27/10/2009
Ivo Pukaniç dhe një koleg në gazetën e tij u vranë në një makinë-bombë pothuajse tamam një vit më parë.
(AFP, AP, Reuters, DPA, Novinite, B92 - 26/10/09; B92, Blic - 23/10/09)
![]() Gazetari dhe botuesi Ivo Pukaniç u vra vitin e kaluar. [Getty Images]. |
Prokurorët në Serbi dhe Kroaci akuzuan të hënën (26 tetor) tetë të dyshuar lidhur me vrasjen e vitit të kaluar me stilin e mafies të një botuesi dhe gazetari të shquar kroat.
Ivo Pukaniç, bashkëpronar dhe kryeredaktor i së përjavshmes politike kroate Nacional, u vra në një shpërthim makinë-bombë në qendër të Zagrebit më 23 tetor 2008, së bashku me drejtorin e marketingut të gazetës, Niko Franjiç.
Prokurori i Posatçëm Serb Miljko Radisavlljeviç tha se bosi i mafias serbe Sreten Joçiç, alias Joka Amsterdam dhe dy bashkëpunëtorë të tij, Zheljko Millovanoviç dhe Milenko Kuzmanoviç, ishin paditur lidhur me vrasjen.
Provat e mbledhura gjatë hetimit shtatë-mujor për çështjen konfirmuan se të tre ata "po punonin brenda një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar përbërë nga shtetas serbë, kroatë dhe boshnjakë, që organizuan dhe kryen krimin në fjalë", tha zyra e tij në një deklaratë.
Joçiç, një kryemafioz ballkanik i drogës, i cili u arrestua më 27 prill në Beograd, është akuzuar për urdhërimin dhe organizimin e vrasjes. Në kohën e paraburgimit të tij, tregtari i pasur i Beogradit ishte paditur ndërkohë për vrasjen e dy njerëzve të tjerë. Ai ishte vënë në arrest shtëpie më 2006 dhe jetonte në një vilë në periferinë luksoze të Beogradit, Dedinje, që e kishte marrë me qira nga e veja e ish-Presidentit serb Sllobodan Millosheviç, Mirjana Markoviç.
Joçiç nga sa thuhet pagoi "të paktën 1.5 milionë euro" si shpërblim për vrasjen e Pukaniç.
Prokurorët serbë besojnë se të dyshuarit vunë bombën që vrau Pukaniç, 47 vjeç, në një skuter parkuar pranë makinës Lexus të gazetarit. Millovanoviç, alias Gavra, dyshohet se e ka shpërthyer paisjen. Shpërthimi, në të cilën vdiqën Pukaniç dhe Franiç, plagosi dy kalimtarë dhe shkaktoi gjithashtu dëm të konsiderueshëm.
Millovanoviç, i cili u arrestua në Beograd në fund të majit për përfshirje të dyshuar në çështjen, është një ish-anëtar i njësisë së posatçme famëkeqe serbe, njohur si Beretat e Kuqe. Njësia, që luftoi në Ballkan në fillim të viteve 1990, u shpërbë menjëherë pas vrasjes në mars 2003 të kryeministrit të parë reformist të Serbisë, Zoran Gjingjiç, një nga krimet e shumtë me të cilat ka qenë e lidhur njësia.
Millovanoviç ishte gjithashtu midis të dyshuarve të akuzuar në çështjen e Pukaniç në padinë e lëshuar të hënën nga Zyra Kroate për Parandalimin e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Katër prej tyre: Amir Mafalani, Sllobodan Gjuroviç dhe kushërinjtë Robert dhe Luka Mataniç, u arrestuan menjëherë pas vrasjes, ndërsa i pesti, Bojan Guduriç, mbetet në kërkim.
"Vrasja u organizua për të penguar Pukaniç që të nxjerrë në shtyp dhe median elektronike në Kroaci dhe vendet fqinjë, rezultatet gazetareske rreth veprimeve të disa grupeve kriminalë në rajon dhe lidhjet e ndërsjellta të tyre," citoi AFP të thoshte zyra e prokurorit kroat të shtetit.
Sulmi me bombë kundër Pukaniç erdhi më pak se tre javë pasi Ivana Hodak, vajza 26-vjeçare e një avokati të shquar, u vra pranë një poste policie në Zagrebin qendror.
Radisavlljeviç tha se qëllimi i padive të njëkohëshme ishte jo vetëm të tregonte bashkëpunimin në rritje midis prokurorive kroatë dhe serbë, por gjithashtu vendosmërinë e tyre për të ndjekur krimet e organizuar më të rëndë.
Sipas njoftimeve të medias serbe javën e shkuar, një grup që besohet të jetë i lidhur me Joçiç kishte planifikuar të vriste Ministren serbe të Drejtësisë Snezhana Malloviç, lidhur me nxitjen prej saj për miratimin e një ligji mbi konfiskimin e pasurive të fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes