26/10/2009
Përmes Ministrisë së Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës vendi po bën arritje në mbrojtjen e mjedisit.
Nga Maria Paravantes për Southeast European Times në Athinë -- 26/10/09
![]() Zjarrfikësit përpiqen të shuajnë një zjarr në periferinë Pikerni të Athinës në gusht. Qeveria e re e Greqisë ka premtuar që të trajtojë rrjetën e problemeve mjedisorë që kontribuan në zjarret e kohëve të fundit. [Getty Images] |
Ndotja e ajrit, ndotja dhe shterimi i burimeve ujorë, administrimi i ndotjeve, shpyllëzimi dhe ndryshimet klimatikë janë çështjet kryesore mjedisore që ndesh qeveria e re e socialistëve të Greqisë, e cila po formulon tashmë politikat përpara Konferencës së Ndryshimit të Klimës të Kopenhagenit në dhjetor.
Pavarësisht prej ratifikimit të protokollit të Kiotos, Greqia ende nuk ka marrë masa që do të krijojnë energji për brezat e ardhshëm në mënyra të qëndrueshme dhe pa dëmtuar mjedisin.
Zjarret e pyjeve që shkrumbuan vendin i shtuan një dimension tjetër çështjes. Me pyjet e fundit të mbetur të Atikës dhe jetën e tyre të egër të shkatërruar nga zjarret në gushtin e fundit, Athina dhe zona metropolitane të tjera ndeshen tani me realitete mjedisorë të rinj që kanë nisur të kënë ndikimin e tyre.
Temperaturat përvëluese të verës, përmbytjet e shpejta, ajri i ndotur dhe shterimi i burimeve të ujit kanë filluar të bëhen norma dhe jo përjashtimi. Ndonëse ideja e konservimit po hyn në mentalitetin grek, ndërgjegjësimi mjedisor si një koncept u shfaq në mes të viteve 1980, ka ende një rrugë të gjatë për të bërë.
Riciklimi është ende nën mesataren e BE. Nga 5.5 milionë ton mbeturina të prodhuar për vit, vetëm 350,000 tonë prej tyre riciklohen.
Për disa kohë Greqia ka preferuar të paguajë gjobat e mjedisit të BE se sa të trajtojë problemet me masa të ashpra.
Kryeministri Jorgos Papandreu, i cili korri një fitore të bujshme në zgjedhjet e parakohëshme të 4 tetorit, ka shprehur në mënyrë të përsëritur vendosmërinë e tij për ta vënë Greqinë midis vendeve "të gjelbër" të BE. Ai synon të prodhojë afërsisht 18% të energjisë së përgjithshme të vendit nga burimet e përtëritëshëm deri më 2020, krahasuar me 8% tani.
Ai ngriti gjithashtu një Ministri të Mjedisit, Energjisë dhe Ndryshimit të Klimës, duke vënë në krye të saj veprimtaren mjedisore të re Tina Birbili.
Ajo u takua me zyrtarë të ministrisë së jashtme më parë këtë muaj për të hedhur bazat për takimin e nivelit të lartë gati dy-javor të Kopenhagenit që fillon më 7 dhjetor.
"Ne kemi në plan të takohemi me partnerët socialë dhe të gjitha palët e përfshira dhe të përgatitemi për të marrë pjesë aktivisht në takim. duke mbështetur qëndrimin e BE dhe me shpresë për t'u bërë pjesë e procesit," tha Birbili.
Ajo ftoi ambjentalistët, të tillë si Fondi Botëror i Jetës së Egër dhe Greenpeace, mes të tjerësh, që të ndihmojnë vendin për t'u bërë "i gjelbër".
Birbili ka në plan të nxisë konservimin nëpërmjet arsimimit e studimit dhe të mbrojë pyjet e mbetur nëpërmjet një rregjistri toke, ndërsa ndalon zhvillimin e paligjshëm urban në zonat e rrënuara nga zjarret, mes çështjeve të tjera në rendin e ditës të saj.
Më tej, qeveria ka në plan të përfshijë emetimet e CO2 si kriter të taksueshëm për automobilët.
Ndërkohë, një shembull i shkëlqyer sesi vendi po bëhet më i gjelbër mund të shikohet në Grevena, ku biomasa prej pluhur sharre, bërthama ullinjsh, pleh kafshësh, mbeturina peshku etj., do të kthehen në energji, fillimisht për qëllime ngrohëse nëpërmjet një projekti privat prej 65 milionë euro.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes