Tregimi i një historie të përbashkët nëpërmjet fotografive

07/03/2012

Një ekspozitë udhëtuese fotografike po inkurajon vizitorët të shohin përtej kufijve kombëtarë e të eksplorojnë historinë e përbashkët të Ballkanit.

Nga Maria Paravantes për Southeast European Times në Athinë -- 07/03/12

photo

Një imazh i Urës së Terzive të shekullit të 15-të, që gjendet në Gjakovë, Kosovë, është pjesë e ekspozitës. [Samir Karahoda]

Fjala e urtë "një fotografi vlen një mijë fjalë" është përfundimisht e vërtetë lidhur me ekspozitën fotografike Një Përrallë Ballkanike [www.balkantale.com], që u hap më parë këtë muaj në Banjën e Erërave -- Muzeumi i Artit Folklorik grek në qarkun Plaka të Athinës dhe që vazhdon deri më 8 prill.

Foto-ekspozita udhëtuese e organizuar nga Instituti Gëte i Athinës, me mbështetjen financiare nga BE, përqëndrohet në epokën otomane e ndikimin kulturor të saj në Ballkan nëpërmjet lenteve të pesë fotografëve me qendër në Ballkanin Perëndimor.

Nëpërmjet ngjarjeve paralele ndërvepruese, ka për qëllim të inkurajojë ruajtjen e monumenteve të rregjistruara në fotografi.

Programe arsimorë në gjashtë gjuhë u paraqesin nxënësve të shkollave jetën e popujve të Ballkanit mes shekujve të 14-të e 20-të. Vizitorët çohen pas në kohë me shenja, tinguj e aroma të kohrave otomane.

"Ekspozita e projekti si i tërë nisi pasi zbulimet treguan se trashëgimia kulturore e Ballkanit nuk është vënë re," tha për SETimes historiania e kujdestarja e projektit, Profesore Kristina Kuluri.

Shumica e godinave ekzistuese të periudhës otomane janë shkatërruar, por xhamitë, urat, banjot publike, kishat e ujësjellësat ekzistues shihen në një këndvështrim të ri.

Projekti i ekspozitës -- një përpjekje bashkëpunuese e historianëve nga rajoni -- nxit shikuesit të shohin përtej kufijve kombëtarë e të eksplorojnë historinë e përbashkët të Ballkanit.

"Periudha përpara themelimit të kombeve-shtete të Ballkanit, që është e shoqëruar me shekuj të pranisë otomane në Ballkan, është një kohë 'e errët' në të dyja kuptimet e fjalës -- është e panjohur dhe e konsideruar pa vlerë kulturore," shpjegoi Kuluri.

Qëllimi i projektit, megjithatë, është të theksojë këtë "anë të harruar të historisë sonë të përbashkët ballkanike nëpërmjet monumenteve të periudhës otomane, në pjesën më të madhe, godina publike 'të përdorura' nga grupe të ndryshme etnike e fetare".

Kuluri shtoi se popujt e Ballkanit bashkë-jetuan për shekuj brenda perandorive bizantine e otomane, ose si kombe-shtete të ndryshme në kufi ose brenda Evropës, e cila pas 1989-tës filloi të zgjerojë kuptimin e vet të një "kufiri" si një koncept.

"Eshtë gabim të konsiderosh bashkë-jetesën si të qënit vetëm harmoni e paqe. Përkundrazi, bashkë-jetesa përfshin gjithashtu konflikt e luftë. Evropa është shembulli më i qartë i kësaj. Në shekullin e kaluar, në këtë territor u bënë dy luftra botërore, por njerëzit e saj, shumica, besojnë se i përkasin së njëjtës tërësi kulturore dhe se përbëjnë një bashkim brenda dallimeve të tyre. Pas kësaj, priremi të harrojmë se Ballkani është Evropa Juglindore," tha ajo.

Të pesë fotografët pjesëmarrës janë dakort se dhënia e mundësisë për të eksploruar rëndësinë historike e kulturore të vendeve e monumenteve me shekuj të vjetër, i motivoi të përfshihen në projekt.

"Duket si një vazhdim i natyrshëm ... për të rregjistruar së pari karakterin e këtyre vendeve e pastaj për t'i përfaqësuar fotografikisht ato," tha për SETimes, Ivan Bllazhev, lindur në Shkup.

Bllazhevi mendon se Një Përrallë Ballkanike është një shembull i gjallë i një bashkë-jetes krijuese e thekson rëndësinë e dobishme të saj në realitetin e sotëm.

"Ka shumë shembuj të harmonisë në jetën reale. Nga ana tjetër, më dhëmb shpirti kur shoh e mendoj për shumë shembuj të jetës reale ku kjo bashkë-jetesë është mohuar e duket e pamundur për t'u arritur. Më vjen e natyrshme të mendoj se bashkë-jetesa është e mundur, por pastaj, disa herë, vras mendjen se mos jam një optimsit idealist," tha ai.

Për Juta Benzenberg, me qendër në Tiranë, e lindur në Gjermani, e gjithë kjo ishte rreth dhënies së shansit për të vizituar vende në Shqipëri që nuk i kishte vizituar kurrë më parë e për t'u ftuar që të "ndjehej" një pjesë e historisë së vendit nëpërmjet monumenteve të tij.

"Nuk dëshiroja t'i fotografoja këto godina në një mënyrë turistike, por më shumë të përpiqesha të kapja përdorimin e rolin e tyre në jetën e përditshme të njerëzve," tha Benzenbergu për SETimes.

Ajo shpejton të vërë në dukje kërkimin e saj për një lidhje të drejtpërdrejtë me objektin e artit të saj.

"Disa herë do të shkoja në shtëpi pa ndjerë atë lidhje të posaçme ... kështu që do të kthehesha e do të prisja që diçka të më prekte ... kjo është ajo që mendoj se e bën këtë projekt kaq interesant; keni pesë vështrime të ndryshme pamore mbi historinë," shpjegoi ajo.

"Për mua ishte rreth eksplorimit të kuptimit të këtyre monumenteve në mjedisin e tanishëm shoqëror e politik të cilëve u përkasin," tha për SETimes fotografi me qendër në Beograd Ivan Petroviç. Ai shtoi se për të, bashkë-jetesa e popujve të Ballkanit nuk duhet të jetë fare një problem, pasi është e gjitha për politikë.

Artikuj që kanë lidhje

Loading

Për Kamilo Nollas, lindur në Paris, Një Përrallë Ballkanike është e gjitha rreth shuarjes së stereotipeve e shkuarjes përtej "demonizimit" të epokës otomane.

"Nuk besoj në konceptin se kufijtë duhet të ekzistojnë fare. Eshtë jetike që nëpërmjet projekteve të tilla si këto që jemi në gjendje të shohim çfarë na bashkon, të identifikojmë gjërat e mira që kulturat e tjera lanë pas duke ikur," tha Nollas me qendër në Athinë për SETimes.

Nollasi tha se nëpërmjet udhëtimeve të tij nëpër Greqi, ai zbuloi nëpërmjet monumenteve se në jetën e përditëshme njerëzit jetonin në harmoni. "Sinagogat, kishat e xhamitë rrinë pranë njëra-tjetrës."

Nga Athina, Një Përrallë Ballkanike do të udhëtojë në Selanik, Beograd, Prishtinë, Shkup, Tiranë e Bruksel dhe pastaj në Gjermani.

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.
Loading
Voto
 
 

Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.

Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.

Politika e komenteve të SETimes

Reportazh

Rajoni, Turqia, optimistë lidhur me krerët e rinj të BERajoni, Turqia, optimistë lidhur me krerët e rinj të BE

Zyrtarët rajonalë thonë se ndryshimet më të fundit të personelit në BE do të kenë një ndikim pozitiv në marrëdhëniet me Brukselin.

Më popullor

Loading
Loading
Loading

Anketë

A duhet Greqia të ndryshojë trajtimin e imigrantëve ilegalë?

Po
Jo
Nuk e di