16/04/2012
Hetimet e vrasjeve vazhdojnë ndërsa rriten tensionet ndër-etnike.
Nga Mishko Taleski për Southeast European Times në Shkup -- 16/04/12
![]() Policët hetojnë vendngjarjen e pesë të vrarëve në Liqenin Zhelezarsko pranë Shkupit. [Reuters] |
Vrasja e pesë maqedonasve në Liqenin Zhelezarsko pranë Shkupit të enjten (12 prill) tronditi rajonin me brutalitetin e saj e kërcënoi paqen në Maqedoni, duke kërcënuar gjithashtu mbase sigurinë rajonale.
Katër nga viktimat ishin burra të moshave 18 deri 20 vjeç, që kishin ardhur herë pas here në liqen për peshkim. I pesti ishte një 45 vjeçar që u vra ndërsa përpiqej të largohej nga vendngjarja e besohet të ishte një dëshmitar i papritur i krimit.
"Ministria e punëve të brendshme po kërkon intensivisht vrasësit e motivin e vrasjes. Nga informacioni në dispozicion, as identiteti, as etnia e tyre nuk mund të përcaktohet tani. Vrasësit nuk mund t'i shpëtojnë drejtësisë, megjithatë e do të ndëshkohen në mënyrën më të ashpër," tha Ministrja e Brendshme Gordana Jankulovska.
Hetuesit kanë përcaktuar se të katër djemtë janë qëlluar nga afër nga tre tipe armësh zjarri.
Policia formoi një grup operativ për të bashkërenduar hetimin. Autoritetet po marrin në pyetje të paktën 100 vetë dhe gjetën një automjet që besohet të jetë ngarë nga vrasësit.
"U bëjmë thirrje të gjithë shtetasve e mediave që [të rrinë të qetë] e të mos ngrenë tensione ndër-etnike," tha Jankulovska në një thirrje për publikun.
Vrasjet, megjithatë, ndezën tensione mes maqedonasve e shqiptarëve, mes dyshimeve se paraushtarakë shqiptarë kishin vrarë burrat pas thirrjeve të përsëritura të mediave shoqërore për t'u hakmarrë për dy shqiptarë të vrarë dy muaj më parë në Gostivar pasi sulmuan një oficer të policisë jashtë shërbimit.
Ajo që e ndërlikon ngjarjen këtë herë është fakti se këto vrasje përkuan me festimet e Pashkës ortodokse.
Disa qindra maqedonas të zemëruar bllokuan lagjen Radishani aty pranë, duke ndërtuar barikada, duke ndezur qirinj e duke i bërë thirrje qeverisë të sigurojë që të mbizotërojë drejtësia. Ata shkatërruan një autobuz si dhe një makinë të televizionit 24 Vesti me prirje ndaj opozitës.
Policia shpejt vuri nën kontroll lagjen e arrestoi nëntë protestues.
"Po sulmohemi e vritemi gjithnjë e më tepër, por policia e gjykatat shpesh nuk bëjnë punën e tyre në emër të bashkë-jetesës ndër-etnike e politikave ndërkombëtare e të vendit, ndërsa mediat paraqesin një pikëpamje të shtrembëruar ose neutrale," tha për SETimes, Branko Ristevski nga Shkupi, që ishte pranë Radishanit.
Analistët thonë se vrasjet mund të vendosen në një kuadër rajonal, duke ditur zhvillimet e fundit që kërcënojnë paqen.
"Kjo vrasje është një hyrje në veprimtaritë në disa muajt e ardhshëm kur të piqen kushtet për ndryshimin e kufijve të Ballkanit, d.m.th. të materializohet ideja e Shqipërisë së Madhe," tha për SETimes Ivan Babanovski, ish-profesor në Fakultetin e Sigurisë në Shkup.
"I prisja incidente të tillë pak më vonë, por dikush duket se po nxiton," shtoi Babanovski.
Mersil Biljalji, analist politik e zëvendës/rektor i Universitetit FON në Shkup, nuk është dakort, duke thënë se ideja e Shqipërisë së Madhe nuk është pas këtij incidenti ose incidentëve të tjerë. Ai fajëson kriminalizimin e shoqërisë.
"Vrasjet nuk kanë pse të kenë karakter ndër-etnik. Edhe në qofshin ashtu, janë një rezultat i politikave të këqjia që po kryhen," tha Biljali për SETimes. Ai megjithatë pranoi se Maqedonia "mund të hyjë në një fazë të rrezikshme nga ana shoqërore."
Megjithatë, Jove Kekenovski, profesor i sigurisë së Universitetit të Bitolës, tha për SETimes se mosbesimi e armiqësia mes popullit maqedonas e pakicës shqiptare është e lartë. "Eshtë e qartë se shqiptarët dëshirojnë të jetojnë në një shtet të pastër etnik e ky lloj incidenti rezulton nga plane të tilla."
Organizatat që u formuan me shpërbërjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paralajmëruan Kryeministrin Hashim Thaçi, EULEX-in e KFOR-in se do të mobilizohen përsëri për të mbrojtur shqiptarët në veriun e Kosovës.
Ushtria Kombëtare Shqiptare (UKSH) paramilitare paralajmëroi SHBA, BE, NATO e OKB se do të ndërhyjë në Kosovë, si dhe në Maqedoninë perëndimore dhe në jugun e Serbisë për të mbrojtur shqiptarët nga ekstremizmi.
"Jemi të detyruar të ndërhyjmë përpara sesa të jetë shumë vonë," tha udhëheqësi politik i UKSH-së Gafur Adili.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes