30/05/2012
Shkeljet e të drejtave të njeriut kanë përfshirë një sferë të gjerë, nga tensioni ndër-etnik në dhunën në familje.
Nga Linda Karadaku për Southeast European Times në Prishtinë -- 30/05/12
![]() Policia në Greqi akuzohet për taktika të ashpra në raportin 2012-tës të Amnesty International. [Reuters] |
Arrestimet e vitit të kaluar të dy të dyshuarve famëkeq për krimet e luftës sollën njëfarë shprese për viktimat e konfikteve të 1990-tës në ish-Jugosllavi se një ditë do të kishin drejtësi, sipas një raporti të fundit botëror mbi të drejtat e njeriut.
Raporti i 50-të i Amnesty International mbi të drejtat e njeriut, i nxjerrë javën e kaluar, vë në dukje se rajoni është ende plot e përplot me diskriminim të gjinisë, seksit e etnisë dhe se disa qeveri po bëjnë shumë pak për të zgjidhur problemet.
"Arrestimet e Ratko Mlladiçit e Goran Haxhiçit dërguan një mesazh jo vetëm për të prekurit, por anembanë rajonit me të gjerë ... Megjithatë, shumë njerëz kanë mbetur në hapësirën mes retorikës së të drejtave të njeriut e realitetit të zbatimit të tyre," tha në një përmbledhje organizata me qendër në SHBA.
Mlladiçi përballet me 11 akuza për krime lufte, duke përfshirë genocidin, lidhur me konfliktin boshnjak të 1992-1995. Ai ishte komandant i përgjithshëm i ushtrisë që kreu mizori të shumta në një fushatë për të zbuar kroatët e muslimanët boshnjakë nga një territor që e konsideronin serb. Gjyqi i tij nisi këtë muaj, por u shty pasi prokurorët nuk u dhanë mijëra faqe dokumente avokatëve të mbrojtjes.
Haxhiçi u akuzua më 2004 për krime kundër njerëzimit e shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës për përfshirjen e tij të dyshuar në persekutimet, shfarosjen, vrasjen, burgosjen, torturimin, veprime çnjerëzore, trajtimin mizor, dëbimin, shkatërrimin pa shkak e plaçkitjen e pronës publike ose private. Ish-presidenti i të ashtu-qujturës Republika e Krajinës Serbe u arrestua në korrik 2011.
Raporti 444-faqesh identifikoi probleme të shumta anembanë rajonit -- dhunën në familje e trafikun e detyruar të grave në Shqipëri, dhunën kundër romëve në Bullgari, institucione të dobësuara shtetërore në Bosnjë e Herzegovinë (BiH) dhe keqtrajtim të të burgosurve në Serbi e Moldavi -- mes tyre.
Në disa raste, qeveria është parë si pjesë e problemit. Raporti veçon zyrtarë rumunë për kontributin në diskriminim, akuzon Greqinë për forcë të tepruar policore, akuzon Turqinë për mosdhënien e reformave të premtuara kushtetuese e vë në dukje se gjykatat e Kroacisë, BiH-së, Maqedonisë e Malit të Zi dështuan të mbështesnin çështjet e krimeve të luftës.
"Ka mjaft keqkuptime madje edhe mes elitës politike e shoqërore se pse duhet të respektojmë të drejtat e njeriut," tha për SETimes analisti Dragan Popoviç, kreu i Qendrës Politike në Beograd. "Një pjesë e shoqërisë beson se të drejtat e njeriut janë pjesë e kërkesave të integrimit në BE e se përmbushim detyrimet tona ndaj BE-së kur miratojmë disa ligje e rregulla të të drejtave të njeriut. Ky është problemi më i rëndë që shkakton të gjitha çështjet e tjera."
"Qeveritë duhet të mbështesin lirinë e shprehjes në vend e jashtë vendit, të marrin seriozisht përgjegjësitë ndërkombëtare e të investojnë në sistemet e strukturat që sigurojnë drejtësinë, lirinë e barazinë përpara ligjit," tha Salil Sheti, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International.
Klikoni këtu për të parë raportin.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes