29/09/2011
Vdekja e Agim Zogaj ngre pyetje rreth mbrojtjes së dëshmitarëve, thonë ekspertët.
Nga Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Prishtinë -- 29/09/11
![]() Ish-anëtari i UÇK-së Fatmir Limaj ndeshet me akuza të krimeve të luftës. [Reuters] |
Një dëshmitar kryesor i mbrojtur që dëshmon në gjyqin e krimeve të luftës të politikanit veteran të Kosovës dhe ish-anëtarit të UÇK-së Fatmir Limaj, është gjetur i vdekur në Gjermani, ku nga sa duket ka kryer vetëvrasje, thanë zyrtarët të mërkurën (28 shtator).
Zëdhënësi i EULEX-it Blerim Krasniqi i tha SETimes se trupi i Agim Zogajt u zbulua në një park të qytetit. Zogaj ishte i njohur si "dëshmitari i mbrojtur X" në të ashtu-quajturin rasti i Kleçkës. Limaj dhe nëntë ish-anëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) janë akuzuar për tortura dhe vrasje të të burgosurve në një kamp burgimi në fshatin Kleçka më 1999.
"Autoritetet gjermane po kryejnë hetimet e nevojshme për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së tij," shtoi Krasniqi. Sipas Washington Post, policia gjermane beson se Zogaj vari veten të martën vonë në Duisburg të Gjermanisë perëndimore.
Javën e shkuar, një gjyqtar i EULEX-it në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës urdhëroi që Limaj të qëndrojë një muaj në arrest shtëpie në pritje të gjyqit. Rasti i krimeve të luftës po hetohet nën mbikqyrjen e një Prokurori të EULEX-it nga Zyra e Prokurorisë së Posatçme të Kosovës. Shumë nga akuzat ishin mbështetur në deklaratat e dëshmive të Zogajt.
Avokati Bajrush Bajrami i thotë SETimes: "Gjykata do të vlerësojë rrethanat e tanishme dhe do të vendosë sesi do të procedojë me të. Do të ishte sfiduese tani për prokurorët pa dëshmitarin kryesor."
Ai thotë se EULEX ka nevojë të hetojë dhe të shqyrtojë sistemin e mbrojtjes së dëshmitarëve të tij edhe mes njoftimeve se rasti i Zogajt ishte një vetëvrasje.
"Në të kaluarën ka patur njoftime në të cilat Kosova dhe EULEX ishin fajësuar për një sistem të dobët mbrojtje dhe ky rast do të forcojë këto pretendime," thotë ai.
Komentatori politik Fatlum Sadiku është dakort. "EULEX duhet t'u përgjigjet disa pyetjeve: pse ishte ai në Gjermani, nëse ishte nën mbrojtje dhe pse e vonuan procesin," duke shtuar se "sistemi i mbrojtjes së dëshmitarëve kërkon profesionalizëm dhe duhet të kryhet nga një institucion i përhershëm, jo EULEX, që ka një mandat kohor të kufizuar," thotë Sadiku për SETimes.
"Disa mund t'a përdorin këtë si një argument se në Kosovë, hetimet mbi krimet e luftës dhe çështje të tjera të nxehta, janë të vështira, për të mos thënë të pamundura, për shkak se dëshmitarët janë të vdekur."
Ai parashikon se Beogradi do të përdorë rastin për të kërkuar për një hetim nën mandatin e OKB-së për raportin e Dik Martit.
"Eshtë e qartë se Beogradi do të ngrejë këtë çështje si një argument se Kosova dhe EULEX nuk mund të hetojnë çështje të ndjeshme," thotë Sadiku.
Në janar, anëtari i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) Zhan-Sharl Gardeto tha se dëshmia e dëshmitarëve është vendimtare për procesin e zbulimit të së vërtetës dhe arritjes së pajtimit. Por në shumë raste, tha ai, dëshmitarët ndihen ngurrues të dalin sepse ndeshen me kërcënimin e shpagimit.
"Në Kosovë, dëshmitarët janë vrarë," i tha Gardeto këshillit.
PACE i kërkoi misionit të BE-së në Kosovë (EULEX) kur miratoi raportin e Dik Martit që të krijojë një program mbrojtje të dëshmitarëve, pa të cilin asgjë nuk mund të procedohet.
Bytyçi thotë se me vdekjen e Zogajt, sistemi i mbrojtjes ka dështuar.
"EULEX ka theksuar në mënyrë të përsëritur se mbrojtja e dëshmitarëve është e pamjaftueshme në Kosovë. Ky rast përbën një dështim të drejtësisë dhe një nevojë për të forcuar më tej mbrojtjen e dëshmitarëve," thotë Bytyçi.
Ai thotë se nevojiten hapa të tjera.
"Nga sa duket, gjëra të tilla si arresti në shtëpi apo largimi i dëshmitarëve nga vendi nuk janë të mjaftueshëm. Ajo që na nevojitet është ndoshta të hiqet e gjithë familja e dëshmitarëve apo vënia e dëshmitarëve në kujdestari të plotë të policisë," sugjeron Bytyçi.
Limaj, një anëtar me ndikim i Partisë Demokratike të Kosovës të Kryeministrit Hashim Thaçi, po hetohet më vete nga EULEX për korrupsion. Kjo vjen nga koha që shërbeu si ministër i transportit dhe post-telekomunikacioneve midis 2008-tës dhe 2010-tës.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes