14/10/2009
Me njoftimet se partitë qeverisëse kanë rënë dakord të mbështesin dokumentin, statuti i Vojvodinës mund të debatohet në parlament këtë muaj.
Nga Igor Jovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 14/10/09
![]() Vojvodina. [Nikola Barbutov/SETimes] |
Një vit pas krijimit të tij, një statut i ndryshuar për krahinën serbe të Vojvodinës mund të marrë miratimin përfundimtar të parlamentit deri nga fundi i vitit, thanë anëtarët e koalicionit në pushtet këtë javë.
Sipas njoftimeve të medias vendase, partneri i koalicionit në pushtet Partia Socialiste e Serbisë (SPS) ka thënë se do të votojë në mbështetje të dokumentit pasi të marrë garanci nga Partia Demokratike (DS) se të gjithë elementët që i japin Vojvodinës mundësi të krijojë "një shtet brenda shtetit" do të hiqen nga projekti.
Varianti përfundimtar i statutit është harmonizuar nga koalicioni dhe nuk do të përmbajë ndonjë nga "veçoritë shtet-formuese" që përmbaheshin në dokumentin origjinal për krahinën veriore serbe, njoftoi Vecernje Novosti.
Pikat që do të hiqen përfshijnë të drejtën e Vojvodinës për të miratuar legjislacion dhe për të thirrur referendume.
Udhëheqësi i SPS Ivica Daçiç tha se partia e tij mbështet autonominë e gjerë për Vojvodinën, por nuk do të mbështeste një ligj që "shndërron Vojvodinën në një shtet".
Disa parti të Vojvodinës në koalicionin në pushtet që e mbështesin ligjin i kanë bërë thirrje parlamentit që të marrë përfundimisht një vendim mbi aktin. Partitë hedhin poshtë çdo mundësi që ligji të jetë separatist dhe këmbëngulin se ai është në përputhje me standardet europianë.
Duke iu përgjigjur zërave të mosmarrëveshjeve ndër-partiake, zyrtari i DS Bojan Pajtiç, i tha B92 me qendër në Beograd se "degët në Vojvodinë dhe Beograd" nuk janë dakord mbi projet-ligjin e Vojvodinës.
Sipas Kryetares së Parlamentit Sllavica Gjukiç-Dejanoviç, deputetët mund ta debatojnë statutin deri nga fundi i tetorit.
Megjithatë, edhe me partitë në pushtet në një grup, ligji përsëri ndesh kundërshtim. Kisha Ortodokse Serbe u ka dërguar një letër zyrtarëve serbë ku paralajmëron se disa nga pikat e ligjit shkelin kushtetutën serbe dhe mund të shpien në shpërbërjen e shtetit.
Presidenti Boris Tadiç gjithashtu ka disa kundërshtime. Më 8 tetor, ai tha se statusi i Vojvodinës ishte "një çështje e rendit të brendshëm të Serbisë, që disa politikanë në vend dhe disa nga bota kërkojnë ta ndërkombëtarizojnë". Presidenti shtoi se se ai mbështet autonominë e gjerë për krahinën, por tha gjithashtu se "autonomia nuk duhet të rrezikojë integritetin e vendit dhe ta destabilizojë atë."
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes