14/09/2011
Rrugët në veri janë përsëri të bllokuara, ndërsa serbët betohen t'i bëjnë qëndresë një marrjeje të kontrollit të kalimeve kufitare nga autoritetet kosovare.
Nga Igor Jovanoviçi dhe Muhamet Brajshori për Southeast European Times në Beograd dhe Prishtinë -- 14/09/11
![]() Serbët e Kosovës bllokojnë një rrugë në fshatin Rudare, pranë Zveçanit, më 30 korrik. Barrikadat u ngritën përsëri të martën (13 shtator), mes planeve që policia kosovare të marrë kontrollin e pikave të kalimit në veri. [Reuters] |
Vetëm disa javë pasi një marrëveshje e përkohshme largoi krizën në kufi, rrugët në Kosovën e veriut po bllokoheshin përsëri të martën (13 shtator), ndërsa serbët vendas ndërtuan barrikada për të protestuar kundër marrjes së kontrollit të pikave të kalimit nga autoritetet kosovare.
Prishtina ka premtuar të ecë përpara me planet të premten, pavarësisht nga kundërshtimi vendor.
"Jemi duke planifikuar një sërë protestash paqësore dhe mosbindje civile," tha kryetari i Zubin Potokut Sllavisha Ristiç për SETimes. "E shohim [marrjen e kontrollit] nga doganat kosovare të papranueshme, sepse kjo do të thotë se do të ndahemi nga Serbia dhe do të themelohen institucionet e një shteti që nuk e njohim."
Banorët vendosën trungje dhe thasë me rërë në rrugë ose përdorën kamionë dhe autobusë për të penguar kalimin. Të mërkurën, trafiku ishte ndaluar plotësisht ose pjesërisht në rrugët kryesore që dalin nga Mitrovica.
Në qytetin e Leposaviçit, banorët lejonin që vetëm një korsi e trafikut të mbetej e hapur, në një përpjekje për të parandaluar që KFOR të transportonte pajisje të doganës në pikat e kontrollit administrativ të Jarinjës dhe Bërnjakut.
Në Zveçan, megjithatë, një kolonë e KFOR-it njoftohet se u lejua të kalojë, pasi banorët u siguruan se destinacioni i saj nuk ishin pikat e kontrollit kufitar, por përkundrazi Kampi Nothing Hill në Leposaviç.
Ndërsa tensionet ngrihen, qeveria serbe i ka bërë thirrje BE-së, OKB-së dhe NATO-s që të parandalojnë atë që e përshkroi si një veprim "të njëanshëm" nga Prishtina, duke thënë se në lojë është stabiliteti rajonal.
Plani i marrjes së kontrollit "rrezikon vazhdimin e dialogut [ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës] dhe zbatimin e marrëveshjeve neutrale ndaj statusit që janë arritur," tha ajo.
Autoritetet kosovare thonë se janë të vendosura për të ecur përpara siç është planifikuar. "Ka ardhur momenti," tha kryeministri Hashim Thaçi për Radion Europa e Lirë të martën. "Të ardhurat që do të vijnë [nga pikat doganore] dhe fluksi i mallrave nga Serbia në Kosovë do të derdhen drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës."
Duke folur për SETimes, komentatori politik Fatlum Sadiku tha se vizita muajin e kaluar në rajon e kancelares gjermane Angela Merkel ndryshoi lojën, duke nxitur EULEX-in që të bashkëpunojë më ngushtë me Prishtinën kur bëhet fjalë për gjendjen në veri.
Gjatë vizitës së saj, Merkeli kërkoi që "strukturat paralele" serbe në veri të mbyllen. Ajo i lidhi drejtpërdrejt shanset e Beogradit për në BE me këtë çështje.
"EULEX -- që nga deklaratat e Merkelit -- e ka pranuar se duhet [t'i hipë] trenit, pasi ai do të ecë me ose pa të," tha Sadiku. "EULEX e di se Prishtina dëshiron të shtrijë autoritetin e saj dhe dëshiron të jenë pjesë e çdo veprimi, në vend që të qëndrojë dhe të bëjë sehir, si në korrik."
Policia e Kosovës dhe EULEX-it janë të përgatitur për çdo gjendje që mund të shfaqet, tha Profesori i Studimeve të Sigurisë Abdullah Hajdari.
"Veprimtari kriminale të tilla si barrikada apo djegie të pikave doganore nuk do të tolerohen," tha Hajdari për SETimes.
Kryetari Ristiç, megjithatë, tha se serbët e Kosovës nuk duhet të detyrohen që të pranojnë qeverisjen nga një shtet që nuk e njohin si të ligjshëm.
"Komuniteti ndërkombëtar nuk i detyroi shqiptarët që të pranonin institucionet serbe, prandaj as nuk do të jenë në gjendje të na detyrojnë që të pranojmë institucionet e Prishtinës," tha Ristiçi.
Kreu i projektit Kosovo Compromise, Aleksandar Mitiç, tha se megjithëse serbët mund t'i shohin si të papëlqyeshme mundësitë në tryezë, ata kanë fuqi të kufizuar.
"Duhet mbajtur mend se autoritetet e Beogradit e kanë bërë pranimin në BE përparësinë e tyre, gjë që praktikisht u ka hequr mundësinë e veprimit vendimtar mbi çështjen e Kosovës," tha Mitiçi për SETimes.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes