12/01/2012
Njerëzit anembanë rajonit zotërojnë një numër të madh armësh zjarri të siguruara në tregun e zi, duke përmendur si arsye sigurinë. Ironikisht, shumica e gjerë e veprimeve kriminale përfshijnë armë të paligjshme.
Nga Bedrana Kaletoviç për Southeast European Times në Sarajevë -- 12/01/12
![]() Rreth një e pesta e popullsisë së BiH-së zotëron armë të parregjistruara. [Reuters] |
Rreth një e pesta e e popullsisë së Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) zotëron 750,000 armë të parregjistruara, sipas zyrtarëve që përmendin përhapjen e gjërë dhe mundësinë e kollajtë në tregun e zi si një burim të madh shqetësimi.
"Pas aksidenteve të trafikut, armët e paligjshme janë shkaku më i zakonshëm i vdekjeve në BiH. Rreth 90% e veprime të paligjshme bëhen me përdorimin e armëve të paligjshme," tha për SETimes Denis Haxhoviç i Qendrës për Studime të Sigurisë në BiH.
Shumica e armëve të paligjshme janë armë dhe çifte, por policia thotë se ka konfiskuar gjithashtu pajisje shpërthyese, pushkë snajper dhe topa.
Shumë njerëz i morën armët e blera fshehurazi nga republikat ish-jugosllave në luftën e tyre për pavarësi. Kroacia bleu armë nga Hungaria e vende të tjera dhe tani shumë prej tyre zotërohen në mënyrë private, sipas Blagoja Markovski, drejtor i Forumit të Sigurisë së Ballkanit në Shkup.
"Rreth 700,000 armë hynë në republikat ish-jugosllave kryesisht nga depot e ruajtjes së armëve të Shqipërisë, që u plaçkitën më 1997. Kontrabanda nga blloku ish-lindor dhe përtej, kryesisht nga Bullgaria, është një kanal tjetër furnizimi," tha Markovski për SETimes.
Profesori i Studimeve të Sigurisë të Kosovës Abdullah Hasani tha për SETimes se pasiguria rreth shifrave të sakta e bën të vështirë që autoritetet të veprojnë në mënyrë të efektshme.
"Nëse nuk di numrin, është e pamundur të dish qartë kërcënimin që vjen nga ato armë dhe me sa duket ky është një kërcënim i madh," tha Hasani, duke shtuar se me krahasim, ka rreth 330,000 armë të paligjshme në Kosovë.
Ndërsa disa i përkasin grupeve të krimit të organizuar, shtoi Hasani, armët që mbeten në duart civile është një traditë vendase për shumë popuj të Ballkanit.
Policia e BiH-së thotë se numri i akuzave për armë të paligjshme po rritet, me një akuzë penale të nxjerrë gati çdo ditë. Në gjashtë muajt e parë të 2011-tës, policia thotë se Republika Sërbska rregjistroi 206 raste të armëve të paligjshme.
"Gjendja e pasigurisë së përgjithshme shoqëroro-ekonomike [shkakton] rritjen në veprimtaritë e paligjshme dhe [është] motivi më i zakonshëm që shtetasit të blejnë dhe të zotërojnë armë," tha për SETimes Komisioneri i Policisë së Kantonit të Tuzlës Fadil Sljiviç.
Që kur përfundoi lufta në BiH më 1995, armët e paligjshme kanë qenë një faktor në më shumë se 10,000 vdekje -- më shumë se gjashtë herë nga numri i viktimave prej minave tokësore, që kanë marë shumë më tepër vëmendje publike.
"Temperamenti i Ballkanit -- i kombinuar me armët -- rrallë përfundon në mbrojtje dhe shumë më shpesh në tragjedi të përgjakshme. Krimet e pasionit, të mos menduarit rreth pasojave të veprimit të dikujt apo thjesht tërbimi dëgjohet më shpesh prej atyre që përdorin armët, ndërsa viktimat nuk mund të thonë shumë në mbrojtjen e tyre, pasi shpesh ata nuk mbijetojnë," tha për SETimes psikologia klinike e Qendrës Shëndetësore në Tuzla, Vesna Mehanoviç.
Qendra për Studimet e Sigurisë në BiH i ka bërë jehonë rëndësisë së dorëzimit të armëve në polici apo mbrojtjen civile. Ekspertët e Qendrës thonë se konsiderojnë se pak mund të arrihet nëse përdoren masa shtypëse për të rimarë armët që mungojnë.
Parandalimi është kryesor, argumentojnë ata.
Ekspertët vënë në dukje gjithashtu rëndësinë e krijimit të një kuadri ligjor në përputhje me rregulloret e BE-së dhe kalimin e armëve nga të paligjshme në të ligjshme.
"Ekzistoi një ide për të dhënë një shpërblim monetar për dorëzimin e armëve të paligjshme, por në këtë rast ka një rrezik të rrjedhjes së armëve të paligjshme nga vendet përreth," tha Haxhoviçi.
Zyrtarët e ministrisë së brendshme të FBiH-së thonë se pavarësisht nga veprimtaritë e vazhdueshme të ndërmara për të mbledhur armët e municionet, shtetasit ende zotërojnë sasi të mëdha të mbetur nga lufta.
Ligji ekzistues parashikon se ata që dorëzojnë armët në polici nuk do të ketë pasoja ligjore ose materiale.
Markovski, megjithatë, tha se rezultatet maksimale kërkojnë një veprim të përbashkët, të përgjithshëm për të mbledhur armët e paligjëshme anembanë Evropës Juglindore. "Mund të organizohet lehtësisht dhe të zbatohet me pjesëmarrjen e partnerëve perëndimorë dhe nëpërmjet programeve të UNDP-së."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes