21/05/2012
Lideri i partisë opozitare serbe Partia Progresiste Sere, Tomislav Nikoliç, u zgjodh president të dielën - një rezultat që disa analistë e përshkruajnë si një "tërmet politik".
Nga Igor Jovanovic për Southeast European Times në Beograd -- 21/05/12
![]() Mbështetës të Partisë Progresiste Serbe festojnë në Beograd të dielën (20 maj). [Nikola Barbutov/SETimes] |
Lideri i Partisë Progresiste Serbe, Tomislav Nikoliç, u zgjodh president i ri i Serbisë të dielën (20 maj), pasi arritë të mundë kandidatin e Partisë Demokratike, Boris Tadiç, i cili e mundi në zgjedhjet e viteve 2004 dhe 2008, dhe kishte dy mandate të mëparshme presidenciale.
Triumfi i Nikoliç ishte i papritur duke qenë se disa agjenci sondazhesh i kishin dhënë Tadiçit një përparësi të lartë prej 16% përpara raundit të dytë. Megjithatë, në fund, sipas të dhënave jozyrtare, Nikoliç arriti një avantazh prej 2% mbi Tadiçin, mes një përqindje të ulët rekord votimi prej 46,3%.
Fitorja e Nikoliç ka ngritur një numër pyetjesh -- kryesisht nëse Serbia do të vazhdojë rrugën e hyrjes në Evropë, dhe nëse Demokratët dhe partitë e tjera që kanë qenë aleate në qeverinë e mëparshme do të formojnë një të re, siç u ra dakord menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 6 majit.
Presidenti serb nuk ka shumë autoritet kushtetues, duke qenë se ekonomia dhe politika e jashtme menaxhohen nga qeveria, por shumë analistë vlerësojnë triumfin e liderit të Partisë Progresiste si një "tërmet politik".
Profesori i Fakultetit të Filozofisë të Beogradit, Slobodan Antoniç, tha se "të gjitha opsionet janë të hapura" për krijimin e qeverisë së re tani.
"Ka ndodhur një ndryshim simboli, i ngjashëm me atë kur Slobodan Millosheviçi humbi zgjedhjet presidenciale [në shtator 2000], megjithëse Partia Socialiste e drejtuar nga ai kishin shumicën", tha Antoniç për SETimes.
Megjithatë, në reagimin e tij i parë të dielën, Nikoliç tha se politika e tij nuk do të ishte shumë e ndryshme nga ajo që është bërë deri tani pra që integrimi evropian është prioritet.
"Serbia nuk do të shmanget nga rruga evropiane. Dua të mbroj popullin serb në Kosovë dhe Metohi. Këto zgjedhje nuk ishin referendum se kush do të drejtojë Serbinë dhe kush jo, por për zgjidhjen e problemeve të brendshme të krijuara nga Partia Demokratike dhe Boris Tadiç", tha Nikoliç.
![]() Kandidati për zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 i Partisë Progresiste Serbe (SNS), Tomislav Nikoliç (në qendër), feston fitoren e tij në selinë e partisë së tij në Beograd të dielën (20 maj). [Reuters] |
Ai tha gjithashtu se do të ketë marrëdhënie të mira me presidentët e të gjitha shteteve në rajon dhe njoftoi vizitën në Moskë, Bruksel dhe Uashington. Unë do të kem marrëdhënie të mira me presidentin e Republika Srpska, Milorad Dodik, dhe presidentët e tjerë të shteteve të rajonit, sepse marrëdhëniet me shtetet dhe popujt nuk ndërtohen sipas preferencave personale".
Tadiç e pranoi shpejt humbjen. "E uroj Z. Nikoliç për një fitore të drejtë dhe të merituar dhe i uroj atij fat në kryerjen e kësaj detyre të vështirës", tha Tadiç.
Përpara votimit të së dielës, demokratët e Tadiçit krijuan një koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë dhe nuk duhet të kenë shumë probleme të krijojnë një qeveri të re. Megjithatë, Nikoliç ka akuzuar demokratët për mashtrime të rënda në zgjedhje. Këto akuza dhe fitorja e Nikoliç hapën çështjen e zgjedhjeve të reja të përgjithshme në Serbi.
"Çdo gjë është e mundur tani, sepse votuesit kanë zgjedhur të ndëshkojnë Tadiçin për irritimin e tyre. Fakti që Tadiç ka pësuar goditje është pasojë e situatës jashtëzakonisht të rëndë ekonomike dhe sociale në Serbi," tha për SETimes Ognjen Pribiceviç, ish-ambasador i Serbisë në Gjermani.
Megjithëse Nikoliç ka njoftuar se nuk do të ndryshojë shumë politikën, nga Kosova ka pasur reagime negative për zgjedhjen e tij.
Kreu i Lëvizjes Evropiane në Kosovë, Behlul Beqaj, tha për SETimes se fitorja e Nikoliç përfaqëson fundin e keqkuptimit evropian se Serbia ishte ndarë nga politika e saj nacionaliste e së kaluarës.
"Kjo fitore në fakt është pasojë e improvizimeve të deritanishme të legjitimuara në nivelin më të lartë ndërkombëtar, në lidhje me reforma të supozuara dhe orientimin e Serbisë drejt Evropës, megjithëse gjendja e vërtetë e gjërave është se Serbia është nën presion të madh politik nga e kaluara e saj politike", tha Beqaj.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes