Ndikimi i Turqisë në BiH dhe Ballkan është në rritje

08/05/2012

Megjithëse analistët besojnë se roli i Turqisë në rajon është duke u bërë gjithnjë e më shumë i rëndësishëm, opinionet e politikanëve e qytetarëve vendas janë të ndara.

Nga Drazhen Remikoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 08/05/12

photo

"Turqia është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Populli në BiH vërtet e do Davutoglunë dhe e shohin atë si një simbol të Turqisë moderne," tha Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës së BiH-së. [Reuters]

Turqia mbështet hyrjen e BiH-së në NATO dhe paqen në Ballkan, tha javën e kaluar Ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu, pasi mori çmimin Udhëheqësi i Shekullit të 21-të nga Lidhja Ndërkombëtare e Humanistëve në Sarajevë.

Zdravko Surlan, sekretar i përgjithshëm i lidhjes, tha se Davutogluja e mori çmimin për kontributin e jashtëzakonshëm të tij në pajtimin e popujve të Ballkanit.

"Askush përpara tij nuk i ka mbledhur udhëheqësit e rajonit në një vend që kur përfundoi lufta në ish-Jugosllavi. Davutogluja ka treguar se udhëheqësit e vendeve të Ballkanit mund të jetojnë si fqinj të mirë e se vetëm me marrëdhënie të fqinjësisë së mirë këto shtete mund të shkojnë përpara," tha Surlani për SETimes.

Bakir Izetbegoviç, anëtari boshnjak i presidencës së BiH-së, e falënderoi Davutoglunë për mbështetjen që Turqia i jep BiH-së në rrugën e saj drejt integrimit Euro-Atlantik.

"Turqia është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. Populi në BiH vërtet e do Davutoglunë dhe e sheh atë si një simbol të Turqisë moderne," tha Izetbegoviçi për mediat vendase pas takimit të tij me ministrin e jashtëm.

Duke kujtuar përvjetorin e dytë të nënshkrimit të Deklaratës së Stambollit në prill 2010 me presidentëve të Turqisë, Serbisë e BiH-së në Stamboll, Davutogluja tha se këto tre vende do të vazhdojnë të zhvillojnë takime për të shtuar rolin e Turqisë në Ballkan. Takimi i ardhshëm pritet të zhvillohet në Sarajevë në fund të muajit.

Megjithatë, shumë besojnë se Turqia duhet t'a përqendrojë vëmendjen e saj te ekonomia dhe jo te ndikimi politik i saj në BiH e Ballkan.

Borisllav Bojiç, zv. president i Partisë Demokratike Serbe (SDS), tha për SETimes se deklaratat e Davutoglusë për Perandorinë Osmane janë të papranueshme për serbët në BiH.

"Turqia është një vend me ekonomi të fortë dhe duhet të përmirësojmë marrëdhëniet ekonomike me të. Por të flasësh për një perandori të re osmane në Ballkan është e papranueshme ... Këto janë deklarata të pakujdesshme dhe mendoj se kjo do të pengojë marrëdhëniet mes Turqisë e BiH-së," tha Bojiçi.

Ivo Miro Joviç, zëvendës/president i Bashkimit Demokrat Kroat të BiH-së (HDZ BiH), tha se BiH e Turqia duhet të ndërtojnë marrëdhënie ekonomike më të forta.

"Fokusi duhet të jetë në bashkëpunimin ekonomik -- BiH është një vend i vogël në krahasim me Turqinë dhe mund të ketë përfitime të konsiderueshme nga bashkëpunimi ekonomik me Turqinë. Megjithatë, nuk është mirë që tani Turqia imponon më shumë ndikim politik në BiH e në rajon, sidomos në kohën e krizës së përgjithshme," tha Joviçi për SETimes.

Eksportet e Turqisë në BiH arritën në 205 milionë euro më 2011, një rritje prej 20% nga 2010-ta, sipas Ministrisë turke të Ekonomisë. Eksportet e BiH-së në Turqi janë rritur gjithashtu në mënyrë të vazhdueshme, duke arritur një nivel të lartë prej 68,8 milionë euro më 2011, një rritje prej 25% në krahasim me eksportet e 2010-tës.

Birgul Demirtash, një eksperte e Ballkanit nga departamenti i marrëdhënieve ndërkombëtare të Universitetit TOBB me qendër në Ankara, tha për SETimes se vendim-marrësit turq duhet të jenë të kujdesshëm që të mos japin përshtypjen e një osmanizimi të ri kur ndërtojnë marrëdhëniet me BiH.

"Për shembull, fjalimi i Davutoglusë gjatë vizitës së tij në Sarajevë në tetor 2009 u shënua nga shenjtërimi i sovranitetit osman në Ballkan, gjë që çoi në kritika nga rajoni. Duke i quajtur shekujt osmanë "një histori e suksesshme", Davutogluja argumentoi se "duhet të rikthejmë atë sukses përmes mënyrave të reja kulturore e ekonomike," vuri në dukje ajo.

Megjithatë, Demirtashi nënvizoi se BiH u bë qendra e nismave të Turqisë në Ballkan që synojnë të kontribuojnë në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme.

"Turqia ka kontribuuar në përmirësimin e marrëdhënieve të Bosnjës me fqinjët e saj, kryesisht Serbinë e Kroacinë, përmes dialogut tre palësh mes udhëheqësve të shteteve e ministrave të jashtëm."

Ambasadori i BiH-së në Turqi Dragoljub Ljepoja tha se marrëdhëniet politike të të dy vendeve janë në një nivel të lartë.

"Turqia është e përfshirë në shumë projekte për restaurimin e monumenteve të kulturës në vendin tonë, veçanërisht ato të vjetrat nga periudha osmane", tha Ljepoja për SETimes.

Por, tha ai, edhe marrëdhëniet ekonomike mes të dy vendeve duhet të jenë në të njëjtin nivel.

Edhe qytetarët e BiH-së kanë opinione të ndryshme mbi "sulmin diplomatik" të Turqisë.

Artikuj që kanë lidhje

Loading

Marko Zivaniç, 29 vjeç nga Banja-Luka tha se veprimet e Turqisë nuk duhet të konsiderohen si mirëdashëse. "Kemi qenë pesë shekuj nën Turqinë. Mesa duket, nuk ishte e mjaftueshme për ta, por tani dëshirojnë më shumë. Kjo është e papranueshme," tha Zivaniçi për SETimes.

Nga ana tjetër, banori i Sarajevës Mirsad Mektiç, 45 vjeç, thotë se lidhja mes të dy vendeve është e pathyeshme.

"Kam të afërm që jetojnë në Turqi dhe vajza ime ndoshta do të shkojë atje për të studiuar. Eshtë krejtësisht e natyrshme që të kemi marrëdhënie të mira me një vend kaq të zhvilluar", tha Mektiçi për SETimes.

Për këtë raport kontribuoi korrespondentja e SETimes nga Stambolli, Menekshe Tokjaj.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Loading
Voto
 
 

Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.

Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.

Politika e komenteve të SETimes

Reportazh

Rajoni, Turqia, optimistë lidhur me krerët e rinj të BERajoni, Turqia, optimistë lidhur me krerët e rinj të BE

Zyrtarët rajonalë thonë se ndryshimet më të fundit të personelit në BE do të kenë një ndikim pozitiv në marrëdhëniet me Brukselin.

Më popullor

Loading
Loading
Loading

Anketë

A duhet Greqia të ndryshojë trajtimin e imigrantëve ilegalë?

Po
Jo
Nuk e di