02/06/2012
Me një plan shpëtimi prej 18 miliardë eurosh, bankat greke tani janë duke qëndruar mbi ujë. Por humbjet dhe paqëndrueshmëria politike shumë lehtë mund të fundosin anijen.
Nga Andy Dabilis për Southeast European Times në Athinë -- 02/06/12
![]() Grekët tërhoqën më shumë se 5 miliardë euro muajin e kaluar. [Reuters] |
Të lënduar nga humbjet e mëdha të vendosura nga qeveria si pjesë e një marrëveshjeje për të ulur borxhin e vendit, dhe me depozituesit të shqetësuar mbi pasigurinë politike përpara zgjedhjeve të reja, katër bankat më të mëdha të vendit kanë marrë një injeksion prej 18 miliard eurosh, por mund të kenë nevojë për shumë më tepër.
Paratë janë kanalizuar nga fondi i shpëtimit i Mjetit për Stabilitetin Financiar Evropian nëpërmjet Fondit Grek të Stabilitetit Financiar (HFSF) për të rritur bazën e kapitalit të varfëruar të Bankës Kombëtare (6,9 miliardë euro); Alpha Bank (1,9 miliardë euro); Eurobank (4,2 miliardë euro) dhe Piraeus Bank, (5 miliardë euro) -- duke u lejuar atyre të rifitojnë aksesin ndaj financimit të Bankës Qendrore Evropiane (BQE).
BQE-ja, BE-ja dhe FMN-ja përbëjnë Trojkën që i dhanë Greqinë një paketë shpëtimi kredie prej 109 miliardë eurosh, dhe një paketë të dytë shpëtimi në pritje prej 130 miliardë euro.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të dështuara të 6 majit për të krijuar një qeveri, Greqia është në duart e një kabineti të përkohshëm përpara votimit të 17 qershorit që ka Demokracinë e Re në pozicion të barabartë me garuesin e vendit të dytë, Koalicioni i Radikalëve të Majtë (SYRIZA) që dëshiron të rinegociojë kushtet ose të shfuqizojë pagesat.
Më 7 maj, bankat panë tërheqjen e 700 milionë euro, gjë që shkaktoi frikën për një dyndje drejt bankave e cila nuk u materializua.
Grekët e pavendosur tërhoqën më shumë se 5 miliardë euro në maj, të frikësuar se vendi mund të kthehet përsëri te dhrahmia, duke zbrazur bankat.
Grigoris Papagrigoris, kreu i marrëdhënieve me investitorët për Bankën Kombëtare të Greqisë, tha për SETimes se banka është e qëndrueshme. "Ka pasur lëvizje të konsiderueshme javët pas zgjedhjeve, por janë përmbajtur. Ne kemi parë periudha të shkurtra të ngjashme paqëndrueshmërie gjatë viteve të fundit".
Banka -- e cila ka aktivitet në Shqipëri, Bullgari, Rumani, Serbi, Maqedoni dhe Turqi -- raportoi një humbje prej 537 milionë eurosh gjatë tremujorit të parë të vitit, e zbutur nga një fitim prej 125 milionë eurosh të krijuara nga filiali i saj turk, Finansbank.
Por shqetësimet e bankave nuk kanë përfunduar ende, pasi ka vlerësime që mund të duhen deri në 50 miliardë euro.
"Asnjë bankë nuk mund të mbijetojë pas një dyndjeje për të tërhequr depozitat", tha për SETimes Aggelos Tsakanikas, kreu i hulumtimit në Fondacionin e Kërkimeve Ekonomike dhe Industriale në Athinë.
"Rikapitalizimi i bankave është me të vërtetë i rëndësishëm. 18 miliardë eurot janë vetëm gjysma e ndihmës së planifikuar", shtoi ai. "Por çështja kryesore është fakti se kjo nuk është planifikuar për t'u përdorur për rritjen e kreditin për ekonominë", tha ai.
Ekonomia në thelb e falimentuar e vendit është varrosur nën 350 miliardë euro borxhe dhe një deficit prej 9,7%.
Ministria e financave tha se infuzioni e ka bërë të qëndrueshëm sektorin për momentin.
"Ky injeksion kapitali rikthen nivelin e mjaftueshmërisë së kapitalit të këtyre bankave dhe siguron aksesin e tyre në sigurimin e financimit të likuiditetit nga ana e Bankës Qendrore Evropiane dhe Eurosistemit. Bankat kanë burime të mjaftueshme financiare tani në mbështetje të ekonomisë reale".
Janis Stournaras, i cili u emërua ministër i përkohshëm i zhvillimit, tha se rikapitalizimi është i rëndësishëm, por "nuk mjafton". Por ai tha se është i bindur se mund të mbajë sektorin të ketë aftësi paguese.
"Ne nuk kemi një dyndje klasike drejt bankave për të tërhequr depozitat, njerëzit po e ruajnë gjakftohtësinë", tha ai për SETimes.
E ashtuquajtura marrëveshje e Përfshirjes së Sektorit Privat (PSI), që imponoi humbje mbi bankat dhe investitorët e ka bllokuar efektivisht Greqinë nga tregjet e huamarrjes. Bankat greke kanë marrë hua nga BQE kundrejt kolateraleve, dhe nga mjeti i asistencës emergjente të likuiditetit (ELA) i bankës qendrore greke që është më e shtrenjtë.
Profesor Nickolaos Travlos, dekan i departamentit të Kyriacopoulos Kitty në Financë në Shkollën e Diplomimit në Biznes ALBA në Athinë, tha se marrëveshja PSI ka zhdukur në mënyrë efektive kursimet e mbajtësve të obligacioneve të vogla, dhe ka dobësuar besimin.
"Investimi në obligacionet e qeverisë ka qenë gjithmonë i konsideruar si investim pa rrezik", tha ai për SETimes. "Rikapitalizimi ... është veprimi më i fundit që duhet të bëjë qeveria për të shpëtuar sistemin bankar".
Ndërsa politikanët dhe bankierët janë duke bashkëpunuar, klasa punëtore greke ka humbur besimin në të dyja institucionet.
"Ata më janë qepur pas për një sasi të vogël parash që unë kam huazuar dhe më ngacmojnë çdo ditë", tha për SETimes Vassiliki Petropoulou, 53 vjeçe, një nëpunëse civil paga e të cilës është shkurtuar me rreth 30%. "Bankierët dhe politikanët janë duke na vendosur në një pjatë për të na ngrënë të gjallë."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes