28/04/2012
Publiku është kritik ndaj hetimit nga EULEX-i dhe autoritetet e Kosovës të çështjes së madhe kundër korrupsionit në ministrinë e transportit e telekomunikacioneve.
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë -- 28/04/12
![]() Fatmir Limaj, në qendër, një aleat i ngushtë i Kryeministrit Hashim Thaçi, ishte në shënjestër të hetimit kundër korrupsionit të EULEX-it. [Reuters] |
Dy vjet pas kontrolleve në ministrinë e transportit e telekomunikacioneve të Kosovës, asnjë informacion nuk është shfaqur në lidhje me korrupsionin e abuzimin e mundshëm të detyrës në ministri e përtej, duke nxitur dyshime publike në lidhje me gatishmërinë e EULEX-it e autoriteteve të Kosovës për të trajtuar krimin e nivelit të lartë.
Hetimi vuri në shënjestër ish-ministrin Fatmir Limaj -- një aleat politik i afërt i Kryeministrit Hashim Thaçi -- dhe kreun e prokurimeve të ministrisë, Nexhat Krasniqi, në atë që mediat e quajtën çështja më e madhe kundër korrupsionit në Kosovë.
"Procesi shkoi shumë ngadalë e për njëfarë kohe pothuajse u harrua," tha Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikës së Ballkanit me qendër në Prishtinë.
Një afat përfundimtar prej 24 muajsh kaloi më 23 prill, pas të cilit zyra e prokurorit të posaçëm të Kosovës nuk është më në gjendje që të ndërmarrë veprimtari të tjera hetimore.
"Nuk pamë asnjë padi të vetme. Mendimi publik i Kosovës nuk është i qartë se pse u ndërmorën ato veprime të bastisjeve e arrestimeve," tha Petrit Zogaj, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes FOL, një OJQ kundër korrupsionit me qendër në Prishtinë, për SETimes.
"Në atë kohë, kreu i EULEX-it deklaroi se bastisjet ishin bërë me dyshim të shpërdorimit të 80 milionë eurove e se kishin prova për 2 milionë euro. Kjo nuk duhet të jetë ashtu," tha Zogaj.
Por zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi shpjegoi se analiza e informacionit të mbledhur gjatë dy viteve të kaluara vazhdon pas afatit kohor, në mënyrë që të bëhet një vlerësim përfundimtar në një fazë të mëvonshme.
"Sipas kodit penal të Kosovës, ende mund të kryhen veprimtari hetimore që kanë lidhje me akuza të mundshme shtesë dhe me të pandehurit," tha Krasniqi për SETimes.
Kritikët gjithashtu pretendojnë se akuza zvarriti punën dhe e thirri Limajn përsëri pas arrestimit të tij vetëm tre ditë përpara afatit përfundimtar.
"Kanë kaluar dy vjet dhe EULEX priti deri në minutën e fundit për të marrë një vendim mbi çështjen. Kjo tregon seriozitetin e tyre për luftimin e korrupsionit," tha Bytyçi.
"Publiku i Kosovës është i paqartë se pse iu desh kaq shumë kohë EULEX-it kur prokurori u tha mediave për prova të qarta," tha Zogaj.
Prokurori paraqiti prova që mbështesin Limajn, citohet të ketë thënë avokati i tij Tahir Reçaj nga KosovaPress .
"Jam i bindur se nuk do të ketë padi kundër Limajt e shpresoj se çështja e prokurorisë do t'u japë fund të gjitha hetimeve kundër tij," tha Reçaj.
Bytyçi thotë se EULEX duhet të punojë për të përmirësuar imazhin e tij, por më shumë se kaq, duhet të veprojë.
"EULEX duhet të përmirësojë përgjegjshmërinë e tij, sepse deri tani nuk ka prodhuar asnjë rezultat që ia vlen të përmendet, ndërsa rriti shpresat përmes deklaratave pompoze. Ndërhyrja në ministri u pa si një spektakël, jo si një përpjekje e rëndësishme, e mungesa e rezultateve e ka forcuar këtë bindje," tha Bytyçi.
Për më tepër, Zogaj arsyetoi se që kur EULEX mbërriti në Kosovë më 2008, korrupsioni e krimi i organizuar nuk janë pakësuar. Problemi thelbësor i Kosovës është se nuk sundon shteti ligjor, tha ai.
"Nuk mund të them se vizioni i EULEX-it për të ardhmen e vendit tonë është plot shpresë, ashtu siç nuk ka asnjë vizion plot shpresë për institucionet dhe shtetin ligjor të Kosovës."
Megjithatë, Krasniqi tha se EULEX është duke punuar plotësisht, është duke trajtuar mbi 59 hetime për korrupsion që vazhdojnë dhe ka dhënë 31 vendime.
"EULEX është duke luftuar korrupsionin në ekipet hetimore të përziera me prokurorët e Kosovës dhe Policinë e Kosovës. EULEX gjithashtu do të shtojë nismat e tij për të rritur ndërgjegjësimin publik ndaj korrupsionit e luftën kundër korrupsionit," tha Krasniqi.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes