27/04/2010
Ndërsa zyrtarë zotohen të vazhdojnë punën e Këshillit në nxitjen e të drejtave të njeriut dhe demokracinë, ka shpërthyer tashmë një grindje me Greqinë lidhur me titullin e zgjedhur për kryesimin.
Nga Goran Trajkov për Southeast European Times në Shkup -- 27/04/10
![]() Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës Thorbjorn Jagland (majtas) u takua në Shkup me Kryeministrin Nikola Gruevski (në mes). [Tomislav Georgiev/SETimes] |
Për herë të parë në histori, Maqedonia do të kryesojë Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës (CoE) duke filluar nga maji. Ky do të jetë kryesimi i dytë i nivelit të lartë që mbahet nga vendi, pas detyrës së diplomatit të lartë Sërxhan Kerim në krye të Asamblesë së Përgjithëshme të OKB më 2008.
Gjatë një vizite në mes të prillit në Shkup, ku takoi Ministrin e Jashtëm Antonio Milososki, Sekretari i Përgjithshëm i CoE Thorbjorn Jagland tha se Maqedonia do të kryesojë gjatë një faze kryesore të zhvillimit të Këshillit, duke filluar me hyrjen në fuqi të Traktatit të Lisbonës.
Ai tha se pret sukses, bazuar në besueshmërinë që Maqedonia ka fituar nga refomat e ndërmarra.
Milososki u zotua për gatishmërinë e vendit të tij për të punuar me kryesuesen e tanishme të Këshillit, Zvicrën, duke synuar forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, siç u deklarua në Takimin e Nivelit të Lartë të tretë të Këshillit më 2005 në Varshavë.
Ai tha se kryesimi "do të ishte njohje për reformat, përparësitë, konferencat dhe arritjet. Mund t'a bëjmë këtë së bashku me të gjithë vendet anëtarë, duke përfshirë Greqinë."
Megjithatë, Greqia është tashmë në grindje me vendimin e fqinjit të saj për të përdorur "Kryesimi Maqedonas 2010" si titullin zyrtar për mandatin e saj në krye të CoE.
"Ky lloj veprimi e bën procesin e bisedimeve brenda kuadrit të OKB më të vështirë dhe në praktikë kundërshton përpjekjet greke për të krijuar një klimë pozitive për të zgjidhur çëshjtjen e emrit," tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Gregoris Dalavekuras.
Athina argumenton se rezolutat e CoE kërkojnë të përdoret në vend të kësaj emri i përkohshëm "Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë".
Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se Greqia duhet të përballet me realitetin dhe të njohë ekzistencën e shtetit dhe kombit maqedonas.
"Ekzistojnë parime në Këshillin e Europës sipas të cilave ai institucion funksionon si një organizatë ndërkombëtare," tha ai. "Ne, si kryetar, do të bëjmë gjithshka për të kontribuar në reformat e Këshillit."
Në takimin e tij me Ivanov dhe Kryeministrin Nikola Gruevski, Jagland konfirmoi se Këshilli do të respektojë vendimin e qeverisë maqedonase për të përdorur titullin "Kryesimi Maqedonas 2010".
"E njoh ndjeshmërinë e çështjes ... [por] nuk jam ai që lejon dikë të përdorë këtë apo atë emër. Më duhet të ndjek vendimet e organizatës që drejtoj," shpjegoi Jagland.
Shumë maqedonas duket se e shohin kryesimin që vjen si një hap të rëndësishëm në përkrahjen e integrimit euro-atlantik të vendit të tyre.
Julijana Angelova nga Shkupi përmblodhi pikëpamjen mbizotëruese: "Ky është një shans i shkëlqyer për të nxjerrë në pah vendin dhe pikëpamjet e tij. Jam e sigurtë se Maqedonia do të përfitojë nga kryesimi i saj në mënyrën më të mirë."
Sanja Zografska Krstevska, koordinatore e kryesimit maqedonas, i tha SETimes se vendi i saj do të përqëndrohet në "luftën kundër korrupsionit, sigurimit të efektshmërisë së vazhdueshme për [zbatimin] e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe kontributeve të vendeve anëtare ndaj reformës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut".
Përparësitë përfshijnë gjithashtu fillimin e një debati dhe zbatimin e përfshirjes shoqërore të të gjithë grupeve të lënë mënjanë në shumë vende europianë, si dhe përfshirje më të madhe të rinisë, me theksin tek romët.
Këshilli ka 47 vende anëtarë, secili që kryeson mbi organizatën për gjashtë muaj. Kryesimi i ardhshëm i Maqedonisë në Këshill do të jetë më 2033.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes