain Retreat në ishullin e Kretës.
Në rajon ekzistojnë mundësi të panumërta, pasi shumë kombe e promovojnë këtë prirje – ishulli cikladik grek i Keas; fshatrat e vegjël përmes Serbisë, dasmat tradicionale Galiknike në fshatrat maqedonase të Ohrit-Prespës e Berovës; përzierja unike e trashëgimisë shqiptare e ortodokse serbe në komunitetet e Kosovës në Prizren, Gjakovë, Pejë e Deçan dhe hostelet e Bistritës në Moldavi, në buzë të Karpateve lindore.
"Vitin e kaluar kishim miq nga pesë vende evropiane që u kënaqën gjatë kohës që qëndruan në fshatin tonë," tha Nebojsha Strahinjic nga Vërmdza në Serbi, që është rinovuar e projektuar me të ardhurat nga turizmi. Eko-turizmi kontribuoi 100 milionë euro në ekonominë e Serbisë më 2010 -- rreth 16% e të gjitha të ardhurave nga turizmi.
Serbia e ka identifikuar eko-turizmi si një burim të mundshëm për rritje ekonomike, zhvillim rajonal, rritje të punësimit e përmirësim të mundshëm të imazhit të përgjithshëm të vendit, tha Ministri i Ekonomisë dhe Zhvillimit Rajonal Nebojsha Ciriç.
"Në eko-turizëm janë përfshirë më shumë se 1000 familje në 70 komuna [e] krijojnë fitimin e 1000 fabrikave të vogla," tha Ciriçi për SETimes.
Pika më e rëndësishme e eko-turizmit të Maqedonisë është qyteti i Krushevës, i cili hapet nga korriku deri në gusht çdo vit. Aty organizohet ridramatizimi i ngjarjes historike të Ilindenit, në të cilën i gjithë qyteti merr pjesë e turistët ftohen të marrin pjesë e të veshin kostume të asaj periudhe.
Ranko Petroviç, administrator i projektit të Krushevës, tha se ngjarja e rilindi qytetin.
"Deri para disa vitesh, çmimet e banesave ishin jashtëzakonisht të ulëta, rreth 5000 euro -- por sot, falë zhvillimit, si rezultat i projektit, çmimet e shtëpive janë dhjetë herë më të larta," tha Petroviçi për SETimes.
Rumania ka 3000 hostele private që janë anëtare të Shoqatës Kombëtare të Turizmit Ekologjik e Kulturor Rural. Maria Stoian, presidente e shoqatës, tha se hostele të tjera po bashkohen, pavarësisht nga sfidat me të cilat përballen bizneset e vegjël.
"Ka vështirësi kudo, si me çdo veprimtari tjetër. Burokracia e tepruar në marrjen e të gjitha dokumenteve të nevojshme, infrastruktura e pazhvilluar -- rrugët e mbërritjes, sistemin e ujërave të zeza, lidhja me korrent ose gaz e taksat e larta", tha ajo.
Por shpërblimi është më i madh sesa rreziqet për shumë.
Olaf Anderson, një mësues nga Suedia, vizitoi Kosovën me nxënësit e tij e tha për SETimes se mundësia etno-turistik është e konsiderueshme në tërheqjen e vizitorëve të huaj.
"Jam mahnitur me kulturën e trashëgiminë e Kosovës. Eshtë e rrallë që në një vend kaq të vogël ... të gjesh trashëgimi kulturore të kombinuar me elementë osmanë, muslimanë, sllavë e shqiptarë. Kosova ka mundësi që të tërheqë një numër të madh investitorësh duke promovuar trashëgiminë kulturore e traditat e saj," tha Andersoni.
Për këtë raport kontribuuan korrespondentët Biljana Pekusiç në Beograd, Bedrana Kaletoviç në Sarajevë, Muhamet Brajshori në Prishtinë, Misko Taleski në Shkup e Paul Ciocoiu në Budapest.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes