20/10/2009
"Qëllimi është që Turqia të bëhet një anëtare e plotë," tha Kryeministri grek Jorgo Papandreu.
(Reuters, AFP, AP, DPA, Deutsche Welle, CNA, ANA-MPA, Hurriyet - 19/10/09)
![]() "Një problem i madh është ende pushtimi në Republikën e Qipros. Nuk mund të lejohet që Turqia të ketë trupa pushtuese në një shtet anëtar të BE," tha Kryeministri grek Jorgo Papandreu. [Getty Images] |
Anëtarët e BE, Greqia dhe Qiproja përsëritën mbështetjen e tyre të hënën (19 tetor) për kërkesën e Turqisë për në BE, duke kundërshtuar alternativat ndaj anëtarësimit të plotë. Në të njëjtën kohë, megjithatë, ato i bënë thirrje Ankarasë që të tregojë vullnet të mirë dhe bashkëpunim në përpjekjet për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros dhe thanë se Turqia duhet të përmbushë angazhimet e saj në procesin e pranimit.
"Qëllimi është që Turqia të bëhet një anëtare e plotë," u tha gazetarëve në Nikozia Kryeministri grek Jorgo Papandreu. "Unë nuk jam në favor të një shoqërimi të posatçëm të Turqisë me BE, për derisa ajo përmbush detyrimet e veta."
Papandreu, i cili mori gjithashtu portfolin e ministrit të jashtëm pasi partia e tij PASOK fitoi zgjedhjet e 4 tetorit të Greqisë, mbërriti të hënën për një vizitë dy ditore në Qipro.
Kërkesa e Turqisë për në BE ishte në krye të rendit të ditës të bisedimeve, së bashku me gjendjen e bisedimeve mbi çështjen qipriote. Ishulli mesdhetar ka qenë i ndarë sipas vijave etnike që nga 1974.
Presidenti i Qipros, Demetris Kristofias është përpjekur të arrijë një zgjidhje së bashku me homologun e tij qipriot turk, Mehmet Ali Talat, por përparimi është penguar nga çështje të tilla si kthimi i pronës dhe kthimi i të vendosurve turq.
Ndërkohë, kërkesa e Turqisë ka lëvizur me një ritëm të ngadaltë, pjesërisht për shkak të vështirësive të Ankarasë në zbatimin e reformave të kërkuara. Vendi nisi bisedimet e anëtarësimit të tij në tetor 2005 së bashku me Kroacinë. Por ndërsa Kroacia pret ta mbyllë procesin vitin tjetër, afati për Tuqinë mund të jetë shumë më i gjatë.
Qiproja dhe Greqia kanë të dyja forcën e vetos brenda BE dhe të dyja thonë se mosmarrëveshja e Qipros është një pengesë nëse nuk zgjidhet.
"Nuk mund të lejohet që Turqia të ketë trupa pushtuese në një vend anëtar të BE, veçanërisht për një vend kandidat," u tha Papandreu gazetarëve të hënën.
Duke ndërlikuar çështjen edhe më tej, Ankaraja deri tani nuk ka zbatuar një protokoll të 2005 me BE që i kërkon asaj të hapë portet dhe aeroportet për anijet dhe avionët qipriotë. Mosbërja e kësaj e çoi Komisionin Europian deri në ngrirje të bisedimeve mbi tetë kapituj negociues.
Sipas Kristofias, Turqia duhet jo vetëm të respektojë protokollin doganor, por edhe të njohë administratën në Nikozia dhe të normalizojë marrëdhëniet.
"Turqia ka detyrime që duhet t'i kryejë ose nuk do të jetë në gjendje të vazhdojë rrugën e saj të pranimit pa pengesa," tha ai. Ai kritikoi krerët turq për rolin e tyre në bisedimet e ribashkimit, duke thënë se deklaratat e tyre në mbështetje të procesit nuk ishin mbështetur nga veprimi konkret.
Egemen Bagis, kryenegociatori i Turqisë me BE, tha se vendi i tij do të hapë portet e tij për trafikun nga Qiproja vetëm pasi BE të lëvizë për të lehtësuar tregtinë midis bllokut dhe bashkësisë qipriote turke.
Të hënën, Papandreu dhe Kristofias ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre të ngushtë mbi çështjen e Qipros, si përpara takimit të nivelit të lartë të BE në dhjetor, kur do të shqyrtohet kërkesa e Turqisë për t'u bashkuar me bllokun, ashtu edhe më pas.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes