15/09/2011
Në një veprim të pashembullt, Bullgaria ka ngrirë 30 milionë euro në ndihmë të BE-së për projekte të zhvillimit rajonal dhe mjedisor në qytetin Sliven, thanë zyrtarët të mërkurën.
(Sega, Trud, FOCUS News Agency - 15/09/11; AFP, The Sofia Echo, Sofia News Agency, BNT, Capital.bg, Dnevnik.bg, Mediapool - 14/09/11)
![]() Zyrtarë bullgarë pezulluan 30 milionë euro në ndihma të BE-së për qytetin Sliven për shkak të një mashtrimi të mundshëm. [Reuters] |
Kryeministri bullgar Bojko Borisov pohoi të mërkurën (14 shtator) se tetë projekte të financuara nga BE-ja në qytetin juglindor të Slivenit në vendin e tij janë pezulluar nga qeveria për shkak të dyshimeve për mashtrim.
Financimi për zbatimin e tyre, që arrin në rreth 30 milionë euro, do të mbetet i bllokuar derisa "e gjithë situata ... të jetë sqaruar," shtoi ai, duke theksuar se personalisht kishte urdhëruar ngrirjen e ndihmës.
Borisovi tha se vendosi të ndërmarrë veprimin e pashembullt për vendin e tij pasi katër ose pesë anëtarë të qeverisë së tij e kishin njoftuar gjatë muajit të kaluar apo rreth asaj kohe për shqetësimet e tyre në lidhje me probleme me projektet në Sliven, që drejtohet nga kryetari i bashkisë Jordan Leçkov.
Mes tyre ishin ministrja e zhvillimit rajonal Liljana Popova dhe parardhësi i saj Rosen Plevneliev, që dha dorëheqjen më parë këtë muaj pasi partia GERB e qendrës së djathtë e Borisovit e emëroi atë si kandidatin e saj presidencial në zgjedhjet e 23 tetorit.
Një tjetër ishte ministri i Administrimit të Fondit të BE-së i Bullgarisë Tomisllav Donçev, zëdhënësi i të cilit tha për AFP-në të mërkurën se "fondet janë pezulluar që në gusht, ndërsa hetohen parregullsi të mundshme".
"Ky është një veprim parandalues nga ana e qeverisë bullgare," shtoi ai.
Një projekt prej 27 milionë eurosh për rindërtimin e 110 km të rrjetit të furnizimit me ujë dhe të ujërave të zeza të Slivenit është më i madhi mes tetë nismave që janë pezulluar të cilat janë financuar sipas programeve funksionale të Zhvillimit Rajonal dhe Mjedisor të BE-së.
Në komente për Televizionin Kombëtar Bullgar shtetëror (BNT), Donçevi iu referua akuzave për shkelje të rregullave për prokurimet publike në zgjedhjen e kontraktuesve.
"Dyshimet janë se procedura ishte diskriminuese dhe dëmtoi konkurrencën," tha ai.
Borisovi u tha gazetarëve të mërkurën se çështja i ishte referuar tashmë prokurorisë dhe se Komisioni Evropian (KE) e kishte mirëpritur vendimin e qeverisë për të ngrirë financimin për projektet.
Akuzat e parregullsive u shfaqën në mes të korrikut, kur një grup i këshilltarëve bashkiakë të Slivenit vendosën në internet një dokumentar me titra në anglisht, të titulluar "Mafia e re".
Ata akuzuan Leçkovin, që ka drejtuar Slivenin gjatë tetë viteve të fundit dhe shpreson të rizgjidhet për një mandat të tretë si kryetar në tetor, për mbytjen e konkurrencës në tenderat për projektet e ndërtimit. Grupi tha se e kishte dërguar në Bruksel dokumentacionin që mbështeste pretendimet e tyre.
KE është duke përgatitur një letër për autoritetet bullgare në lidhje me projektet e financuara nga BE-ja në Sliven, njoftoi të mërkurën faqja e lajmeve në internet me qendër në Sofje, Mediapool, duke cituar zëdhënësin e Komisionerit të Bashkimit për Politikën Rajonale Johanes Hahn, Ton van Lierop.
Një ish-yll i futbollit bullgar, Leçkovi është kandidati i GERB-it për kryetar të Slivenit në zgjedhjet për pushtetin vendor në tetor. Borisovi u tha gazetarëve të mërkurën se nëse keqbërja nuk është vërtetuar, partia e tij nuk do të heqë mbështetjen e saj për të.
Duke njoftuar emërimin e tij në fillim të korrikut, kryeministri vuri në dukje se Leçkovi ka "pikat e dobta" të tij, si çdokush tjetër, por se do t'i "rregullojë" ato gjatë mandatit të tij të ardhshëm.
Ndërkohë, BNT citoi Leçkovin t'u ketë thënë gazetarëve në Sliven se ishte gati t'i paraqiste KE-së dhe autoriteteve të tjera kompetente të gjitha dokumentet e nevojshme, si dhe qëndrimin e tij mbi çështjen.
Kryetari u gjykua për akuza të abuzimit të pushtetit, por u shpall i pafajshëm në mars.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes