25/06/2009
Një takim i OSBE në Korfuz do të ofrojë një mundësi për bisedime midis ministrave të jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë dhe i dërguari i OKB Methju Nimetz thotë se ka ardhur koha që procesi të shkojë përpara. Megjithatë mbeten pengesa serioze.
Nga Marina Stojanovska për Southeast European Times në Shkup -- 25/06/09
![]() Maqedonia ka thënë se është gati të zgjidhë mosmarrëveshjen e saj me Greqinë fqinjë, por jo me çmimin e identitetit kombëtar. [BE] |
Ndërmjetësi i caktuar nga OKB, Methju Nimetz, do të vizitojë Shkupin dhe Athinën nga 6 deri më 9 korrik në kërkim të një zgjidhjeje për mosmarrëveshjen e gjatë të emrit midis Greqisë dhe fqinjës së saj veriore, Republikës së Maqedonisë.
Të dy palët rinisën bisedimet këtë javë në Gjenevë pas një ndërprerje katër mujore. Diskutimet ishin në përgatitje të takimeve të muajve të ardhshëm dhe nuk u paraqitën propozime, tha Nimetz.
Megjithatë, të dy vendet "shprehën gadishmërinë për të biseduar dhe për të gjetur një zgjidhje", tha i dërguari. "Tani është një kohë e mirë për të lëvizur përpara procesin e bisedimeve," shtoi ai.
Të enjten (25 qershor) Ministri i Jashtëm maqedonas Antonio Milososki tha se sheh mundësinë e vrullit të ri. Duke folur në një konferencë shtypi me Ministrin e Jashtëm vizitues sllovak, Mirosllav Lajçak, ai sugjeroi se konferenca e ardhshme ministrore e OSBE në Korfuz mund të ofrojë një mundësi për të rinisur me vrull dialogun.
"Një dinamikë dhe ritëm i ri" është i mundur, tha ministri i jashtëm. Kryeministri i vendit Nikola Gruevski ka thënë se ai "dëshëron [që] gjërat të shkojnë në drejtimin pozitiv".
Pavarësisht tonit pozitiv, megjithatë mbeten pika kryesore të pazgjidhura. Greqia thotë se një emër i pranueshëm do të ishte ai që përfshin një referencë gjeografike, të tillë si "Veri" dhe do të përdorej në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Fqinja e saj, megjithatë, thotë se vendet që tashmë e quajnë atë "Republika e Maqedonisë" duhet të vazhdojnë të bëjnë kështu.
"Zgjidhja nuk duhet t'u detyrohet vendeve që na njohin sipas emrit tonë kushtetues dhe janë më shumë se 120 të tillë," tha negociatori maqedonas Zoran Jolevski. Çdo marrëveshje, shtoi ai, nuk duhet as të komprometojë identitetin kombëtar, as të shkelë kushtetutën e Maqedonisë.
Milososki ka hedhur poshtë idenë e një reference gjeografike si të panevojshme. Dhe Gruevski thotë se një marrëveshje e biseduar do të vihej përpara shtetasve në një referendum.
Greqia, ndërkohë, vazhdon të akuzojë vendin fqinj për mbajtjen e një qëndrimi jo fleksibël dhe për mosqënien i angazhuar realisht për zgjidhjen e çështjes.
Ministrja e Jashtme Dora Bakojanis thotë se ajo pret që "autoritetet në Shkup të tregojnë një metodë politike të ndryshme", një të tillë të orientuar drejt një zgjidhjeje të pranueshme nga të dy palët.
Ajo konfirmoi se qeveria maqedonase ka kërkuar një takim midis saj dhe Milososkit gjatë sesionit të OSBE në Korfuz dhe tha se do të përpiqet ta kryejë atë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes