12/04/2012
Përkrahësit thonë se do të thotë bileta më të lira e lidhje të drejtpërdrejta.
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë -- 12/04/12
![]() Më shumë fluturime po shtohen për t'u shërbyer tregjeve serbe, kroate e kosovare. [Reuters] |
Andrea Dimitrov, një udhëtar nga Bullgaria, vret kohën në Aeroportin e Tiranës. Fluturimi i tij lidhës është nëpërmjet Vienës, rreth 800 km larg nga rruga e tij.
"Eshtë nëpërmjet Vienës sepse nuk ka fluturim të drejtpërdrejtë e bileta është tej mase e shtrenjtë. Pagova 370 euro; mund të gjesh një biletë më të lirë nga Sofja në Londër," tha Dimitrovi.
Në tërësi, kriza financiare botërore do të thotë kohëra të këqija për linjat ajrore dhe Ballkani Perëndimor është vërtetuar se nuk bën përjashtim. Ndërsa disa vende si Serbia kanë fluturuesit kombëtarë të tyre, Shqipëria, Maqedeonia, Bosnjë dhe Hercegovina e Kroacia i kanë privatizuar krejtësisht të tyret ose kanë mbajtur pjesë në fluturues, si Croatian Airlines e Adria Airways. Tregu relativisht i vogël e numri i fluturuesve i ka bërë disa ekspertë që të bëjnë thirrje për një linjë të përbashkët të aftë që t'i shërbejë mbarë rajonin.
"Nëse fluturuesit kombëtarë shkrihen në një fluturues rajonal, kjo do të ofrojë stabilitet në treg, do të ulë çmimet për pasagjerët e [do të inkurajojë] konkurrim të ndershëm ndaj linjave më të mëdha evropiane të pranishme në treg," tha për SETimes Dritan Keliu, një profesor i ekonomiksit e kreu i Qendrës Ballkanike për Ekonominë e Tregtinë.
Tani për tani, linja e vetme ajrore e Shqipërisë është BelleAir, një ndërmarrje private. Në nëntor 2011, autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar i hoqi liçensën Albanian Airlines për t'a penguar atë që të shtohej në një listë të fluturuesve që janë të ndaluar nga BE. Linja ajrore ishte privatizuar më pak se dy vjet më parë.
Në Serbi, qeveria është përpjekur në mënyrë të përsëritur që të privatizojë fluturuesin kombëtar JAT Airways, por pa sukses. Fluturuesi më i madh rajonal mbetet Turkish Airlines, që po rrit shërbimin në Ballkanin Perëndimor.
Ali Genc, zëvendës/president i Turkish Airlines për marrëdhëniet me mediat, tha për SETimes se linja ajrore ka futur dy fluturime në ditë për në Beograd, dhjetë fluturime në javë për në Prishtinë, Shkup, Tiranë e Sarajevë dhe ka në plan që të shtojë një fluturim ekstra në Podgoricë për sezonin veror të udhëtimeve.
"Po bashkëpunojmë me shumë partnerë në rajonin e Ballkanit," tha Genci. "Jemi gati tashmë të bashkëpunojmë me cilindo partner që mund të marë përsipër cilësinë e shërbimit tonë."
"[Tani] fluturojmë në të gjitha kryeqytetet e Ballkanit. Jemi një ndërmarrje me rritje të shpejtë e po zgjerojmë biznesin tonë anembanë botës, si dhe në rajonin e Ballkanit. Kemi bërë përparim të mirë në rajon gjë që mund të shihet duke parë shifrat," shtoi Genci.
Ai thotë se tregu i Ballkanit është shumë i fortë. "Nuk ka thellësi tregu e është shumë i ndjeshëm ndaj çmimeve. Fakti pozitiv rreth rajonit është se ka një rritje të qëndrueshme në treg. Rreth 89% e drejtimit të tregut është në perëndim. Me modelin tonë të ri të rrjetit synojmë të kemi më shumë pjesë nga ky treg e po shohim një përparim," tha Genci.
Keliu thotë se tregjet serbe, kroate e kosovare po shohin një rritje në fluturime.
"Kroacia si një destinacion turistik, ndërsa Kosova e Serbia -- për shkak të diasporës së madhe që jeton jashtë vendit -- po shohin një rritje të madhe në fluturime. Aeroporti i Prishtinës për shumë është një mënyrë për të shkuar në Maqedoni ose Shqipëri, për shkak të largësisë nga ato vende."
Kosova është vendi i vetëm në rajon pa një fluturues privat ose në pronësi të shtetit, gjë që u mundëson ndërmarrjeve të ndryshme që fluturojnë në Prishtinë të kontrollojnë tarifat.
Blerim Meta, një mjek që jeton në Gjermani, tha për SETimes se do të zgjedhë një linjë ajrore të Kosovës po të ishte e mundur. "Ajo do të kontrollonte çmimet e dispora e Kosovës do të dërgonte paratë për biletat drejtpërdrejti në Kosovë jo gjëkund tjetër."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes