17/03/2010
Kryeministri bullgar Bojko Borisov tha të martën se do t'i referojë tek zyra e prokurorisë të gjitha veprimtaritë e kryera në kuadrin e projektit të centralit bërthamor të vendit në Belene.
(Standart, Focus News Agency, Monitor, Actualno.com, Balkans.com - 17/03/10; BTA, BNT, Dnevnik, Mediapool, Sofia News Agency, Focus News Agency - 16/03/10)
![]() Kryeministri Bojko Borisov viziton vendin e ndërtimit të centralit bërthamor të dytë të Bullgarisë, pranë qytetit Belene të Danubit, të martën (16 mars). [Getty Images] |
I gjithë dokumentacioni mbi ndërtimin e centralit bërthamor të dytë të Bullgarisë në qytetin e Danubit, Belenë, do t'i referohet zyrës së prokurorisë, tha të martën (16 mars) Kryeministri bullgar Bojko Borisov.
"Gjithshka që është zbatuar deri tani do t'i paraqitet për kontroll Prokurorit të Përgjithshëm të Bullgarisë, Boris Velçev," tha Borisov. Sipas raporteve nga Departamenti i Shtetit i SHBA dhe Komisioni Europian, nga projekti kanë shkuar dëm miliarda.
Një raport i dërguar atij nga Agjensia Shtetërore për Sigurimin Kombëtar (SANS) rreshtoi shkelje të shumta, vuri në dukje Borisov, por nuk do të ofronte ndonjë hollësi apo nuk do të përmendte emra të atyre që janë përfshirë.
Sasia e investuar në projekt që nga ringjallja e tij më 2005 arrin në më shumë se 600 milionë euro, u tha të martën gazetarëve Ministri i Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit Traiço Traikov.
Qeveria e mëparshme socialiste e Bullgarisë kontraktoi Atomstroyexport të Rusisë për të ndërtuar centralin e Belenes me 2,000 MW dhe pastaj nënshkroi një marrëveshje në lidhje me të gjatë vizitës së ish-Presidentit rus Vladimir Putin në Sofie në janar 2008.
Askush nuk e ka idenë se sa është shpenzuar në projekt që nga fillimi i tij, citoi agjensia e lajmeve bullgare BTA të thotë Traikov. Më pas të martën, ai dhe Borisov vizituan vendin e ndërtimit.
Duke treguar gropën për themelet e njësisë së parë të Belene prej 1,000 MW, Borisov tha se më shumë se 400 milionë euro janë shpenzuar vetëm për të gërmuar atë "gropë".
Një opsion, tha ai, është të prishet projekti i gjithë dhe të harrohet rreth 600 milionë euro të investuara në të gjatë pesë viteve të kaluar, duke përfshirë rreth 100 milionë euro të parapaguara për pajisjen bërthamore. Nëse Sofja zgjedh këtë opsion, një tjetër 600 milionë euro të parave të taksapaguesve do të duhen të paguhen për pajisjet e porositura tashmë, plus rreth 250 milionë euro për të larë borxhet.
"Nëse braktisim Belenën, mund të bëjmë një pellg 1 miliardë euro për të rritur krap," tha Borisov.
Opsioni i dytë do të ishte të mbahet gjallë projekti i zvarritur, tha ai.
Muajin e fundit, Rusia ofroi të japë 1.9 miliardë eurot e duhura në mënyrë që puna ndërtimore, që duhet të përfundojë deri nga fundi i 2011, të mund të përfundojë.
Oferta e Rusisë është ende e vlefshme, tha Borisov, por theksoi se projekti nuk do të realizohet pa një investitor strategjik europian.
Po të mos ketë garancitë e duhura që Belenë të bëhet një projekt europian, "nuk do t'i bëj taksapaguesit që të japin më shumë para" për të, u zotua ai.
Pas bisedimeve me një delegacion parlamentar bullgar të kryesuar nga Kryetarja e Parlamentit Tsetska Tsaçeva në Moskë të hënën, Ministri rus i Energjisë Sergei Shmatko tha se programi i financimit të Belenës do të përfundojë deri nga fundi i prillit. Ai u duk gjithashtu me besim se do të gjendet një investitor strategjik për projektin. Kostoja fillestare e tij prej 4 miliardë euro është rritur në rreth 10 miliardë euro.
Borisov u citua të thoshte të martën se pret që investitorët strategjikë europianë të mundshëm të njoftojnë mbi qëndrimin e tyre brenda dy apo tre javëve të ardhshme.
Partia Socialiste Bullgare, mbështetësja më e vendosur e projektit të Belenës lëshoi një deklaratë në përgjigje të komenteve të tij, duke thënë se energjia bërthamore nuk ka asnjë alternativë tjetër në Bullgari. Çdo përpjekje për të ndaluar apo ngrirë projektin përbën tradhëti kombëtare, pretendoi ajo.
Por kritikët, përfshirë Martin Dimitrov, udhëheqës i Bashkimit të Forcave Demokratike të krahut të djathtë dhe kreu i komitetit ekonomik të parlamentit, përsëriti se projekti tepër i diskutueshëm duhet të prishet i gjithë. Bullgarisë nuk i duhet një central bërthamor i dytë, tha ai, duke theksuar se ai vetëm do të rrisë varësinë e vendit nga burimet energjitike ruse. Për më tepër, e gjithë kjo zhurmë se Bullgaria do të bëhet e aftë që të rrisë eksportet e elektricitetit të saj sapo Belenë të vihet në funksionim është thjesht një hipotezë, tha Dimitrov në një intervistë në TV të mërkurën në mëngjes.
Sipas tij, gjendja në të cilën është vendi tani i ngjan një familjeje që i mungojnë mjetet për të mbuluar nevojat e përditshme, por vendos të blejë një helikopter ndonëse as nuk di t'a ngasë dhe as të përballojë karburantin.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes