05/09/2011
Ministri për Zhvillimin Rajonal Rosen Plevneliev, ish-komisionerja e BE-së Meglena Kuneva dhe ish-ministri i jashtëm Ivajlo Kalfin janë mes më shumë se një duzine konkurrentësh që shpresojnë të fitojnë zgjedhjet presidenciale të 23 tetorit në Bullgari.
(The Sofia Echo, Sofias News Agency, FOCUS News Agency, Dnevnik.bg -- 04/09/11 - 05/09/11; Mediapool, Sega, Reuters, AFP - 04/09/11)
![]() Sipas sondazhit më të fundit të opinionit, ministri i zhvillimit rajonal Rosen Plevneliev (djathtas) do të fitojë zgjedhjet e 23 tetorit. [Reuters] |
Bashkimi politik "Shtetasit për Zhvillimin Evropian të Bullgarisë" (GERB) emëroi të dielën (4 shtator) ministrin e zhvillimit rajonal Rosen Plevneliev si kandidatin e saj për zgjedhjet e ardhshme presidenciale të Bullgarisë.
Teknokrati orator 47 vjeçar është pjesë e më shumë se një duzine konkurrentësh që shpresojnë të fitojnë votimin më 23 tetor dhe të pasojnë presidentin Georgi Parvanov në detyrë, mandati i dytë pesëvjeçar i të cilit përfundon në janar.
Aspirues të tjerë kryesorë presidencialë përfshijnë komisioneren e parë të Bullgarisë në BE Meglena Kuneva, e cila është duke konkurruar si kandidate e pavarur dhe ish-ministrin e jashtëm Ivajlo Kalfin, që është emëruar për funksionin nga partia socialiste e vendit.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov, udhëheqës i GERB-it, konfirmoi zyrtarisht emërimin e Plevnelievit në një konferencë për shtyp në Sofje, së bashku me atë të ministres së drejtësisë Margarita Popova si kandidate për zëvendës/presidente. Të dy ministrat, asnjëri prej të cilëve nuk është një anëtar i partisë në pushtet ose i ndonjë partie tjetër, do të paraqesin dorëheqjet e tyre të mërkurën, kur do të njoftohen zëvendësimet e tyre.
Disa orë përpara njoftimit të Borisovit, agjencia e sondazheve MBMD caktoi Plevnelievin si favoritin kryesor në garën presidenciale, duke përmendur rezultatet e sondazhit të tyre të fundit të opinionit, duke vënë në dukje megjithatë se presidenti i ardhshëm i Bullgarisë ka të ngjarë të zgjidhet në një balotazh më 30 tetor.
Ministri i zhvillimit rajonal do të grumbullonte 32,7% të votave nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin sot, tha MBMD. Kuneva do të renditej në një vend të dytë të largët me 15,7%, përpara Kalfini me 12,3%. Cilido prej atyre të dyve që do të arrinte në raundin e dytë të votimit, agjencia besoi se Plevnelievi do të fitonte.
Volen Siderov, kreu i partisë ultra-nacionaliste Ataka dhe udhëheqësi i vetëm i një partie të përfaqësuar në parlament që kandidon për funksionin presidencial, pritet të marrë vetëm 2% të votave, shumë më pak sesa 21,5% që grumbulloi në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të kaluara më 2006. Më pas, ai u mposht në balotazh nga Parvanovi, që fitoi një mandat të dytë në detyrë pasi mori 76% të votave.
Krashimir Karakaçanov, udhëheqësi i një partie tjetër nacionaliste bullgare, VMRO, ka të ngjarë të mbledhë 2,3% të votave më 23 tetor, ndërsa Rumen Hristov, që u emërua si kandidat për funksionin presidencial nga Koalicioni Blu i krahut të djathtë, do të marrë 1,9%.
Biznesmeni i shumëdiskutuar bullgar Aleksei Petrov, një ish-komando dhe këshilltar në Agjencinë Shtetërore për Sigurinë Kombëtare, që u arrestua më 2010 me akuza për përfshirje në krimin e rëndë të organizuar, mund të marrë 1,5% të votave, sipas sondazhit të MBMD-së.
Sondazhi, i zhvilluar nga agjencia ndërmjet 29 gushtit dhe 1 shtatorit mes 1052 votuesve, gjithashtu tregoi se rreth 20% e të anketuarve nuk do të votojnë në zgjedhje.
Alpha Research gjithashtu pret që kandidati i GERB-it të fitojë votimin, por në raundin e dytë, të cilin agjenci të tjera të sondazhit e shohin si të pashmangshëm.
Përveç zgjedhjeve presidenciale, në Bullgari më 23 tetor do të zhvillohen edhe zgjedhjet për qeverisjen vendore.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes