11/08/2009
Rumania është në një "recesion të ashpër", tha FMN të hënën, duke cituar një tkurrje ekonomike prej deri në 8.5% këtë vit.
(Agerpres, Nine O'clock - 11/08/09; Reuters, AP, AFP, Mediafax, Agerpres, European Commission - 10/08/09)
![]() Kreu i misionit të FMN në Rumani, Xhefri Franks mban një konferencë shtypi në Bukuresht të hënën (10 gusht). [Getty Images] |
Rumania do të lejohet të ketë një deficit më të lartë buxheti këtë vit dhe tjetrin për të parandaluar që situata e saj ekonomike të përkeqësohet, thanë të hënën (10 gusht) FMN dhe Komisioni Evropian (KE). Vendit, megjithatë, do t'i kërkohet të futë një seri masash duke përfshirë reduktimin e shpenzimit dhe pagat e sektorit publik në mënyrë që çarja të mos zgjerohet.
Një paketë shpëtimi prej 20 miliard euro e kryesuar nga FMN u njoftua për vendin në mars, për ta ndihmuar atë të zbusë pasojën e krizës financiare. Në maj, Fondi miratoi një marrëveshje ndihme dy-vjeçare për Rumaninë me vlerë gati 13 miliard euro dhe BE ra dakord të kontribuojë me 5 miliard euro të tjera për ndihmën, duke përfshirë kreditë nga Banka Botërore dhe Banka Evropiane për Rindërtimin e Zhvillimin (EBRD).
Po të kishte ndjekur politika më të mira ekonomike Bukureshti në fund të vitit të kaluar, do të ishte në pozitë më të mirë tani, tha të hënën Xhefri Frank, kryetari i misionit të FMN për Rumaninë.
Duke paraqitur rezultatet e shqyrtimit të parë nga Fondi të punës së Rumanisë në kuadrin e paketës shpëtuese, ai tha se vendi mund të presë të ndeshë tkurrje ekonomike në më shumë se 8.5% nga 4.1% që institucioni me bazë në Uashington kishte parashikuar në mars.
FMN shqyrtoi gjithashtu parashikimet e saj të deficitit të buxhetit për 2009, nga 4.6% të GDP në fillim të programit, në 7.3% të GDP. Ekspertët e KE thanë se kjo shifër do të përkthehej në 7.8% të GDP sipas rregullave llogaritëse të BE.
"Ky përbën një recesion shumë të ashpër që po ndesh Rumania," tha Franks. "Rumania nuk është në gjendje të financojë një deficit të tillë të madh publik." Sipas tij, situata e tanishme ishte përfundim i përkeqësimit "më keq se ç'pritej" dhe kërkesës së ulët të vendit gjatë dy tremujorëve të parë të 2009.
FMN megjithatë sheh perspektiva për një kthim në 2010, kur ekonomia rumune ka gjasë të regjistrojë një "rritje modeste pozitive" nga 0.5% në 1% të GDP.
Një deklaratë e KE thoshte se është arritur marrëveshje mbi masat e ardhëshme për të garantuar se deficiti i buxhetit për 2010 do të ishte më pak se 6% e GDP apo 6.5% sipas rregullave të BE. Këto do të synoheshin kryesisht me shkurtimin e shpenzimeve dhe reduktimin e masës së pagave të sektorit publik, "ndërsa i jepej përparësi projekteve të investimit të bashkëfinancuara me fondet e BE", shpjegonte ajo.
Duke cituar burime pranë bisedimeve, agjensia rumun e lajmeve Mediafax tha se përmbushja e objektivit të diferencës së buxhetit për vitin tjetër do të kërkonte një "2.5% zbritje të deficitit strukturor" duke futur reforma strukturore, duke përfshirë shkurtime në sektorin publik.
Franks megjithatë kundërshtoi zërat se misioni i FMN i kishte kërkuar qeverisë rumune të shkurtonte 150,000 vetë apo ndonjë numër tjetër të punonjësve civilë.
"FMN diskutoi deficitin buxhetor dhe nevojën për të shkurtuar shpenzimet, por [ai] nuk sugjeron mjetet nëpërmjet të cilave do të bëhet kjo," u citua ai të thoshte.
Rumania ka marrë tashmë 5 miliard euro nën marrëveshjen e ndihmës prej 13 miliard euro me FMN. Fondi pritet të japë një tjetër këst prej 1.9 miliard euro në shtator dhe një tjetër prej 1.5 miliard euro në dhjetor.
BE i dha 1.5 miliard euro Rumanisë në korrik, transhi i parë në kontributin e saj prej 5 miliard euro në paketën shumëpalëshe të ndihmës. Një transh i dytë pritet të disbursohet pas një vlerësimi të ri të KE në tetor.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes