06/06/2011
Qeveria thotë se tubacioni do të ndihmojë Turqinë të realizojë qëllimin e vet për t'u bërë një lojtar kyç rajonal
Nga Alakbar Raufoglu për Southeast European Times -- 06/06/11
![]() Nabucco do të transferojë gazin nga Azia në Evropë, me qëllim reduktimin e vartësisë së energjisë nga Rusia. [Reuters] |
Ministrat e energjisë të gjashtë vendeve evropiane dhe komisioneri i BE për energjinë pritet të mblidhen në Turqi të mërkurën (8 qershor) për të nënshkruar një marrëveshje mbështetëse për projektin e tubacionit Nabucco, që ka ndërmend të sjellë gaz nga Azia në Evropë dhe të reduktojë vartësinë nga Rusia.
Ministri i energjisë Taner Jildiz, i cili është gjithashtu një kandidat kyç për Partinë qeverisëse për Drejtësi e Zhvillim (AKP) në zgjedhjet e ardhëshme, do të presë ceremoninë në qytetin e tij Kaiseri në qendër të Anatolisë.
Ankaraja do të sheshojë marrëveshjen e ndihmës përpara zgjedhjeve të 12 qershorit. Shumë krerë të AKP besojnë se vonesa e Nabucco mund të nxiste Rusinë të shpejtonte kontratat me partnerët për tubacionin rival Rrjedha e Jugut.
"Turqia do që të bëhet një vend kyç në rajonin e vet dhe ne jemi gati për çdo përpjekje për të realizuar këtë projekt," tha Mahmut Muçahit Findikli, deputet i AKP dhe nënkryetar i komitetit parlamentar për energjinë, duke shtuar se Nabucco është me rëndësi të madhe për Ankaranë dhe partnerët e vet evropianë.
"Në qoftë se takimi i Kajserit është i suksesshëm, gjithkush do të përfitojë prej tij," i tha ai SETimes.
"Duke qenë opzioni më i mirë për transportin e naftës dhe gazit kaukazian dhe të Irakut, Turqia mund t'i sjellë të gjitha vendet në përfundimin se kjo do të jetë me përfitim për gjithsecilin," shtoi Findikli.
Por disa analistë të energjisë dhe politikanë nuk janë aq optimistë.
Taçidar Sejhan, një anëtar i të njëjtit komitet parlamentar nga Partia Republikane Popullore (CHP), thotë se Nabucco është një "projekt i vdekur" për Turqinë dhe se "Ankaraja nuk ka nevojë për të."
"Roli ynë në këtë projekt të pjesshëm është i kufizuar në transportin e gazit; ne bile nuk kemi akses ndaj tij," i tha ai SETimes. AKP thjeshtë po e përdor Nabucco "për fushatën zgjedhore", shtoi ai. Mete Goknel, ish drejtori i kompanisë shtetërore të Turqisë, BOTAS, ngre të tjera shqetësime.
"Planet e BE për të nisur ndërtimin e tubacionit janë shtyrë për një tjetër vit, deri në 2013 sepse konsorciumi nuk ka gati kontratë furnizimi gazi," i tha ai SETimes. Nën të tilla kushte, tha ai, nuk është e qartë pse ministrat e BE janë ftuar në Kajseri.
"Unë nuk kam dëgjuar kurrë për një marrëveshje mbështetëse në ndonjë projekt tubacioni ndërkombëtar," tha ai.
Goknel tha se ai vret mendjen pse takimi të mbahet në Kajseri në vend të kryeqytetit, Ankarasë, "apo së paku Stambollit".
"Është gjithashtu ende e paqartë se nën çfar rrethanash do të marrin pjesë në projekt furnizuesit e mundshëm të gazit: Azerbaixhani apo Iraku," shtoi ai.
Sipas Findikli, megjithatë, takimi do të dërgojë një mesazh. Qëllimi i tij është, tha ai, të tregojë mbarë botës se Nabucco ka mbështetje politike dhe se projekti do të realizohet shpejt apo vonë.
Sapo të përfundojë, Nabucco do të transportojë 31 miliard metra kub gaz të përllogaritur në vit nga Lindja e Mesme dhe baseni kaspik në Evropë nëpërmjet Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë, për në një shpërndarës jashtë Vienës.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes