28/07/2010
Kryeministri britanik Dejvid Kameron thotë se është "i zemëruar" rreth ritmit të ngadaltë të bisedimeve të anëtarësimit të Turqisë në BE.
(The Guardian - 28/07/10; AFP, Reuters, FT, RFE/RL, BBC, Telegraph, Euobserver, Hurriyet, Downing Street No.10 - 27/07/10)
![]() Kryeministri Dejvid Kameron (djathtas) dhe homologu turk i tij Rexhep Tajip Erdogan u takuan në Ankara. [Getty Images] |
Duke pohuar përsëri mbështetjen e fortë për kërkesën e Turqisë për në BE, Kryeministri britanik Dejvid Kameron kritikoi të martën (27 korrik) kundërshtarët e shpresave të vendit me shumicë muslimane për t'u bashkuar me bllokun si një anëtar i plotë.
Duke vizituar Ankaranë për herë të parë që nga marrja e funksionit në maj, Kameron bëri një krahasim me përpjekjet e Francës në vitet 1960 për të bllokuar hyrjen e vendit të tij në Komunitetin Ekonomik Europian, paraardhësi i BE të sotëm.
"E dimë sesi është të lihesh jashtë klubit," tha Kameron. "Por e dimë gjithashtu se këto gjëra mund të ndryshojnë."
Ai tha se ka tre kategori kundërshtarësh të kërkesës së anëtarësimit të Turqisë: proteksionistët, që frikësohen nga fuqinë ekonomike e saj; të polarizuarit, që duan që ajo të zgjedhë midis Perëndimit e Lindjes dhe të paragjykuarit, që me qëllim e keqkuptojnë Islamin.
"Do të argumentoj kurdoherë se vlerat e Islamit nuk janë të papërputhshme me vlerat e Europës, se Europa është përcaktuar jo nga feja, por nga vlerat," tha Kameron.
Turqia nisi bisedimet e anëtarësimit me BE në tetor 2005. Por procesi ka qenë i ngadaltë, pasi vendi ka arritur të hapë bisedimet në vetëm 13 nga 35 kapitujt që vendet kandidatë duhet të përfundojnë. Kjo është kryesisht për shkak të përparimit të zvarritur të reformave të Turqisë dhe mospranimit të saj për të hapur portet dhe aeroportet për trafikun nga anëtarja e BE, Qiproja, si rezultat i së cilës tetë nga kapitujt e bisedimeve mbeten të ngrirë.
Një faktor tjetër që kontribuon në ritmin e bisedimeve është këmbëngulja e Francës dhe Gjermanisë se Ankarasë nuk duhet t'i ofrohet anëtarësim i plotë në bllok pasi të përfundojë bisedimet, por një lloj "partneriteti i privilegjuar".
Duke i bërë thirrje Turqisë që të vazhdojë zbatimin "agresivisht" të reformave të kërkuara nga BE, Kameron shprehu "zemërim" ndaj masave për të penguar përparimin e pranimit të saj.
"Kur mendoj se çfarë ka bërë Turqia për të mbrojtur Europën si një aleate e NATO-s dhe çfarë Turqia bën në Afganistan sot, përkrah aleatëve europianë, më inatos që përparimi juaj drejt anëtarësimit në BE mund të pengohet në mënyrën se si ka qenë," tha ai. "Pikëpamja ime është e qartë: besoj se është thjesht gabim të thuash se Turqia mund të ruajë kampin, por nuk mund të lejohet të ulet në tendë."
Kreu britanik u zotua gjithashtu që të nxisë aktivisht dhe "të luftojë" për kërkesën e anëtarësimit të Turqisë, duke thënë se dëshironte që të dy vendet të "shtrojnë rrugën nga Ankaraja në Bruksel".
Kameron nënshkroi të martën me Kryeministrin turk Rexhep Tajip Erdogan një dokument të partneritetit strategjik, i cili ka për qëllim thellimin e lidhjeve tregtare e të mbrojtjes dhe këmbënguli se BE vetëm mund të përfitojë politikisht dhe ekonomikisht nga anëtarësimi i Turqisë.
Turqia, e cila ka më tepër të rinj se secili nga 27 vendet anëtarë të BE, pritet të kapë vendin më të populluar të bllokut, Gjermaninë, brënda gjashtë viteve të ardhshëm. Ajo do të jetë gjithashtu ekonomia e dytë më e madhe në Europë deri më 2050.
"Një Bashkim Europian pa Turqinë nuk është më i fortë, por më i dobët, jo më i sigurtë, pot më i pasigurtë, jo më i pasur, por më i varfër," theksoi Kameron.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes