20/04/2009
Serbia është midis vendeve evropiane me numrin më të madh të duhanpirësve. Ministria e shëndetësisë ka propozuar kufizime të mëtejshme të duhanpirjes në hapësira publike e të mbyllura.
Nga Bojana Milovanoviç për Southeast European Times në Beograd -- 20/04/09
![]() Rreth 30% e grave në Serbi pinë duham. [Nikola Barbutov/SETimes] |
Serbia është midis vendeve evropiane me përqindjen më të lartë të duhanpirësve. Sipas ministrisë së shëndetësisë, rreth një e treta e 7 milion e ca shtetasve të Serbisë pinë duhan, gati 38% e burrave dhe 30% e grave.
Srmena Krstev, presidente e Komisionit të Serbisë për Parandalimin e Duhanpirjes i tha Southeast European Times se mosha në të cilën niset duhani po bie paprerë. "Rreth 8% e të rinjve të moshave 13 deri 15 vjeç ndezin herë pas here një cigare. Një e treta e tyre e ka patur cigaren e parë në moshën dhjetë vjeç," tha ajo.
Në disa vende si Greqia dhe Turqia, gati gjysma e burrave pinë duhan. Megjithatë, përqindja e grave që e pinë atë në këto vende është shumë më e ulët se në Serbi. " 'Rivali' i vetëm i Serbisë në numrin e duhanpirësve midis vendeve evropiane është Bosnje dhe Herzegovina," tha ajo.
Për t'ju drejtuar problemeve në rritje nga duhanpirja, ministria e shëndetësisë ka propozuar amendamente ndaj ligjit ekzistues të ndalimit të duhanpirjes në hapësira të mbyllura. Ligji i ri do të jetë më i ashpër dhe do të mbulojë të gjithë hapësirat publike dhe ato të punës, duke përfshirë kafenetë, restaurantet dhe strukturat e tjera të shërbimeve.
Beogradi ka ndërmend të harmonizojë ligjin me ato të Evropës. Zbatimi do të bëhet me faza: së pari do të ndalohet duhanpirja në vendet e punës; pastaj, duke ngritur zona duhanpirjeje në strukturat publike si restaurantet; dhe më së fundi, ndalimi i kësaj praktike në të gjitha hapësirat publike. Zbatimi i ligjit nuk do të jetë i lehtë pasi pritet rezistencë. Për të shmangur problemet e mundëshme, "dokumenti...do të jetë shumë i qartë dhe zbatimi i tij i përcaktuar saktë," tha Krstev.
Ndërgjegjësimi i efekteve të dëmshme të duhanit po rritet, veçanërisht për rreziqet e tymosjes nga të dytët. "Në qoftë se një e treta e popullsisë pi duhan, ne na duhet të mendojmë për dy të tretat e tjera...shëndeti i të cilëve mundet të dëmtohet gjithashtu", shtoi ajo.
Ministria e shëndetësisë ka në plan një sërë fushatash intensive për të përhapur mesazhin më sistematikisht, tha Krestev. Një fushatë aktuale "Pirja e duhanit është një vrasës serial" synon të trembë duhanpirësit që të bëhen merak për shëndetin e tyre. Ajo ndërkaq ka dhënë rezultat: nga 2006 në 2008, 7% e burrave dhe 3% 3 grave kanë lënë duhanin.
Fushata tjetër do t'u bëjë thirrje duhanpirësve të "Presin pirjen e duhanit". Objektivi është t'u tregohet duhanpirësve shkaqet e numrit të madh të sëmundjeve disa nga të cilat mund të jenë vdekjeprurëse.
Cigaret janë shkaku më i përhapur i sëmundjeve malinjë, goditjeve në tru e në zemër. Duhanpirja është veçanërisht e dëmshme gjatë shtatzanisë dhe mund të shkaktojë probleme shëndetësore tek fëmijët edhe pas foshnjërisë.
Ne mirëpresim komentet tuaja lidhur me artikujt e SETimes.
Ne shpresojmë që ju do të përdorni këtë forum për të bashkëvepruar me lexuesit e tjerë në të gjithë Evropën Juglindore. Në mënyrë që ta mbajmë këtë eksperiencë interesante, ne ju kërkojmë të ndiqni regullat e theksuara në politikën e komenteve. Duke dërguar komentet, ju i miratoni këto regulla. Ndërkohë që SETimes.com nxit diskutimin mbi të gjitha subjektet, duke përfshirë edhe ato të ndjeshme, por komentet e postuara shprehin vetëm pikëpamjet e atyre që i dërgojnë. Për SETimes.com nuk është e nevojshme ti vërtetojë ose të bjerë dakord me këto ide, pikëpamje, ose opinione të shprehura në këto komente. SETimes.com mirëpret diskutimin konstruktiv por nuk inkurajon përdorimin e materialeve kopjo-ngjit, lidhjeve të pashoqëruara dhe slloganeve me një rresht. Ky është një forum i moderuar. Komentet e gjykuara si abuzive, ofendues, ose ato që përmbajnë karakter fetar mund të mos publikohen.
Politika e komenteve të SETimes